Frano Prendi – themelues i arkeologjisë së periudhës së prehistorisë.

Frano Prendi (27 gusht 1928 – 28 dhjetor 2011)
28 Gusht 2026
Me rastin e 10-vjetorit të ndarjes nga jeta u mbajt në Akademinë e Shkencave veprimtaria përkujtimore “Frano Prendi – themelues i arkeologjisë së periudhës së prehistorisë”.
Arkeologu i njohur prof. Neritan Ceka Kryetar i Komisionit të përhershëm të historisë dhe arkeologjisë pranë Akademisë së Shkencave çeli veprimtarinë në kujtim të arkeologut Frano Prendi, të cilit i flisnin edhe me emrin Çesk (Çesku – Françesk Prendi).
Prof. Ceka foli lidhur me arritjet në fushën e arkeologjisë dhe kontributet e shquara për krijimin dhe zhvillimin e arkeologjisë shqiptare dhe formimin e brezave të rinj të arkeologëve. Ai tha se gërmimet e tij ishin të përsosura dhe botimet e tij janë fondamentale për arkeologjinë. Së bashku me Hasan Cekën, Selim Islamin, Skënder Anamalin, Frano Prendin e kemi quajtur një nga katër manjifikët e arkeologjisë shqiptare.
Prof. Ceka ftoi për kumtesën arkeologun e njohur prof. Adem Bungurin, autor i librave për jetën dhe veprën e Frano Prendit.
Prof. Bunguri falënderoi Akademinë e Shkencave për veprimtarinë dhe përshkroi jetën e personalitetin e Frano Prendit në rini, pjesëmarrjen në grupet artistike të qytetit të Shkodrës, pjesëmarrjen në luftën antifashiste dhe më pas lidhjen e tij të përjetshme me arkeologjinë.
Ai tha se Prendi është personalitet themelor i arkeologjisë shqiptare, që së bashku me kolegët e tij punoi me ekspedita në terren në mungesën e infrastrukturave dhe kushteve normale të jetesës.
Për kontributin e tij shkencor në fushën e kërkimeve dhe studimeve arkeologjike ai është dekoruar dy herë nga presidiumi i kuvendit popullor të Republikës së Shqipërisë me urdhërin “Naim Frashëri të klasit II” për punë të palodhur dhe kontribut të rëndësishëm që ka dhënë në përcaktimin e vendvarrimit të heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe më pas me urdhërin “Naim Frashëri të klasit I”, “Mjeshtër i madh”, etj. Bashkëpunëtor i vjetër shkencor dhe drejtues kërkimesh, si krijues dhe drejtues i sektorit të prehistorisë të Institutit të Arkeologjisë, Frano Prendi ka kryer gërmime në varrezat tumulare të Vajzës së Vlorës, të Vodhinës, të Bodrishtës, të Kakavijës së Dropullit të sipërm, të Mjedës dhe të Grizhës të zonës së Shkodrës, si dhe në tumat e luginës së Matit, etj. 35 tumat e gërmuara në Mat kanë bërë të njohur kulturën ilire nëpërmjet një lënde shumë të pasur arkeologjke, tha prof. Adem Bunguri.
Arkeologu Bunguri theksoi se Frano Prendi me studimin mbi tumat e Vajzës nxori në dritë përkatësinë etno-kulturore ilire të përdoruesëve të këtyre tumave dhe marrëdhëniet iliro-egjeane, ndërsa gërmimet në Maliq shërbyen për të evidentuar bazën e të dhënave të prehistorisë shqiptare dhe të evidentohen për të parën herë tiparet kryesore dhe veçoritë rajonale të qytetërimit neo-eneolitik në Shqipëri si dhe përfshirjen e këtyre kulturave në grupe dhe në komplekse kulturorë, në një kontest më të gjerë ballkanik e mesdhetar.
Kontributi në fushën e arkeologjisë antike ilire dhe mesjetare erdhi pas gërmimeve të tij të suksesshme në Apoloni, në qytetin ilir të Irmajt në rrethin e Gramshit, në atë të Lissos-it, etj.
Gërmimet në qytetin ilir të Lissos-it konfirmuan arkeologjikisht karakterin autokton të formimit të qytetit ilir të Lissos-it, mbi bazën e një vendbanimi më të hershëm protourban të Akrolisit, duke hedhur poshtë mendimin e mëparshëm mbi themelimin e këtij qyteti nga Dionizi i Sirakuzës. Gjatë gërmimeve në qytetin antik të Lissos-it Frano Prendi zbuloi një numër të konsiderueshëm varresh që përmbanin materiale të kulturës tipike arbërore të Komanit, tha prof. Bunguri.
Kontributi në fushën e studimeve historike i F.Prendit është pasqyruar në disa punime të rëndësishme kombëtare të realizuara me bashkëautorësi me H.Cekën, Islamin dhe Anamalin. Edhe në fushën e aktivitetit shkencor ndërkombëtar prof. Frano Prendi ka dhënë një kontribut të shquar për evidentimin e rezultateve të shkencës arkeologjike shqiptare në botën e jashtme.
Dr. Shafi Gashi (Kosovë) anëtar i Komisionit të përhershëm të historisë dhe arkeologjisë pranë Akademisë së Shkencave, botues i monografive, foli për kontributin e Frano Prendit në bashkëpunimet dhe studimet me arkeologët e Kosovës dhe interesin e theksuar të tij për ruajtjen dhe mbrojtjen e kësaj trashëgimie.
Akad.asoc. Gjovalin Shkurtaj pasi foli për kujtimet dhe bashkëpunimet me arkeologun e shquar Frano Prendi falënderoi edhe Akademinë e Shkencave, Komisionin e përhershëm të historisë e arkeologjisë dhe organizatorët e këtij tubimi shkencor përkujtimor.
Ai tha se pesë vjet më parë, Moikom Zeqo shtronte pyetjen: “Pse kolegët e tij e kalojnë në heshtje dhe nuk shkruajnë për të?” Po të ishte gjallë Moikomi i mirë, arkeologu, shkrimtari dhe mendimtari i mirënjohur, duke dëgjuar kumtesat e prof. Neritan Cekes dhe Adem Bungurit besoj se do të ishte kënaqur plotësisht dhe, me siguri, do ta kishte thënë edhe propozimin e tij se Prendi e meriton edhe një monument a një bust si një nga emrat më emblematikë të shkencës shqiptare në shekullin XX.
Reformimi i Akademisë dhe ardhja në krye të saj e akademik Gjinushit po e kthen sallën “Aleks Buda” në një mjedis shkencor përurues e vlerësues ashtu si i ka hije një instucioni kryesor kombëtar siç është Akademia jonë.
Akad.asoc. Shkurtaj foli më tej për rolin e rëndësishëm mirëfilli atdhetar shqiptar që na kanë lënë si trashëgim arkeologët dhe krejt plejada e themeluesve të albanologjisë shqiptare: emrat e bukur iliro-shqiptarë që u kanë vënë bijve e bijave të veta. Çesku, ashtu si Hasan Ceka e të mëdhenjtë e tjerë të instituteve tona shkencore ka përzgjedhur emrat Lisiana e Marina për bijat, ashtu si kishte bërë para tij Ceka me emrat Neritan, Monun për djemtë, Çabej me Artan e Brikena, etj., duke i prirë edhe asaj që me të drejtë është quajtur “moda atdhetare” e emrave vetjakë në gjysmën e dytë të shek.XX.
Arkeologë të njohur Gëzim Hoxha, Lida Miraj, Muhamet Bela, miq dhe familjarë të Frano Prendit rrëfyen për kontributin e tij në fusha të ndryshme të arkeologjisë dhe kujtimet e punës e të jetës.
U lexuan edhe përshëndetjet e vajzës së Frano Prendit, Lisina Prendi, dhe bashkëshortes Drita, që jetojnë jashtë Shqipërisë, të cilat falënderuan Akademinë e Shkencave për veprimtarinë dhe plotësuan kuadrin e kujtimeve që lidhen me personalitetin e njeriut të tyre të dashur dhe babait të arkeologjisë së prehistorisë shqiptare.
