1 Gusht 2026
Ish-kryebashkiaku socialist i Pukës, Gjon Gjonaj, ka reaguar kundër draftit të reformës së re administrativo-territoriale, që parashikon bashkimin e bashkive Pukë dhe Fushë-Arrëz në një njësi të vetme administrative.
Në një reagim publik, Gjonaj argumenton se bashkimi i dy bashkive nuk do të sjellë përmirësim të shërbimeve për qytetarët, por rrezikon të largojë administratën nga banorët, të dobësojë përfaqësimin lokal dhe të krijojë vështirësi të reja për komunitetet në zonat malore. Ai kërkon që procesi të mos zhvillohet pa konsultime të gjera publike dhe pa një analizë të plotë të pasojave ekonomike, sociale dhe administrative.
Statusi i plotë i Gjon Gjonajt:
Të nderuar qytetarë,
Sot po diskutojmë një reformë që prek drejtpërdrejt jetën e çdo banori të Pukës dhe Fushë-Arrëzit. Bëhet fjalë për propozimin për bashkimin e dy bashkive tona në një njësi të vetme administrative, një propozim i paraqitur në kuadër të reformës së re administrativo-territoriale.
Në pamje të parë, kjo nismë paraqitet si një përpjekje për të rritur efikasitetin e administratës dhe për të ulur kostot. Por pyetja që duhet të bëjmë është: A do të përmirësojë ajo jetën e qytetarëve apo do t’i largojë edhe më shumë shërbimet nga njerëzit?
Puka dhe Fushë-Arrëzi janë dy bashki që përballen prej vitesh me sfida të ngjashme: vështirësi ekonomike, migracion dhe emigracion, tkurrje të popullsisë dhe zhvendosje të institucioneve drejt qëndrave të qarkut. Bashkimi i dy bashkive me probleme të njëjta financiare nuk krijon automatikisht një bashki më të fortë ekonomikisht; përkundrazi, ekziston rreziku që të bashkohen vështirësitë financiare të trashëguara, mungesa e të ardhurave dhe pamundësia për të financuar zhvillimin dhe pritshmëritë e qytetarëve.
Një tjetër shqetësim madhor i cili duhet marrë në konsideratë është shtrirja territoriale. Bashkimi i dy bashkive do të krijonte një territor prej më shumë se 1,000 kilometra katrorësh, kryesisht malor dhe me infrastrukturë që në shumë zona mbetet problematike.
Çfarë do të thotë kjo për qytetarin e zakonshëm?
Do të thotë më shumë kilometra për të përshkuar për një dokument, një aplikim, një takim me administratën apo një shërbim publik. Do të thotë më shumë kosto për familjet dhe më pak akses për të moshuarit dhe banorët e fshatrave të largëta.
Po aq shqetësues është edhe rreziku i humbjes së përfaqësimit lokal. Fushë-Arrëzi si trevë ka historinë, traditën, nevojat dhe prioritetet e veta. Banorët kanë të drejtë të jenë të përfaqësuar dhe të dëgjohen në vendimmarrje. Në një strukturë më të madhe administrative ekziston rreziku që zëri i komuniteteve më të vogla të dobësohet dhe problemet e tyre të mbeten në periferi të interesit institucional.
Gjithashtu ekziston mundësia e centralizimit të investimeve si rezultat i territorit të gjerë. Shtrohet pyetja: Kush garanton se investimet do të shpërndahen në mënyrë të barabartë? Kush garanton se njësitë më të largëta nuk do të mbeten edhe më të izoluara? Kush garanton se fondet nuk do të përqendrohen vetëm në qendrën administrative, ndërsa fshatrat do të vazhdojnë të përballen me mungesë të shërbimeve bazë?
Po ashtu, një aspekt i cili nuk mund të anashkalohet është rreziku i ristrukturimit administrativ, i cili shpesh shoqërohet me reduktim të vendeve të punës, duke krijuar pasiguri për familjet që mbështeten tek këto të ardhura, si dhe rrezik për suprimim të drejtorive dhe shërbimeve.
Të nderuar qytetarë,
Ne nuk jemi kundër reformave. Ne jemi kundër reformave që nuk marrin parasysh realitetin e terrenit. Zona jonë është malore, me popullsi të shpërndarë dhe me vështirësi të theksuara ekonomike. Çdo vendim duhet të bazohet tek nevojat e banorëve dhe jo vetëm tek logjika administrative e reduktimit të numrit të bashkive.
Puka dhe Fushë-Arrëzi kanë nevojë për më shumë investime, më shumë mbështetje për biznesin lokal, për bujqësinë, turizmin malor, infrastrukturën dhe shërbimet publike. Qytetarët nuk kanë nevojë për një bashki më të madhe në hartë. Ata kanë nevojë për një shtet më pranë tyre.
Prandaj secili prej nesh duhet të kërkojë që ky proces të mos imponohet pa dëgjuar zërin e qytetarëve. Duhet të kërkojë konsultime të vërteta publike dhe një analizë të plotë të pasojave ekonomike, sociale dhe administrative që ky bashkim mund të sjellë për banorët e Pukës dhe Fushë-Arrëzit.
Llogaridhënia para qytetarëve duhet të fillojë sot nga kukulla e marrë peng e Bashkisë Pukë me pyetjen:
1- Çfarë hapash konkret ka ndërmarrë për refuzimin e draftit të reformës së re administrativo-territoriale?
2- Çfarë fsheh nën rrogost heshtja totale e tij, mungesa e transparencës dhe mospjesëmarrja në komisionin e reformës territoriale për t’u dëgjuar pavarësisht se është thirrur disa herë?
3- Cilat janë konsultimet dhe qëndrimet publike që ka bërë deri më sot për të informuar qytetarët si detyrim institucional dhe moral për rrezikun që i kanoset komunitetit?
4- Pse fshiheni pas heshtjes kur detyra juaj është llogaridhënia dhe mbrojtja e interesave të komunitetit?
Të dashur bashkëqytetarë të dy bashkive Pukë dhe Fushë-Arrëz, na lind detyra të mos heshtim, por të kërkojmë sot për të ardhmen e fëmijëve tanë nesër. Mos falni indiferencën e drejtuesve lokalë, por kërkoni të dëgjoheni dhe të jeni pjesë në vendimmarrje.
Faleminderit.