Gani Çekrezi, artisti që skalit Shqipërinë në gurët e lumenjve

Artistët dinë gjithmonë si të diferencohen kur guxojnë dhe vënë në punë kreativitetin e tyre. Gani Çekrezi është një ndër ata artistë që ka sjellë diçka ndryshe për tregun shqiptar, që me artin e tij i ka dhënë jetë gurit e drurit. Në një rrëfim për “Shekulli”-n, skulptori tregon si e ka nisur këtë punë, që i jep gjithçkaje nga vetja, por në të njëjtën kohë ka arritur edhe të fitojë diçka në këmbim prej saj.

Lorena Resulaj

Gani Çekrezi është një skulptor rreth të 30-ave, por nuk është si artistët e zakonshëm të këtij arti pamor, sepse talentin e tij e ka përdorur për të sjellë diçka ndryshe. Prej vitesh ai merret me punimin e gurit, drurit e metalit për t’ju dhënë frymë veprave të tij të veçanta. Ganiu identifikohet më së shumti për pikturimin e gurit, një teknikë që nuk është shumë e përdorur në vend dhe prandaj ka arritur të diferencohet në treg.

Në një rrëfim për “Shekulli”-n ai tregon se që i vogël e tërhiqte arti, edhe pse fillimet e tij sigurisht kanë qenë shumë modeste. Ganiu thotë se në fëmijëri merrej me kopjimin e figurave nga librat dhe më pas kur u bë pjesë e Liceut Artistik gjeti veten dhe kuptoi aftësitë e tij.

“Indiciet e para i kam pasur në shkollë, që në 8-vjeçare, por gjithsesi kur je fëmijë nuk i ke idetë shumë të qarta. Edhe kur hyra në gjimnaz nuk e dija çfarë doja, por më pas aty u trajnova dhe e kuptova ku kisha më shumë aftësi. Pas Liceut kreva studimet e larta në Akademinë e Arteve për skulpturë”, tregon Ganiu për “Shekulli”-n. Më tej ai shton se nuk ka pasur asnjë lloj mbështetje apo trashëgimi dhe se është i vetmi që merret me këtë lloj arti në familjen e tij.

Puna kryesore e skulptorit mbështetet tek kompozimet, të cilat ai i publikon në rrjete sociale dhe deri më tani nuk ka ndjerë nevojën për t’i ekspozuar ndokund tjetër. Prej disa vitesh ai merret me pikturimin e gurit dhe bie në sy se Ganiu është shumë i fokusuar tek tradita shqiptare, sidomos tek kostumografia.

Në gur ai pikturon veshje tradicionale të zonave të ndryshme të Shqipërisë, por edhe pse kjo punë është shumë e kërkuar ai shprehet se nuk do e vazhdojë për shumë gjatë, sepse gjithçka lind, ka një kulm, e më pas merr fund.

“Gurët që përdor i mbledh në brigjet e lumenjve dhe të deteve. Ky është një cikël që unë po e trajtoj prej disa vitesh. Në fillim u mora me ndërtesat tradicionale, nuk kisha ndonjë qëllim në vetvete të merresha me to, por duke qenë se kullat e veriut të Shqipërisë janë unike, vendosa të trajtoja fillimisht ato. I solla në pikturë dhe skulpturë dhe i kam trajtuar edhe në gdhendje druri. Aktualisht merrem me kostumet tradicionale, nuk e di sa gjatë do të vazhdoj, por di të them që në treg ka pasur goxha interes dhe prandaj merrem ende me to. Ky është thjesht një cikël, fillon ka një kulm dhe pastaj do bjerë interesi dhe do të bëj diçka tjetër”, thotë Çekrezi.