10 Korrik 2023

Largimet nga Kisha Katolike në Gjermani kanë arritur një nivel rekord. Në vitin 2021, ia kthyen shpinën Kishës rreth 359 mijë veta, që ishte një rekord për atë kohë. Rreth 21 milionë veta janë në Gjermani ende pjesëtarë të Kishës Katolike.

Veçanërisht pas prezantimit të një ekspertize për abuzimet në Kryedioqezën e Munihut dhe Freisingut dhe diskutimit për bashkëfajësinë e Papa Benediktit XVI, i cili ndërroi jetë, numri i largimeve është rritur ndjeshëm.

Presidenti i Konferencës së Ipeshkvisë Gjermane, ipeshkvi Georg Bätzing, e quajti alarmant numrin e largimeve. Megjithatë, ai bëri thirrje që njerëzit të mos dekurajohen. Për të është e rëndësishme të zbatohen vendimet e marra në kuadër të rrugës sinodalale për reformën e kishës Bätzing.

Presidentja e Komitetit qendror të katolikëve gjermanë, Irme Stetter-Karp, ka thënë se se ishte e pikëlluar, por edhe jo e befasuar. Besimi te kisha ka humbur, veçanërisht për shkak të skandalit të abuzimeve. Megjithatë, kisha nuk tregon vendosmëri të mjaftueshme për të zbatuar vizionet për të ardhmen e jetës së krishterë në kishë, kritikoi më tej Stetter-Karp.

Pjesëtarët e regjistruar të kishës në Gjermani paguajnë një “taksë kishe” – midis 8 për qind dhe 9 për qind të të ardhurave të një individi – që shkon drejtpërdrejt në kishën e tyre, qoftë ajo katolike apo protestante, mbi milionat e paguara nga shteti me paratë e taksapaguesve.

Humbja e pjesëtarëve që paguajnë do të thotë gjithashtu një humbje fondesh për kishën, fonde që përdoren për të mbajtur komunitetet edhe në rajonet më rurale të vendit.

“Kisha Katolike po vdes me një vdekje të dhimbshme para syve të publikut”, ka thënë për agjencinë gjermane të lajmeve DPA, Thomas Schüller, një ekspert në të drejtën kanonike katolike në Universitetin e Munsterit dhe vëzhgues i ngushtë i Kishës Katolike Gjermane.

Kisha Protestante gjithashtu humbi më shumë pjesëtarë më 2022 sesa një vit më parë. Sipas të dhënave të EKD, numri i tyre ra me 2.9 për qind në 19.15 milionë persona. Në vitin 2021, rënia ishte 2.6 për qind. Janë mbi të gjitha largimet nga kisha që janë rritur dukshëm. Vitin e kaluar ato arritën në 380 mijë veta. / DW