8 Prill 2026

Nga Paula Wethington, CBS NEWS

Një qen K-9, i caktuar për punë në Aeroportin Metro të Detroitit, në bashkëpunim me specialistët e bujqësisë të Shërbimit Doganor dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBA-së (CBP), u vlerësua për dy raste të fundit ku zbuloi fidanë të padeklaruara në bagazhet e pasagjerëve që mbërrinin në aeroport.

Një nga rastet përfshinte një pemë frutore të dyshuar, të padeklaruar, nga Moldavia.

Drejtori i operacioneve në terren i CBP, Marty C. Raybon, publikoi një video ku qeni K-9 Baylee, i veshur me jelek identifikimi të CBP, zbulon pemën e vogël të padeklaruar më 3 mars gjatë kontrollit të bagazheve në aeroport.

Agjencia paralajmëroi në një video në rrjetet sociale: “Pemë të tilla mund të mbartin dëmtues dhe patogjenë të rrezikshëm për bimët. Ju lutemi lini pemët në vendin e origjinës dhe mos sillni dëmtues me vete!”

Fidanë kumbulle nga Shqipëria

I njëjti qen K-9 zbuloi edhe fidanë të vegjël kumbulle të padeklaruara në një bagazh që kishte mbërritur me një pasagjer nga Shqipëria më 20 shkurt.

Sipas Raybon: “Këto pemë mund të mbartnin virusin e kumbullës (plum pox virus), një sëmundje serioze që dëmton frutat me bërthamë. SHBA e ka eliminuar së fundmi këtë virus, prandaj është e rëndësishme të mos rikthehet”.

Raste të tjera

Autoritetet amerikane theksuan se ekziston një listë me sende të ndaluara dhe të kufizuara për udhëtimet ajrore drejt SHBA-së në faqen e CBP.

Raporte të mëparshme nga aeroporti i Detroitit përfshijnë:

-një mizë mesdhetare e frutave, e gjetur në fruta të dëmtuara nga një pasagjer nga Shqipëria.

-larva të mizës së kaparit në lule të freskëta nga Italia.

-mbetje të një brumbulli invaziv khapra në bagazhe nga Libani.

Autoritetet theksojnë se kontrolli i bagazheve është i rëndësishëm për të mbrojtur bujqësinë dhe ekosistemin amerikan nga dëmtuesit e rrezikshëm.