Imzot Jerothe Andon Jaho (20 janar 1956)

Më 20 janar 1956 vdiq në Mal të Shenjtë (në ekzil) ish-Mitropoliti i Korçës, Imzot Jerothe Andon Jaho, një nga themelvënësit e kishës sonë kombëtare. Ishte nga Çarshova e Përmetit, i lindur në vitin 1880.

Edhe pse qëllimisht i harruar nga kryesia e sotme e KOASh-it, madje i keqkuptuar në historinë shqiptare, për ne Hirësi Jerotheu është një figurë emblematike e Ortodoksisë Shqiptare. Është heroi i heshtur i autoqefalisë dhe një nga viktimat e mëdha në historinë e komunitetit tonë.

Imzot Jerotheo Andon Jaho

Ndihmesa e Imzot Jerotheut ishte e çmuar në disa drejtime, si pararendës dhe përgatitës i udhës për një Kishë Kombëtare:

  1. Krijimi i bërthamës së parë sinodike me tre peshkopë në Shqipëri, në dhjetor 1923, njohu dhe përligji Kongresin e Beratit, i cili kishte shpallur autoqefalinë një vit më parë. I pari dhe vendimtari në këtë treshe ishte Imzot Jerotheu.
  2. Shugurimi i Imzot Fan Nolit prej Imzot Jereotheut në Mitropolit atë ditë, i dha shtysë përdorimit të gjuhës shqipe në Kishë, duke imponuar përkthimet e tij liturgjike, kundër pretekstit të mëparshëm se statusi kishtar i Përkthyesit ishte i pikëpyetur.
  3. Shugurimi i Imzot Nolit garantoi më vonë riorganizimin dhe fuqizimin e diasporës shqiptare ortodokse në Amerikë, duke shmangur pengesën e besueshmërisë mbi dorëzimin kanonik të Peshkopit.

* * *

Mbas shfronëzimit (shtetëtor) në Korçë, dhe largimit nga Shqipëria, Hirësi Jerotheu vuajti dhe pësoi, i përjashtuar nga shërbesa aktive në Kishë.

Përfshirja e Imzot Jerotheut në lëvizjen shqiptare për autoqefali u ndëshkua përjetësisht nga shteti grek, prandaj dhe Fanari i refuzoi kthimin në strukturat patriarkale.

Mbas një pritjeje pezull, në vitin 1930 ai u vendos në krahinën autonome murgjërore të Athosit në Greqi, ku qëndroi për një çerek shekulli, deri në fund të jetës.

Ky ishte çmimi i vetëflijimit për Kishën dhe Atdheun.

Nëse ai do të ishte tërhequr në ndonjë manastir shqiptar, mbas ngjarjeve të autoqefalisë së njëanshme të vitit 1929, me siguri që do të ishte përdorur disi nga shteti shqiptar më vonë, siç ndodhi me Imzot Kristofor Kisin atëbotë, i cili ky u tërhoq në mënyrë strategjike në manastir, në marrëveshje me shtetin.

Sidoqoftë, duke qenë më i madh në moshë dhe më me përvojë se Imzot Kristofori, Hirësia i Korçës zgjodhi të largohej, gjë që i shpëtoi jetën: Me sfondin dhe rëndesën e figurës së vet, ai do të ishte i pari që do të përndiqej nga regjimi komunist, siç ndodhi me hierarkët, Visarion Xhuvani, Kristofor Kisi dhe Irine Banushi.

Providenca e solli në këtë mënyrë, për të plotësuar imazhin e një kishe martire: ndërsa tre hierarkët e sipërpërmendur mbetën në Atdhe për t’u përndjekur, së bashku me klerikë e besimtarë të tjerë, Hirësi Jerotheu vuajti martirizimin e ndërgjegjjes në mërgim.

* * *
Dëshmitë nga Mali i Shenjtë për Mitropolitin e Militopojës, Imzot Jerotheun, vijnë nga njerëz me kredibilitet të lartë moral dhe spiritual ato vite, të cilët zbulojnë një aspekt të panjohur të personalitetit të tij: E lëvdojnë në sipërore për thjeshtësinë, skamjen e vullnetshme, përdëllimin, asketizmin dhe paepshmërinë e tij gjatë shërbesave.

Kemi dëshmi se deri në fund të jetës Imzot Jerotheu kishte shpresa të kthehej në Atdhe.

Imzot Fan Noli e respektonte dhe përpiqej të mbante lidhje me të, megjithë vështirësitë e distancës së shumëfishtë, siç dëshmohet edhe në një letër të Imzot Jerotheut.

Korçë 1923
Imzot Theofan Noli majtas
Imzot Jerotheo Andon Jaho qendër
Imzot Kristofor Kisi djathtas

Është e dhimbshme të lexosh dëshmitë e atyre që e kanë njohur nga afër, kur e qesëndisnin ish-Mitropolitin e Korçës, duke aluduar me ngjarjet e kryqëzimit të Krishtit:

“Tundnin kokën, duke thënë, ‘Të tjerët i shpëtoi, por veten e tij nuk mundi ta shpëtojë’” (Nekrologjia prej Plakut Gavril Dionisiatis).

Roli i tij për të ndihmuar Atdheun shihej jo vetëm si tradhti ndaj Kishës Mëmë, por dhe si dështim personal.

I njëjti autor i nekrologjisë shkruan:

“I lumuri ishte një mishërim i shenjtërisë. E kishte urryer plotësisht paranë, aq se kur i jepnin diçka për një shërbesë kryepriftërore, menjëherë ua jepte të varfërve. Në zinë e urisë të vitit 1941, ai rrinte pa gjumë për të ushqyer të tjerët. Para një viti nuk kishte asgjë për të ofruar më, prandaj dhe dha të vetmin send që i kishte mbetur: rason e vetme! I ndiqte shërbesat vazhdimisht dhe rreptësisht, duke qëndruar në fron në shërbesat e natës si një lis i lartë, për 15 dhe 18 orë. […] I lumuri ishte një shembull i përdëllimit dhe i lëmoshës. Jetonte në skamje, si murg i vërtetë. […] E nderoi Kishën. Ishte një shërues i përkushtuar tek Zoti”.

I përjetshëm kujtimi i tij!