7 Maji 2024

Pas 2 ditë kërkimesh polumbarët kanë mundur të gjejnë pasditen e së hënës edhe trupin e Greisit, fëmijës së dytë të familjes Arrazi, e cila së bashku me nënën, motrën më të madhe dhe vëllanë e vogël dyshohet se janë hedhur nga ura e Bunës në datën 2 Maj.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Brendshëm, Taulant Balla, pas një vizite në vendin ku dhe janë përqendruar kërkimet.

“Sa është gjetur edhe trupi i një prej dy fëmijëve të tjerë”, tha ai.

8-vjeçarja u gjet e pajetë në një zonë me bimësi rreth 100 metra larg nga ura e vjetër e Bunës. Kjo sipas ministrit të Brendshëm ka forcuar bindjen te grupi hetimor se edhe trupat e nënës dhe fëmijës së tretë gjenden në zonën afër urës së Bunës.

“Sipas asaj që policia ka rindërtuar si skenar i kësaj ngjarjeje tepër të rëndë dyshohet që edhe trupi i nënës dhe fëmijës tjetër të jetë po në këtë zonë”, tha Balla.

Pavarësisht kësaj kërkimet janë shtrirë në një zonë më të gjerë, deri në ujërat e malazeze.

Kërkimeve për gjetjen e trupave të dy fëmijëve dhe nënës së tyre, iu bashkuan dhe Forcat e Armatosura, të cilat i erdhën në ndihmë palombarëve të RENEA-s, ndërsa ndihmë po japin dhe njësitë e Policisë së Malit të Zi.

Peshkatari që gjeti trupin e Ergesës, vajzës së madhe të familjes Arrazi atë moment e kujton kështu.

“Isha punë 1 metër a 1 metër e pak ujë. M’u duk kukull a, për momentin u shokova”, tha ai.

Trupi i pajetë i 9-vjeçares u përcoll këtë të hënë për në banesën e fundit, nga familjarë të Erdgys Arrazit, babait të saj, që është vënë në pranga pasi dyshohet se shtyu drejt vetëvrasjes gruan dhe 3 fëmijët e tij. Të martën ai do të dalë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Para hetuesve ai i ka mëshuar idesë se bashkëshortja e tij ka pasur probleme psikologjike dhe kohët e fundit kishte nisur të trajtohej.

Ai ka pranuar megjithatë debatet në çift, Por ka mohuar dhunën. Mësohet se hetuesit kanë verifikuar edhe deklaratat e tij për vendin ku ndodhej në momentin kur dyshohet se ndodhi tragjedia. Hetuesit dyshojnë se ka qenë dhuna fizike dhe psikologjike që 39-vjeçarja ka përjetuar muajt e fundit, që dyshohet se u bë shkak që ajo bashkë me fëmijët e saj të hidheshin në lumin Buna duke i dhënë fund jetës.

Në urën e Bunës këtë të hënë, qytetarë të Shkodrës hodhën lule në nderim të jetëve të prera në tragjikisht në mes.

Tv Klan