“Protestë madhështore dhe civile”, ish-ambasadori Tarifa: – I kujton lidershipit se populli të zgjedh, mjaft me…

3 Qershor 2026
Ish-ambasadori dhe diplomati Fatos Tarifa, i ftuar në një studio televizive ka komentuar protestën e radhës që u zhvillua sot në kryeqytet. Tarifa e cilësoi këtë tubim si një protestë tërësisht qytetare, legjitime dhe të vonuar, duke vënë në dukje kulturën e lartë të treguar nga pjesëmarrësit.
Sipas diplomatit, kjo lëvizje vjen si një reagim ndaj mënyrës se si po qeveris kryeministri, duke kritikuar hapur atë që ai e quajti “arrogancë” të pushtetit që zgjat prej vitesh.
Tarifa u shpreh se ndryshe nga tubimet e dhunshme me të cilat vendi është përballur në historinë e vet 35-vjeçare, kjo e sotmja tregoi një standard të ri qytetarie. Ai vlerësoi veçanërisht gjestin e pastrimit të bulevardit nga vetë protestuesit në përfundim të tubimit.
“Nuk ka emër tjetër veçse një protestë qytetare, një protestë e vonuar sepse kushtet për të protestuar ndaj mënyrës se si po qeveris kryeministri i sotëm nuk janë të reja… Për herë të parë e shohim këtë. Kemi parë iniciativa vullnetare të pastruar plazhet para se të fillojë sezoni, por mbas një proteste ne jemi mësuar me protesta të dhunshme dhe bulevardi ishte një fushë betejë deri pak kohë më parë. Tani shohim një vetëorganizim… Unë them është një gjë e rëndësishme edhe madhështore,” deklaroi Tarifa.
Ish-ambasadori nuk i kurseu kritikat ndaj reagimeve të kreut të qeverisë ndaj qytetarëve që mbushën bulevardin, duke i cilësuar ato si të papërgjegjshme dhe arrogante.
“Ka kohë që në krye të qeverisë ky kryeministër është sjellë në një mënyrë të tillë me një arrogancë të cilën unë e kam vënë në dukje vite më parë… dhe që duket përsëri në reagimet që bën këto ditë ndaj protestuesve duke i konsideruar ata njerëz pavlerë që i sillen bulevardit, që s’dinë ç’bëjnë, që s’kanë kërkesa e nuk dinë vërtetë ç’kërkojnë,” u shpreh profesor Tarifa.
Diplomati vuri në dukje edhe atmosferën dhe përbërjen e tubimit qytetar, duke e cilësuar si një organizim shumëngjyrësh ku dominonte prania e grave, vajzave dhe fëmijëve.
“Ajo që më bëri përshtypje tani që shikoja, ishte një protestë shumëngjyrëshe. Binte në sy ngjyra e bardhë, rozë, e kaltër. Pra kishte shumë prani femërore në këtë protestë, ndryshe nga të tjerat, edhe fëmijë padyshim deri në orët e vona me prindërit e tyre,” tha ai.
Në mbyllje të analizës së tij, Fatos Tarifa theksoi se ky tubim shërben si një leksion i fortë për klasën politike në vend se kush e mban vërtet sovranitetin.
“Është një protestë e rëndësishme sepse i kujton lidershipit tonë që është populli ai që të zgjedh, është populli ai që të thotë se çfarë do të bësh ti me këtë popull. Jo si të duash ti, por si të dojë populli. Prandaj themi qeveria është e popullit, për popullin edhe nga populli,” përfundoi Tarifa..
