Forumi për Trashëgiminë denoncon: – Kisha e 1200-s në Dajt, gërmimet klandestine po shkatërrojnë rrënojat…

Korrik  2020

Vazhdon masakra mbi monumentet historike, po ashtu nuk mungojnë as denoncimet, sidomos nga forumi për Mbrotjen e Trashëgimisë, po si duket misioni i ministres së kulturës nuk është kjo ndjeshmëri, por të shpërfillë çdo denoncim, dhe të çojë njoftime për shtyp në shërbim të propagandës së saj, të urdhëruar nga lart, që s’kanë as peshë për të si ministre, ku shpesh kryen punë që janë detyrë e drejtorëve të institucioneve respektive. Ja përshembull, ndërsa dje, Margariti ka çuar njoftim për mediat se biblioteka kombëtare ka digitalizuar faqe librash e revista, dorëshkrime e antiakuare, pra që janë punë rutinë, krejtësisht të zakonshme për një institucion si Biblioteka, në anë tjetër ministrja e kulturës qëndron totalisht indeference mbi denoncimet e forumit për Mbrojtjen e trashëgimisë. Një ditë më parë gazeta “standard” botoi shkatërrimin dhe tentativën për vjedhje të afreskeve të kishës së Shën Premtes në Mokër – sot heshtje totale nga ministrja, që në fakt duhej të ishte dalja e saj e parë, mediatike. Nuk e bëri. Ndërsa pak ditë më parë forumi ka denoncuar një tjetër shkatërrim monumental. Bëhet fjalë për kishën e Shën Mërisë së Brrarit, në Dajt, që po shkon drejt shkatërrimit nga gërmimet klandestine. Ministria prap hesht.Është pak kilometra nga kryeqyteti, kasha e Brrarit e ndërtuar në shekullin XI, është dëmtuar (siç shihet edhe nëpërmjet fotove), nga gërmimet clandestine, thuhet se po shkatërrohet pragu i portës së monumentit Në reagim shtohet se rrënojat janë 10 minuta larg zyrës së ministres së Kulturës, duke ironizuar me fjalët “Sa të jetë lala Gjoni, hani, pini dhe gërmoni!” “Rubrika “Disinformojme publikun për monumentet. Kjo është kisha e shek. XI në Brrar, në zonën e Dajtit, vetëm 10 minuta nga zyrat e Ministrisë së Kulturës, ku paguhen 50 punonjës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Dallohen mbetjet e një gërmimi klandestin i ditëve të fundit,që ka shkatërruar pragun e portës së monumentit. Sa të jetë lala Gjoni, hani, pini dhe gërmoni!”, është shkruar nga Forumi krahas pamjeve të publikuara. Kjo kishë e ndodhur në fshatin Brar daton që në vitin 1201.

Sipas dokumenteve të kohës kisha e Shën Mërisë së Brarit ishte e ndërtuar me gurë të latuar, dyshemeja e saj ishte me mermer shumë të zgjedhur, kambanorja e saj prej guri dhe balte të pjekur. Ajo përbëhej nga naosi dhe narteksi Brenda në narteks në murin lindor, ka dolë në shesh një varr i ndërtuar me gurë gëlqerorë, me mbishkrim që mban datën 1201. Kisha është pikturuar herë pas here. Pikturat e murit që ndajnë naosin me narteksin janë më të hershme. Piktura është me teknikë bizantine. Veç vlerave të arkitekturës dhe të pikturës murale, vlera të veçanta në këtë kishë paraqet pllaka ballore e varrit kryesor. Monument kulture i kategorisë së parë me rëndësi historike dhe kulturore kjo kishë kishte një pozicion të rëndësishëm në organizimin religjioz të hapësirës Durrës – Ohër. Në kishën e Shën Mërisë, varri kryesor i narteksit i ka shërbyer një familjeje. Ajo zbukurohet me një arkadë prej pesë harqesh të barabartë. Pesë harqet secili me nga një kryq në mes, nënkuptojnë varrosjen e pesë personave në këtë varr, data i përket vitit 1201. Gjatë gërmimeve u gjet edhe një pllakë guri e skalitur bukur, konfigurimi i të cilës u përdor për stemën e Bashkisë Tiranë. Pllaka ruhet sot në muzeun arkeologjik të Tiranës. Rrënojat e kishës së Shën Mërisë të Brarit ndodhen mbi fshatin Brar të rrethit të Tiranës, mbi një shkëmb në bregun e djathtë të lumit të Tiranës, aty ku ai del nga shkalla e Tujanit. Nga punimet e rastit të vitit 1982 doli në dritë një mur që i mbështetej kodrës me drejtim lindje-perëndim, me fragmente pikture murale dhe pjesërisht pllaka ballore e një varri pranë tij që ruan mbishkrime me rëndësi historike të shkruara në gjuhët bizantine e latine, që mbajnë datën 1201. Sipas mbishkrimit bizantin në pjesën e sipërme të pllakës së varrit: Përkthimi vjen: Kujto o zot shërbëtorin tënd sevastin Mihail Sguron , me bashkë-shorten e tij dhe fëmijët. Mbishkrimi latinisht në pjesën e poshtme të varrit. OR(E)SUAETCUMFILI(I)SSUIS MEMENTOD(OMI)NEFAMULOTUOMICHAELSEVASTOSGVRUCUMUX memento d(omi)ne famulo tuo Michael Sevasto Sguru cum ux/or(e) sua et cum fili(i)s sui s Përkthimi është: Kujto o zot shërbëtorin tënd sevastin Mikael Sguron me bashkëshor-ten e tij dhe fëmijët e tij. “Nga mbishkrimi i varrit njihemi me një familje mesjetare shqiptare, Sgura, me një mbiemër të cilin e takojmë në pjesë të ndryshme të Shqipërisë nga lumi i Matit në veri, në Berat, deri në Ohër , Greqi por edhe si emër vendi. Me interes është të shënojmë se prapa grykës së Tujanit, në shpinë të malit të Dajtit, një lagje e fshatit Mënez quhet Sgurë. Po këtu kemi një lagje të tillë në fshatin Shën Gjin të krahinës së Shëngjergjit, po në malësi të Tiranës.

Një fakt i tillë dëshmon se familja Sgura e varrosur në kishën e Shën Mërisë së Brarit vjen nga krahina e Malësisë së Tiranës, e njohur në mesjetë me emrin Kunavi (Hunavi). Mbishkrimi merr rëndësi të veçantë për faktin se Mihal Sguro është bartës i titullit Sevast, që i jepej të parëve të popullsisë vendëse në perandorinë bizantine.

Në këtë rast kemi të dëshmuar mënyrën e organizimit të popullsisë vendëse dhe të varësisë së sai nga pushteti qendror-bizantin. Një organizim të tillë në formën e autonomisë lokale brenda strukturave administrative bizantine e takojmë që në gjysmën e parë të shek. IX në Taktikonin e Uspenskit i cili datohet në vitet 842-3 dhe që pasqyron dhe organizimin e Themës së Dyrrahut. Mbishkrimi i Brarit është një dëshmi e rëndësishme e vijueshmërisë së këtij organizimi deri në fund të mesjetës së hershme, sigurisht në format përkatëse të kohës dhe dëshmi e njohjes së tij nga ana e pushtetit qendror. Seria skeletore nga Brari është e para e kësaj natvre që lidhet me fillimet e mesjetës së mesme dhe shërben për nxjerrjen e një profili antropologjik të popullsisë shqiptare të hershme të kësaj zone. Në këto varre u gjetën 45 skelete, shumica e të cilave u përkisnin subjekteve të rritur dhe lidhen me populisme lokale të fshatit në mesjetën paraturke. Me zbulimin e materialit skeletor të Brarit krijohen mundësi për ta ndjekur këtë dukuri në një nënpopullatë të mbyllur lokale, ku edhe ndikimet e pritshme janë në rrafshin minimal.”, një informacion është siguruar nga treshja Aleksandër Meksi / Damian Komata / Aleksandër Dhima. Kisha e Shën Mërisë së Brarit dhe rrethinat e saj janë shpallur zonë e mbrojtur akroelogjike që në vitin 2008, por në vite të mëvonshem aty është bërë një masakër e madhe arkeologjike, duke gërmura me eskavator mjedisin përreth.

Ka qenë historian Spiro Nika që ka raportuar për mediat se në lumin e Tiranës janë hedhur si mbeturina objekte të çmuara arkeologjike. “Kemi qenë ne disa specialistë. Kemi qenë në atë objekt. I kemi mbledhur. Kemi gjetur një pjesë të një kolone mermeri e pragun e një dere, të hedhura në buzë të lumit te shkalla e Tujanit”, ka folur Nika për të një gazetë të përditshme. Skandali arkeologjik u zbulua gjatë prezantimit të një varri të rrallë monumental të familjes së Sgurajve që gjendet në këtë kishe, një nga principatat më të njohura të Arbërit. Ky varr daton 9 shekuj më parë dhe u prezantua në aktivitetin “Një pasdite në muze” bashkë me disa vepra të çmuara arkeologjike të principatave arbërore, që konceptohen si “bërthama e kombit shqiptar”.

Gazeta Standart