25 Maji 2023

Presidenti Volodymyr Zelensky siguroi më shumë armë, municione dhe mbështetje diplomatike të pakursyer nga aleatët e G7-ës në përmbyllje të samitit në Hiroshima. Megjithatë, udhëtimi në Japoni, mesa duket paska patur një qëllim edhe më të rëndësishëm. Siç shkruan gazeta serbe Blic, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka propozuar një “formulë paqeje”, që është mbështetur nga liderët perëndimorë. Igor Zhovka, Zëvendës Shefi i Zyrës së Presidentit të Ukrainës, në Facebook shkroi: “Pala ukrainase theksoi qartë se pse formula e paqes mund të vijë vetëm nga Ukraina, kjo për shkak se lufta po zhvillohet në tokën ukrainase dhe është populli ukrainas ai që po lufton për të drejtën e tij për pavarësi, integritet territorial, siguri dhe prosperitet”.

Samiti Global i Paqes

Siç raporton “Ukrainian Pravda”, pjesëmarrësit diskutuan edhe për Samitin Global të Paqes dhe Ukraina kërkoi mbështetjen e partnerëve për organizimin e tij. Zelensky propozoi që në korrik të mbahet një samit ndërkombëtar kushtuar formulës së paqes në Ukrainë. Sipas “Kiev Independent”, shumë gjëra mbeten të paqarta për samitin, duke përfshirë vendin ku do të mbahet. Përpara samitit të Hiroshimës, Këshilli i Evropës miratoi formulën e paqes të Zelensky-t, duke shprehur mbështetje politike për interpretimin ukrainas të planit. Siç raportoi “Juromaidan Press”, Këshilli i Evropës, i cili përbëhet nga 46 vende, u bë kështu forumi i parë i madh ndërkombëtar që konfirmoi zyrtarisht planin e paqes të Ukrainës.

10 pikat e Zelensky-t

Formula e paqes e Zelensky-t, përbëhet nga 10 pika të paraqitura nëntorin e kaluar në samitin e G20 në Indonezi. E para, është rrezatimi dhe siguria bërthamore, me fokus rivendosjen e sigurisë së termocentralit më të madh bërthamor, Zaporozhzhia që është nën kontrollin rus. Së dyti, siguria ushqimore, përfshirë mbrojtjen dhe sigurimin e eksporteve të grurit të Ukrainës. Pika e tretë është siguria energjetike, me fokus në kufizimin e çmimeve të burimeve ruse të energjisë, si dhe në ndihmën për të rindërtuar infrastrukturën energjetike. Një nga pikat kryesore është lirimi i të gjithë të burgosurve dhe të dëbuarve, përfshirë të burgosurit e luftës dhe fëmijët e dëbuar në Rusi. Pika e pestë është rivendosja e integritetit territorial të Ukrainës dhe riafirmimi i Rusisë në përputhje me Kartën e OKB-së. Së gjashti, propozohet tërheqja e trupave ruse dhe ndërprerja e armiqësive, rivendosja e kufirit shtetëror të Ukrainës me Rusinë. Po ashtu, rivendosja e drejtësisë, duke përfshirë krijimin e një gjykate speciale për krimet ruse të luftës. Pika e tetë lidhet me parandalimin e ekocidit, duke theksuar nevojën për të mbrojtur mjedisin. Po ashtu, synohet parandalimi i përshkallëzimit të konfliktit dhe ndërtimi i një arkitekture sigurie në zonën euro-atlantike. Dhe në fund, parashikohet konfirmimi i përfundimit të luftës, duke përfshirë një dokument që do të nënshkruhet nga palët e përfshira.

Formula e paqes

Michael McArthur Bosak, një negociator ndërkombëtar me përvojë, themelues i Iniciativës Parli-Polisi, këshilltar veteran ushtarak, analizoi formulën e paqes. “Së pari, është një udhërrëfyes i rëndësishëm për paqen në Ukrainë. Ka shumë argumente pse Ukraina duhet të ulet në tryezën e negociatave, por jo mjaftueshëm ligjërim si të zgjidhen çështjet reale”, thotë Bosak. “Së dyti, formula i ndihmon partnerët të kuptojnë se si mund të kontribuojnë në procesin e paqes. Nëse partnerët e huaj duan t’i japin fund luftës, ata mund të krijojnë një mekanizëm për dëmshpërblime, duke ndërmjetësuar kthimin e të burgosurve, duke mbuluar kostot e rivendosjes së mjedisit ukrainas, etj”, shtoi ai. Sipas tij, ka pika që do të jetë pothuajse e pamundur të zgjidhen vetëm përmes negociatave. “Dialogu nuk do t’i detyrojë rusët të largohen nga territori ukrainas ose të pranojnë ndryshime thelbësore në arkitekturën e sigurisë së rajonit. Prandaj, të flasësh ndërkohë që luftimet vazhdojnë është e vetmja mënyrë që Ukraina të plotësojë interesat e saj thelbësore duke lëvizur drejt një paqeje përfundimtare, të negociuar”, përfundoi Bosak.

Gazeta Sot