Grekët marrin 44 milionë euro, reagon PD për gjobën e Arbitrazhit: Rama favorizoi mikun e tij

6 SHTATOR 2020

Partia Demokratike, nëpërmjet Gent Strazimirit, shprehet se “44 milionë euro është fatura e re që do të paguajnë shqiptarët për Edmond Begon, mikun e Edi Ramës”.

“Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar ka dënuar shtetin shqiptar pas padisë së kompanisë greke Aktor, e cila kishte fituar tenderin për të kryer punimet në rrugën Tiranë-Elbasan. Kompania greke ishte kontraktuar nga qeveria shqiptare për të bërë punimet shtesë, por Edi Rama në mënyrë që të favorizonte kompaninë e mikut të tij dhe të Taulant Ballës, “Inerte Ekspress” të Begos, vuri gjoba, bëri presion dhe tentoi që të largonte kompaninë greke Aktor, e cila mbasi mori nënkontraktorët e imponuar nga qeveria, u largua pa marrë asnjë pagesë. Për këtë arsye Aktor iu drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar duke paditur qeverinë shqiptare. Më 1 shtator 2020, pra vetëm 5 ditë më parë, Arbitrazhi shpalli vendimin që i jep të drejtë kompanisë greke dhe dënon Shqipërinë ta dëmshpërblejë atë me plot 44 milionë euro”, tha Strazimiri.

Pra, qeveria shqiptare, për të favorizuar kompaninë e Edmond Begos me shokë, ngarkon në këtë mënyrë buxhetin e shtetit shqiptar i cili sigurohet me taksat e qytetarëve shqiptarë. Edi Rama në 2013 mori një rrugë të përfunduar dhe shpenzoi 138 milionë euro kosto shtesë. Nga 312 milion euro e parashikuar ne fillim, kostoja e rruges perfundoi në 450 milion euro. Pa asnjë bilanc në punë publike, pa asnjë rrugë të shtruar, ne 8 vjet edhe ato investime publike që gjetën të gatshme ose i dhanë me koncesion ose i përdorën për ti vjedhur”, shtoi Strazimiri.

Gazeta Shqip