Në Shqipëri po zhduken drurët natyrorë

Nga: Entela Resuli

Pas një pune 5-vjeçare rreth 36-specialistë të bimëve nga e gjithë Evropa paraqitën në Bruksel më 27 Shtator raportin e IUCN-së mbi vlerësimin e gjendjes aktuale të drurëve natyrorë që rriten në Evropë, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.

Arneni ose Pinus peuce

Global Forest watch (Shoqata e monitorimit të Pyjeve në botë) raporton se Shqipëria gjatë viteve 2000 deri 2017, humbi 5.5% të sipërfaqes së saj pyjore.

Prof. Lulëzim Shuka, ishte njëri prej specialistëve të grupit të vlerësimit të IUCN-së (Bashkimit Ndërkombëtar të Ruajtjes së Natyrës) dhe hartues i raportit  për listën e specieve të rrezikuara për zhdukje të botës ose Evropës. Ne biseduam me Profesorin mbi arsyet e shqetësimeve të specialistëve dhe drejtorisë së mjedisit në këshillin e Evropës mbi drurët  natyror të të saj.

-Përse IUCN dhe Drejtoria e Mjedisit në Këshillin e Evropës ngritën alarmin mbi rrezikimin e drurëve të Evropës?

Institucionet përgjegjëse në Evropë dhe më gjerë ju kushtojnë një rëndësi të madhe bimëve dhe veçanërisht drurëve natyrorë, sepse bimët janë thelbësore për jetën në tokë. Ato sigurojnë shërbime të rëndësishme për ekosistemet natyrore dhe bujqësore. Prej bimëve ne sigurojmë ujin e pastër, oksigjenin dhe mbrojtjen e tokës nga erozioni, gjithashtu bimët kontribuojnë në rregullimin e peizazhit dhe të ekonomisë së njerëzimit.

Geshtenja Kalit

Drurët nga ana e tyre shpesh janë specie themeltare duke përcaktuar ose emërtuar një ekosistem të dhënë, duke rritur larminë biologjike të tij dhe duke luajtur një rol jetësor për shumë species ose organizma të tjera (Ellison et al., 2005) të cilat jetojnë në to.

Në aspektin ekonomik, kontributi i pyjeve dhe drurëve në burimet natyrore dhe ekonomike të Evropës është i pallogaritshëm sipas Camia et al., (2018) pyjet kontribuan me 1/3 e biomasës së Evropës në vitin 2013, kurse sektori pyjor në vetvete (pylltaria dhe prerjet, bashkë me produktet e drurit dhe të letrës) sigurojnë një xhiro prej 410 billion Euro në ekonominë e Evropës, duke punësuar rreth 2,589,288 njerëz në vitin 2015 (Ronzon & M’Barek, 2018).

Arneni ose Pinus peuce

-Cilat janë disa prej rezultateve më të rëndësishme të arritura gjatë vlerësimit të Drurëve të Evropës?

Botanistët e grupit të punës analizuan dhe vlerësuan rreth 454 specie ose lloje drunore natyrore të Evropës dhe arritën në përfundimin se 42 për qind e tyre  klasifikohen si specie të rrezikuara për zhdukje (VU, EN, CR) në nivel Evropian ose Global. Duke i konsideruar si të rrezikuara edhe rreth gjysmën e specieve të vlerësuara si DD (Data Deficient=mungesë të dhënash), përqindja e drurëve të rrezikuar në Evropë shkon në rreth 49.6% ose sa gjysma e specieve drunore natyrale që rriten në kontinentin e vjetër. 58% ose 265 specie drunore janë endemike  të kontinentit Evropian, kurse  56% (252 specie) janë endemike të 28-vendeve të Bashkimit Evropjan.

Specialistët konkluduan gjithashtu se Molusqet (Kërmijtë) e Ujërave të ëmbla përbëjnë grupin më të rrezikuar të gjallesave, për shkak se 59% e tyre janë në rrezik zhdukjeje. Në vend të dytë ndër grupet e gjallesave më të rrezikuara radhiten bimët barishtore, ku rreth 57% e tyre janë vlerësuar si të rrezikuara, drurët zënë vendin e tretë me 49.6%, kurse 40% e peshqve të ujërave të ëmbla janë vlerësuar gjithashtu të rrezikuara. Grupet e tjera të gjallesave kanë një shkallë rrezikimi më të vogël se 29%. Pavarësisht kësaj, të gjithë mediat e botës kanë dhënë alarmin mbi shkalla e lartë të rrezikimit të drurëve natyrorë në Europë dhe rrezikun që vjen prej tyre sepse ato përbëjnë bazën e jetës.

Solenante Shqiptare

Craig Hilton-Taylor, drejtori i listës së kuqe të bimëve në IUCN, theksoi në fjalimin e tij se: “Është alarmante që mbi gjysma e drurëve endemikë të Evropës janë të rrezikuar për zhdukje. Drurët janë të domosdoshëm për jetën në tokë, dhe drurët e Evropës me larminë e tyre janë ushqim dhe strehë e një numri të pallogaritshëm kafshësh… duke luajtur gjithashtu një rol kyç në ekonominë e kontinentit”.

-Profesor a janë përfshirë në vlerësimet e grupit të punës, drurët ose bimët e tjera të vendit tonë?

Për gjatë punës 5-vjeçare të grupit vlerësues u përfshinë edhe disa grupe bimore natyrore të vendit tonë si  monokotiledonet (ose bimët njëthelbore) dhe rreth 80% e specieve drunore dhe shkurrore të vendit tonë. Nga vlerësimi shkencor i statusit  të drurëve të vendit tonë rezulton se në listën e specieve të rrezikuara për zhdukje të botës ose Evropës përfshihen edhe 5-lloje drunore të cilat rriten në vendin tonë si: Gështenja e Kalit (Aesculus hippocastanum VU C2a(i)), Murrizi i Zi (Crataegus nigra EN A2ac; B1ab(i,ii,iii,iv,v)+2ab(i,ii,iii,iv,v)), Arneni (Pinus peuce VU B1ab(ii)B2ab(iii)), Rrapi (Platanus orientalis VU A3ce+4ce ) dhe Vidhi i Malit (Ulmus glabra VU A2be+3be+4be). Rreth 16-specie të tjera që rriten në vendin tonë nuk morën një status vlerësuses për shkak se ka mungesë të dhënash ose janë vlerësuar si DD (Data Deficient), ku shumicën e tyre e përbëjnë speciet e gjinisë Prunus (ose kumbullave të egra) me 5-specie.

Speciet ose llojet me mungesë të dhënash ose (DD) përfshijnë llojin endemik Zogël bishtlulore (Frangula pedunculata si dhe llojet: Murrizin pesbërthamësh, Bunga, Molla florentinë, Molla e egër, Ulliri i egër, Kumbulla frut qershingjashme, Kumbulla e egër, Kumbulla gjatore, Kumbulla zvarritëse, Bajame e egër, Vodhëz e Baldacit, Plep i zi, Ulmëti, Vidhi dhe Konopica.

-Po bimët barishtore, a janë ato të rrezikuara në vendin tonë?

Për sa i përket specieve barishtore, duke u bazuar në metodikën e IUCN, grupi i punës vlerësoi si të rrezikuara (VU, EN, CR) në nivel global, rreth 7-specie, ku specia me statusin më të rrezikuar ose të vlerësuara si CR (i rrezikuar në mënyrë kritike) është Tulipani Shqiptar (Tulipa albanica). 3-specie, Solenantë e Shqipërisë (Solenanthus albanicus), Pendëkaposh i Majerit (Stipa mayeri) dhe Tulipani i Maqedonisë (Fritillaria macedonica) janë vlerësuar EN (Endangered) të rrezikuara për zhdukje, kurse 3-specie të tjera si Xhërrokulli i Maqedonisë (Colchicum macedonicum), Bishtpelëza e Galicicës (Festuca galicicae) dhe Lule qumështi e Mbretëreshës Ollga (Galanthus reginae-olgae) janë vlerësuar të rrezikuara për zhdukje me statusin VU (Vulnerable).

Ajo që duhet theksuar është se për herë të parë në listën e kuqe të IUCN-së vendi ynë ka rreth 12-specie bimore të listuara si të rrezikuara për zhdukje.

-Përse ose nga se janë të rrezikuara drurët dhe bimët e Evropës dhe vendit tonë?

Një ndër detyrat kryesorë të grupit të ekspertëve vlerësues në Evropë ishte edhe përcaktimi i shkaqeve të rrezikimit të bimëve dhe drurëve bashkë me analizën e masave që duhen ndërmarrë për të shmangur ose minimizuar shkaqet e rrezikimit. Duke u mbështetur në analizën e rezultateve u arrit në konkluzionin se shkaqet kryesore të rrezikimit të bimëve janë:

  • speciet invazive ose speciet problematike, përfshirë sëmundjet dhe dëmtuesit të cilat përbëjnë rreth 38% të shkaqeve të rrezikimit.
  • shpyllëzimet, degradimi ose erozioni i tokës, prerjet dhe zhvillimi urban janë rreziqet e tjera të rëndësishme të cilat prekin rreth 20% të specieve bimore dhe drunore.
  • mbikullotja dhe abandonimi i tokës si dhe modifikimi ose tjetërsimi i ekosistemeve janë faktorët kryesorë të rrezikimit të tyre duke ndikuar në mbijetesën e drurëve dhe habitateve të tyre.
  • Tulipani Shqiptar

-Diçka mbi masat që duhen marrë për të frenuar ose minimizuar shkaqet e rrezikimit të bimëve?

Në raportin përfundimtar janë parashikuar 3-paketa masash të domosdoshme për t’u zbatuar në ruajtjen e bimëve dhe drurëve të Evropës dhe konkretisht masat përmblidhen në: –Veprim praktike në Terren, të cilat përfshijnë vlerësimin e ndikimit të ndryshimeve të menaxhimit të habitateve për të gjitha speciet drunore, në zbatimin efektiv të planeve të menaxhimit në zonat e mbrojtura dhe zgjerimin e zonave të mbrojtura në të cilat ndodhen specie e rrezikuara; – Ruajtjen ose konservimin ex situ (në kopshte e ruajtjes ose kopshtet botanike) ose të farave të bimëve në bankat Gjenetike dhe së treti në ndërmarrjen e Studimeve të hollësishme dhe Monitorimeve periodike duke u fokusuar në studimin e ndikimeve të ndryshimeve klimatike në pyje, peizazhin natyror dhe specie të veçanta, përfshirë fushën e shkallës së migrimit të specieve dhe lidhjes mes tyre si dhe studimeve të domosdoshme mbi përcaktimin e statusit të ruajtjes së specieve për të cilat ka mungesë të dhënash ose DD.

Raporti përfundon duke theksuar përgjegjësinë që ka Evropa që të mbrojë speciet unikale të saj, të cilat kontribuojnë kaq shumë në peizazhin, ekosistemet dhe ekonominë e saj. Një gjetje inkurajuese është se afërsisht 80% e specieve të rrezikuara ndodhen të paktën në një zonë të mbrojtur, përfshirë këtu edhe sitet e rrjetit Natura 2000.

Në rastin e vendit tonë, shkaku kryesor i rrezikimit të drurëve janë zjarret dhe prerjet e paligjshme dhe të pakontrolluara . Vetëm gjatë vitit 2017, në Shqipëri u dogjën rreth 42,168 ha pyje, kurse gjatë viteve 2007-2017 sipërfaqja totale e pyjeve të djegura ishte  323,073 ha.

Në Shqipëri ekziston një raport thellësisht i përmbysur për sa i përket rritjes natyrale të drurëve dhe prerjeve. Raporti i drurëve të prerë aktualisht është 2-3 herë më i madh se ai i rritjes së tyre si volum druri. Ky raport i përmbysur përbën një minë me sahat për sa i takon jo vetëm zhvillimit ekonomik, por edhe nxitjes së fenomeneve të tjera, siç janë: rritja e nivelit të erozionit dhe për pasojë edhe të përmbytjeve, zvogëlimi i rezervave ujore për shkak të “zhveshjes së tokës” nga mbulesa bimore dhe rritja e temperaturave, për pasojë edhe shpeshtisë së zjarreve.