IGJEUM: “Do ketë vërshime uji dhe vetëtima, por…” Çfarë pritet të ndodhë 5 ditët e ardhshme në Shqipëri, a ka lidhje me situatën e rëndë në Europë

16 korrik 2021

Instituti i Gjeoshkencave Energjisë Ujit dhe Mjedisit paralajmëron se në pesë ditët në vijim parashikohet mot me reshje lokale, që mund të jenë me vërshime uji të shkurtra dhe shkarkesa elektrike kryesisht në zonat malore.

Pavarësisht motit katastrofik që ka pushtuar një pjesë të Europës, IGJEUM thekson se situata që pritet në vendin tonë është normale për tipin e reshjeve me shtrëngata në stinën e nxehtë.

“Duke vlerësuar situatën e ndodhur në Evropën Juglindore dhe informacionet e mara mbi ndikimin që mund të kenë kushtet e motit edhe në vendet e tjera pranë, Instituti i Gjeoshkencave Energjisë Ujit dhe Mjedisit njofton se gjatë 5 ditëve të ardhshme në Shqipëri parashikohet një mot me reshje lokale që mund të jenë me vërshime uji të shkurtra dhe shkarkesa elektrike kryesisht në zonat malore.

Theksojmë se situata që pritet në vendin tonë është normale për tipin e reshjeve me shtrëngata në stinën e nxehtë dhe nuk ka ngjashmëri me situatën katastrofike e cila kaloi në vendet e Europës.

Për menaxhimin sa më të mirë të çdo situate të mundshme emergjente që mund të vijë si pasojë e kushteve jo te favorshme të motit, Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të bashkërendojë dhe koordinojë të gjitha fazat për përballimin e emergjencave civile.

Janë aktivizuar në gjendjen e gatishmërisë të gjitha strukturat dhe kapacitetet e emergjencave civile, në nivel qendror dhe vendor për zbatimin e planeve në rastet e përmbytjeve.

Kujtojmë edhe njëherë që në vendin tonë kushtet e motit të parashikuara gjatë javës nuk do të kenë pasoja negative të përmasave madhore”, njofton Ministria e Mbrojtjes.

Nga Greqia, parashikimet janë më pesimiste. Sipas sinoptikanëve grekë, nga dita e nesërme e shtunë dhe kryesisht nga e diela rënia e temperaturës do të ndihet në pjesën më të madhe të zonave në Shqipëri dhe Greqi ndërsa do të ketë shtrëngata të vazhdueshme.

Gazeta Dita