Jaho Brahaj. Foto Emma Brahaj

Gazeta Sot

12 Nentor 2022

Nga Julia VRAPI

Trashëgimia jonë përballet me probleme të ndryshme, por duket se nga institucionet në vend nuk po tregohet sa duhet vëmendje edhe për popullarizimin e saj.

Herë pas here specialistë apo studiues janë shprehur me kritika për institucionet.

Studiuesi Jaho Brahaj thotë se deri tani është treguar se ka munguar vëmendje e duhur  për trashëgiminë tonë. Sipas tij kjo jo vetëm në institucionet qëndrore, por dhe ato lokale në vend.

“Institucionet qëndrore siç është Ministria e Kulturës me institucionet e saj po ashtu edhe drejtoritë kulturore të bashkive nuk e kanë prioritet të tyre njohjen dhe popullarizimin me trashëgiminë tonë kulturore, historike e shpirtërore”, thotë studiuesi Brahaj. Sipas tij edhe ato veprimtari që zhvillohen, më së shumti i shmangen thelbit të traditave tona.

Studiuesi Jaho Brahaj shprehet se shpeshherë aktivitetet që bëhen janë për persona të veçantë, dhe jo me vëmendjen te popullarizimi dhe njohja e trashëgimisë sonë. “Po të shikosh njoftimet dhe lajmet qoftë në Shqipëri, por dhe në Kosovë ka vetëm festivale, të cilat i shmangen thelbit të traditave që i kemi nga vazhdimësia e paraardhësve tonë. Më shumë kanë në gjininë e koncerteve dhe të shpalljes së diplomave, mirënjohjeve të personave të veçantë, ku shpeshherë nuk kanë asnjë vlerë të njohjeve dhe edukim me traditat dhe përfundojnë në dreka, darka që nuk kanë asnjë vlerë, por janë më shumë demostrim i pamjes dhe paraqitjes formale nën zhurmën e muzikës, që shpeshherë edhe ajo nuk ka vlera muzikore”, thotë Brahaj në reagimin e tij.

Njohja e vlerave

Studiuesi Jaho Brahaj herë pas here ka reaguar për problemet, që kemi në trashëgiminë tonë. Ai dhe më parë ka treguar se kjo mungesë vëmendje është përgjegjësi e institucioneve.

Pak ditë më parë Jaho Brahaj mori pjesë në aktivitetin që zhvilloi Muzeu Historik Kombëtar, ku foli para të rinjve. Një pjesëmarrje dhe aktivitet, që ai e vlerëson shumë, duke pohuar se duhet të zhvillojnë veprimtari të tilla dhe institucione të tjera. Brahaj trego se fatkeqësisht po vihet re, që po çorientohen veprimtaritë për trashëgiminë. “Brezi i moshuar e ka detyrim të japi kontributin për edukimin dhe për njohjen e vlerave, që trashëgon populli ynë. Nëse në aktivitete të ndryshme në pikturë, muzikë, koreografi, në historinë dhe vazhdimësinë e trashëgimisë sonë kulturore, shkëputen hallkat, atëherë neve do të kemi fillimin e një boshllëku, i cili do të na lërë shumë mangësi në formimin dhe edukimin e brezave që po vijnë, brezave që rriten.

Kjo vihet re shumë në periudhën që jemi, dhe ajo që është e dukshme është që po shkatërrohen dhe monumente të kulturës materiale, si ashtu që po çorientohen edhe aktivitete dhe veprimtaritë e trashëgimisë për kulturën shpirtërore”, tregon Brahaj.

Sipas tij, ne kemi një pasuri të çmuar në trashëgiminë shpirtërore, por shpeshherë po bëhen aktivitete nga njerëz pa njohuri. “Neve kemi një pasuri shumë të çmuar dhe të vlerësuar në trashëgiminë shpirtërore, e cila në këto vite ajo jo vetëm që shumë pak studiohet dhe popullarizohet, por shpeshherë ajo në aktivitete nga njerëz pa njohuri të administratave kryesisht qëndrore dhe lokale po bjerr dhe po humbet rrugën e vlerave, që ajo ka dhe rëndësinë e pasurisë shpirtërore dhe identitetit tonë”, thotë Brahaj. Studiuesi Jaho Brahaj ka botuar artikuj dhe studime, si dhe ka kumtuar në aktivitete shkencore brenda dhe jashtë vendit.