Jaho Brahaj: Muzetë etnografikë si para viteve ’90-të, pa kushte për objektet. –

25/10/2019.

Gazeta Sot.

Muzetë etnografikë në vend janë larg kushteve, që kërkohet për objektet. Për specialistët sot muzetë kanë jo pak probleme dhe pak është bërë nga institucionet në vendin tonë. Sipas tyre, jo vetëm nga Ministria e Kulturës, por dhe nga bashkitë duket se vëmendja nuk ka qenë e duhura. Studiuesi i njohur Jaho Brahaj pohon se as në Tiranë nuk kemi një muze etnografik të kryeqytetit. “Muzetë tek ne janë të munguar. Nuk kemi as muze etnografik kombëtar. Kemi nismen per pavionin etnografik, që para shumë kohësh u punua për tu hapur në Muzeun Historik Kombëtar, por deri më sot nuk është hapur. Një nismë gjysmake, sepse pa muze dhe vetëm me një pavion. Në këtë drejtim edhe nga Bashkia e Tiranës nuk është menduar për një muze metropolitan ashtu siç i kanë të gjithë kryeqytetet e Europës dhe qytet kryesore. Në muzetë etnografikë ka mungesë për parametrat e ruajtjes fizike të objekteve. Kushtet e ruajtjes në fonde ose në ekspozim janë domosdoshmëri, sepse janë objekte që nuk gjenden më”, pohon studiuesi Brahaj. Sipas tij edhe pse janë ndërmarrë disa nisma si ajo në Berat për pasurimin e muzeut etnografik, sërish ka shumë për të bërë nga institucionet. “Kemi vite, që pothuajse asnjë objekt nuk është futur për të pasuruar muzetë tanë. Vlen të përmendet nisma, që ka marrë muzeu etnografik në Berat, që banorët e komunitetit ti dhurojnë objektet. Por krahas kësaj pushteti qëndror dhe ai lokal duhet të krijojnë fondet për blerjen e objekteve”, pohon studiuesi Jaho Brahaj. Duke folur për gjendjen që kanë sot muzetë etnografikë, kombëtar dhe në varësi të bashkive në vend, studiuesi Jaho Brahaj shprehet, se kushtet e tyre janë larg standarteve të duhura, ku përjashtim bën muzeu në Berat dhe ai në Krujë. “Kushtet e ruajtjes në muzetë tonë etnografikë janë të mjerueshme për objektet. Janë kushte jashtë standardeve, që kërkon konservimi dhe ruajtja e objekteve në muze. Muzeu etnografik i Beratit është më mirë, por dhe atje nuk ka asnjë njeri të specializuar për ruajtjen e tyre sipas standarteve, etj. Muzeu Etnografik i Krujës është në gjendje normale për kushtet në Shqipëri, por jo se janë me kushtet siç duhet. Ne, po të krahasohemi me kushtet, që ka Europa për muzet, si klima, lagështira etj, asnjë muze etnografik tek ne nuk i plotëson parametrat”, pohon studiuesi.

Detyra e ministrisë

Në këtë gjendje sipas studiuesit Jaho Brahaj, Ministria e Kulturës e ka detyrim që të merret me muzetë etnografikë në vend, dhe jo të shikojë vetëm ata kombëtar. “Ministria e Kulturës ka për detyrën ndihmën metodike dhe kualifikim të punonjësve të gjithë muzeve në vend. Ajo deri më sot edhe sektorin për muzetë që ka, e kupton dhe e vlerëson vetëm si sektor për ndihëm e muzeve që ka ajo në varësi. Por nuk duhet të jetë vetëm kaq”, shton më tej studiuesi i njohur. Problemet me trashëgiminë tonë kulturore nuk janë të pakta. Herë pas here nga specialistë të ndryshëm është folur dhe për muzetë, por sipas studiuesit Jaho Brahaj, sot në vendin tonë ato janë si para viteve 90. “Për muzetë nuk ka pasur atë vëmendje, që ata kërkonin. Gjendja e muzeve dhe pasqyrimi i objekteve dhe gjendja e tyre është, që para viteve 90, vetëm se janë bërë arredime dhe ka lëvizur ndriçimi, por asgjë tjetër nuk ka lëvizur. Muzetë duhet të pasurohen”, thekson studiuesi Brahaj. Sipas studiuesit, muzetë etnografikë në vend kanë shumë rëndësi jo vetëm për turizmin, por dhe për edukimin e brezit të ri, pasi aty pasqyrohet jeta dhe tradita shqiptare.

Nga Julia Vrapi