4 Maji 2025

Po të mos ishte për alfabetin fenikas, ndoshta nuk do ta lexoje këtë tani, por ADN-ja e këtyre njerëzve të zhdukur nga Levanti nuk arriti të përhapej aq larg sa ndikimi i tyre kulturor dhe gjuhësor.

Fenikasit u shfaqën aty ku sot ndodhet Libani rreth 3000 vjet më parë dhe ishin pasardhës të kanaanitëve (të përmendur në Bibël). Ari, argjendi, bakri dhe kallaji shkëmbeheshin ndërsa ata udhëtonin përgjatë rrugëve tregtare në Mesdhe dhe themelonin qindra koloni.

Deri më sot, besohej se ishin gjenetikisht të lidhur me popullin punik, që lindi nga vendbanimet fenikase përgjatë rajoneve bregdetare të Europës Jugore. Kjo do të thoshte se populli punik kishte prejardhje nga Lindja e Mesme.

Këtë prisnin të gjenin edhe gjenetisti Harald Ringbauer dhe ekipi i tij kur analizuan ADN antike nga kockat e rreth 210 individëve të zbuluar në vende të ndryshme të Lindjes së Mesme, Afrikës së Veriut dhe Europës. Megjithatë, shumica e gjeneve punike nuk treguan aspak prejardhje nga Lindja e Mesme, përkundrazi, ishin më afër me përbërjen gjenetike të grekëve dhe sicilianëve të lashtë. Këto genome ishin gjithashtu shumë të larmishme dhe nuk pasqyronin gjithmonë gjenet e popullatave vendase përreth.

Madje edhe vetë emri “fenikas” vjen nga fjala greke e lashtë phoinix, ndoshta një referencë për bojën ngjyrë vjollce, që ishte një luks në kohët e lashta. Fenikasit e quanin veten “kena’ani”.

“Populli punik e merrte pjesën më të madhe të prejardhjes së tij nga një profil gjenetik i ngjashëm me atë të Sicilisë dhe Egjeut,” thonë studiuesit në një artikull të publikuar së fundmi në revistën Nature. “Pjesa tjetër e prejardhjes vinte nga Afrika e Veriut, duke reflektuar ndikimin gjithnjë e më të madh të Kartagjenës.”

Kartagjena, rrënojat e së cilës ende qëndrojnë në Tunizi, u ngrit si një perandori tregtare rreth vitit 500 para Krishtit. Çdo ADN nga Afrika e Veriut në individë punikë që jetonin në Europë mund të shpjegohet me migrimet kartagjenase përmes rrugëve tregtare, por në kampionët e marrë nga vendet europiane, madje edhe nga vetë Kartagjena, nuk u gjet shumë ADN e tillë. Individët nga rajone të ndryshme rezultuan me përbërje gjenetike shumë të ndryshme, me variacione të ngjashme të hasura në Siçili, Afrikën e Veriut, Sardenjë dhe Iberi. Ringbauer mendon se popullsitë punike në vende kaq të largëta mund të jenë të lidhura gjenetikisht vetëm për shkak të prejardhjes së përbashkët.

Disa individë rezultuan të jenë të afërm pavarësisht se kishin vdekur në kontinente të ndryshme, për shembull, një person në Siçili kishte një kushëri të dytë të varrosur në Afrikën e Veriut. Para tregtarëve punikë që lundronin, kishte një dallim shumë më të madh gjenetik mes popujve të Siçilisë dhe Afrikës së Veriut, por udhëtimi me anije përmes Mesdheut dhe ndalimi në pika të ndryshme bëri të mundur që njerëzit me profile të ngjashme gjenetike të përhapeshin në rajone të largëta.

Kur studiuesit analizuan një varr në distriktin bregdetar të Villaricos, Cuevas de Almanzora në Spanjë, ai u bë një dritare në kulturën punike. ADN-ja e nxjerrë nga një varr tregonte historinë e një familjeje me prejardhje nga Siçilia dhe Egjeu. Të varrosurit ishin shoqëruar me vezë struci të pikturuara, simbol i ringjalljes dhe jetës së përjetshme. Po ashtu, u gjet një pllakë fildishi që dukej se ishte gdhendur në stilin jonian, më i lidhur me Greqinë, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se mjeshtri punik kishte adoptuar kulturën greke. Fenikasit ishin mjeshtër të fildishit.

Ringbauer dhe ekipi i tij kanë një shpjegim hipotetik përse kultura fenikase u përhap pa e ndjekur ADN-ja e saj. Vendbanimet fenikase mund të jenë themeluar nga njerëz të Levantit, por me kalimin e kohës, ka pasur një prurje të vazhdueshme të migrantëve grekë dhe sicilianë. Breza më vonë, gjurmët gjenetike të themeluesve të parë do të ishin zhdukur, edhe pse kultura mbeti gjallë. ADN-ja e individëve të studiuar tashmë është degraduar për mijëra vjet. Para vitit 600 para Krishtit, punikët digjnin të vdekurit, kështu që informacioni gjenetik nga ajo periudhë është humbur përgjithmonë.

Ndoshta gjenetika e fenikasve nuk mbijetoi në Europë, por ndikimi i tyre mbi alfabetet greke dhe latine po, dhe elemente nga këto dy gjuhë janë përfshirë më pas edhe në anglisht. Sikur ta dinin që trashëgimia e tyre më e madhe nuk do të ishte gjenetike.