Grafiku: – Po shtrenjtohet gjithçka dhe do vijojë! Në krye janë ushqimet, sa po na kushton jetesa, krahasuar me një vit më parë

Shkurt 2022

GRAFIKU: Po shtrenjtohet gjithçka dhe do vijojë! Në krye janë ushqimet, sa po na kushton jetesa, krahasuar me një vit më parë

Rritja e çmimeve në vend nuk duket se ka të ndalur. Nga fillimi i shkurtit, çmimet e karburanteve u rritën sërish edhe me 8 lekë për litër, duke arritur nivele rekord, teksa po i afrohen 200 lekëve për litër.

Kjo rritje ka sjelle efekte zinzhir. Në muajt e fundit të vitit 2021 dhe fillim të 2022, familjet shqiptare pothuajse çdo produkt po e blejnë më shtrenjtë. Në dhjetor, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte bazë mallrash, arriti në nivelin më të lartë të dekadës prej 3.7%.

Grafiku tregon se shtrenjtimi i çmimeve për pjesën më të madhe të produkteve në dhjetor 2021 ishte shumë më i lartë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.

Buka dhe drithërat kushtojnë 6.3% më shtrenjtë, mishi kushton 3.3% më shtrenjtë, frutat i blejmë 11.3% më shumë, zarzavatet dhe patatet janë 11.7% më të shtrenjta. 3.8% më të shtrenjta janë edhe qumështi, djathi dhe veza.

Edhe në kafe e restorante paguajmë 3.5% më shumë.

Shtrenjtim të ndjeshëm kanë shënuar “Shërbime ndaj mjeteve personale të transportit” (+13.6%), “Transporti” (+9%), “Vajra dhe yndyra” (+9.4%), “Sheqer, reçel, mjaltë, shurup, çokollata, dhe ëmbëlsira” (+5.6%).

Më shumë duhet të paguash edhe për komunikimin (+3.3%). Edhe për argëtim e kulturë duhet të paguajmë 4.2% më shumë.

Nga 63 grupe dhe nëngrupe që raporton INSTAT, 57 janë bërë më të shtrenjta.

Sipas Bankës së Shqipërisë, gati gjysma e inflacionit ndikohet nga çmimet e importuara, ndaj një rritje e tyre në Eurozonë, ku bëjnë pjesë partnerët kryesorë të vendit vijon ta ndikojë negativisht edhe Shqipërinë.

Edhe faktorë të brendshëm pritet të vijojnë të ndikojnë negativisht, si rritja e kostove të prodhimeve bujqësore nga ngricat dhe ndryshimet fiskale.

Në peshën e shpenzimeve, ushqimet dhe pijet në Shqipëri zënë rreth 42% të totalit, më e larta në Europë, që e ka mesataren rreth 13%), ndaj shtrenjtimi i ushqimeve ndihet fort në buxhetet familjare.

Rritje të re do sjelli edhe vendimi për rritjen e çmimit të energjisë për rreth 7400 biznese që ka filluar në janar. Këto subjekte do e blejnë energjinë pothuajse dyfish, çka do transmetohet te kosto e produkteve të tyre për konsumatorin final.

Shiko këtu GRAFIKUN

Gazeta Dita