Gjyzepina Kosturi

12 Maji 2026
Më 12 maj 1912 lindi Gjyzepina Kosturi (1912-1985), soprano dramatike dhe një nga figurat më të rëndësishme të muzikës operistike shqiptare.
U lind në Tivar, në një familje të vjetër shkodrane, bija e Gjokë Mislocës dhe Paolina Kodhelit (Marubi), ndërsa ishte edhe mbesa e fotografit të famshëm shqiptar Kel Marubi. E shkolluar në konservatorin “Santa Cecilia” të Romë, ajo solli në Shqipëri frymën autentike të operës lirike europiane.
Gjyzepina Kosturi ishte një artiste me hijeshi të rrallë, kulturë të lartë artistike dhe një zë të veçantë vokal, që mahniste publikun me emocionin dhe interpretimin e saj. Fillimisht u angazhua në Radio Tirana si këngëtare, ndërsa më vonë, me krijimin e Filarmonisë në vitin 1951, u bë pjesë e jetës operistike shqiptare.

Gjyzepina Kosturi

Ajo interpretoi role të rëndësishme në operat “Rusalka”, “Ivan Susanin” dhe “Cavalleria Rusticana”, duke dëshmuar një talent të jashtëzakonshëm skenik dhe vokal. Për Gjyzepinën, figura skenike dhe ajo vokale ishin një e vetme, ndaj interpretimet e saj mbetën të paharruara për publikun dhe artistët e rinj që u frymëzuan prej saj.
Edhe pse nuk e pati të lehtë rrugën artistike në kohën e regjimit komunist, ajo ruajti dinjitetin, elegancën dhe artin e saj deri në fund të jetës. Zëri i saj mbeti i freskët dhe potent edhe në moshë të thyer, duke emocionuar publikun deri në koncertet e fundit.

Gjyzepina Kosturi

Gjyzepina Kosturi

Gjyzepina Kosturi u nda nga jeta më 25 janar 1985 në Tiranë, por mbetet një nga emrat më të ndritur të muzikës sonë operistike.
E kujtojmë sot me nderim, respekt dhe mirënjohje për artin dhe trashëgiminë që la pas