IKMT i prishi bazamentin, ja monumenti i Skënderbeut që do vendosej në Lezhë.

 2 mars 2019.

Busti i Heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skenderbeu, që shihet në foto është ai që Bashkia Lezhë kishte planifikuar për ta vendosur ditën e sotme.

Ky veprim nuk u lejua nga Ministria e Kulturës, e cila në reagimin e saj tha se Bashkia kishte dorëzuar dokumentacionin përkatës me mangësi.

Busti në foto ishte parashikuar të vendosej ditën e sotme, por pas fillimit të vendosjes së bazamentit, ka ndërhyrë IKMT duke e prishur me urdhër të Ministrisë së Kulturës.

Bashkia Lezhë reagoi menjëherë pas këtij veprimi të cilin e quajti këtë veprim të papranueshëm.

Më pas Ministria reagoi duke thënë se vendosja e shtatores të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut në sheshin “Gjergj Fishta”, Lezhë, parashikohet të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Kombëtar të Restaurimit dhe Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.