9 Janar 2023

“nëse nuk do kishte qenë media, ky emër do të ngelte me iniciale”.

Fatjon Softa, ish-drejtues i lartë në policinë e Shtetit, i ftuar këtë mesditë në rubrikën “Opinion” në News24 me gazetaren Ola Bruko, foli lidhur me supergrabitjen e kryer nga nënë e bir, Rozeta dhe Havier Dobi, në banesën e Alda Klosit, ish-shefe e kabinetit të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.

Ai tha se kjo është një çështje komplekse pasi nuk kemi të bëjmë vetëm me një vjedhje, por me përfshirjen e personave që kanë punuar në poste të larta dhe që duhet të justifikojnë burimin e parave të cilat janë grabitur, pasi bëhet fjalë për një shifër të majme.

Ai tha se çështja duhet t’i kalojë për hetim SPAK për të zbuluar origjinën e para të zonjës Klosi dhe përse ato nuk ishin të deklaruara.

“E shoh si një prind dhe e mirëkuptoj sepse fëmija e tij është më i miri në botë, por çështja është komplekse dhe kërkon një analizë.

Vjedhja e banesave është kthyer në një makth për qytetarët, e ndërsa kjo nuk është një vjedhje e zakonshme. Kur flitet edhe një zyrtare të lartë që duhet të deklarojë të ardhurat, kërkon që çështja të merret me SPAK.

Po t’i dëgjojmë të gjithë palët, asnjëri nuk është me faj… ato para u mblodhën për një të sëmurë, këtu fajin e ka gruaja… por ka një hetim dhe duhet një hetim specifik dhe të sqarohet nëse ka zyrtarë të tjerë në këtë çështje.

Nëse ajo ka punuar në të zezë tek zyrtarja, kjo përbën një tjetër shkelje penale për punëdhënësen. Hetimi duhet të merret nga SPAK se kemi të bëjmë me një zyrtare që ka punuar në kryeministri. Ngjarja duhet të zbardhet sepse ka nisur një zhurmë e madhe publike, dhe kur ka zhurma zbardhen.

Uroj që zonja Dobi të bashkëpunojë me drejtësinë që të lehtësojë edhe vetë gjendjen e saj. Të tregojë vendet që ka marrë para, aktiviteti që ka parë në këto familje, sepse fakti që dinte kasafortën, ka pasur edhe informacione të tjera.

Pastaj është organi që kërkon hetim sepse janë të përfshirë persona dhe se deri sa kanë bërë një denoncim janë persona publik, dhe nëse nuk do kishte qenë media, ky emër do të ngelte me iniciale”, shprehet ai.

Ballkanweb