Dritan Goxhaj: Padrejtësi e organizuar! UÇK-ja nuk ishte grup kriminal, por përgjigjja e një populli që po shfarosej nga shteti serb

Dritan Goxhaj
16 Shtator 2026
Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj, nga protesta në Tiranë ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për dënimin e katër ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar këtë ditë si një moment të zi për luftën e shqiptarëve për liri.
Në një deklaratë në emër të grupit koordinues të protestës, Goxhaj tha se vendimi nuk përfaqëson, drejtësinë, por një padrejtësi të organizuar.
Goxhaj akuzoi gjykatën se vendimi është bazuar në dëshmi të rreme dhe të manipuluara, si dhe në procedura që ai i cilësoi të panjohura.
“Po flasim për një vendim të bazuar në dëshmi të rreme, mbi procedura të panjohura dhe mbi një axhendë politike që nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën. Ne jemi të qartë, kjo nuk është drejtësi, është teatër. Një gjykatë politike që bazohet mbi dëshmi të rreme, të paprovuara, të manipuluara, që nuk ka juri, nuk ka transparencë, nuk ka kontroll. Një gjykatë politike që dënon njerëz që kanë luftuar për lirinë e popullit të tyre”, tha ai.
Goxhaj mbrojti rolin e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë, duke deklaruar se ajo nuk ishte një grup kriminal, ushtri e huaj apo një lëvizje terroriste, por UÇK-ja ishte përgjigjja e një populli që po shfarosej kundër shtetit serb.
Dritan Goxhaj: Sot dua të lexoj një deklaratë në emër të grupit koordinues. Sot, një ditë e zezë për luftën e popullit për liri. Sot, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dhanë dënime të rënda për katër ish-pjesëtarët e UÇK-së.
Sot, ne nuk po flasim për drejtësi, po flasim për padrejtësi, për një gjykatë që nuk ka asgjë të përbashkët me asnjë gjykatë tjetër në botë. Po flasim për një vendim të bazuar në dëshmi të rreme, mbi procedura të panjohura dhe mbi një axhendë politike që nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën.
Ne jemi të qartë, kjo nuk është drejtësi, është teatër. Një gjykatë politike që bazohet mbi dëshmi të rreme, të paprovuara, të manipuluara, që nuk ka juri, nuk ka transparencë, nuk ka kontroll. Një gjykatë politike që dënon njerëz që kanë luftuar për lirinë e popullit të tyre.
Kjo nuk është drejtësi, kjo është padrejtësi e organizuar. Kjo padrejtësi po vjen nga Evropa, e ngritur mbi parimet e të drejtave të njeriut, drejtësisë dhe lirisë. Evropa për të cilën kemi ëndërruar dhe shtrirë dorën për ndihmë, bashkëpunim dhe integrim. Vjen nga Evropa, nga ana që pretendojnë se janë miq tanë.
Kjo padrejtësi po ndodh nga ajo Evropë që në vitin 1913 vendosi të na copëtojë Shqipërinë, Kosovën ia dha Serbisë pa pyetur shqiptarët, pa pyetur askënd, vetëm për të bërë paqe në Ballkan. Stabiliteti nuk mund të përdoret më si pretekst duke sakrifikuar të drejtën e shqiptarëve për të vetëvendosur dhe për të jetuar të lirë.
UÇK-ja nuk ishte një grup kriminal, nuk ishte një ushtri e huaj, nuk ishte një lëvizje terroriste. UÇK-ja ishte përgjigjja e një populli që po shfarosej kundër shtetit serb, që vriste në rrugë, digjte shtëpi, përdhunonte gra, dëbonte fëmijë dhe thoshte: “Kosova është Serbi”.
