Belinda Balluku

23 Mars 2026

NGA VALENTINA MADANI

Flitet shumë, por qytetarët dinë shumë pak! Ky është realiteti i asaj që po ndodh me dosjen “Balluku”, një histori që po merr gjithnjë e më shumë trajtat e një enigme publike, ku përmenden prova, USB dhe dokumente, por asgjë nuk publikohet plotësisht. Një tablo e tillë ngjan me dosjen “Epstein”, që mbetet e errët. U fol për përmbajtje tronditëse, por publiku pa vetëm fragmente, pjesë të kufizuara të së vërtetës.

Çështja e dosjes “Balluku” shkon përtej një individi, apo një rasti të vetëm. Ajo prek vetë mënyrën se si funksionon raporti mes politikës, drejtësisë dhe publikut në Shqipëri. Belinda Balluku, e marrë si e pandehur nga SPAK me akuza të rënda për shkelje të barazisë në tendera me vlerë qindra milionë euro, sipas prokurorëve rrezikon deri në 35 vite burg. Nisur nga pozita e saj e rënduar, PS bllokoi kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të deputetes, duke e bërë të pamundur arrestimin e ish-zv.kryeministres.

Nga njëra anë përmenden akuza të rënda dhe shifra të mëdha që lidhen me tendera publikë, ndërsa nga ana tjetër mungon publikimi i plotë i materialeve, që do t’u jepnin qytetarëve mundësinë të kuptonin realisht se çfarë po ndodh me dosjen “Balluku”. Qytetarët kanë të drejtë të informohen për mënyrën se si përdoren fondet publike dhe nëse zyrtarët e lartë respektojnë ligjin. Transparenca rrit besimin te drejtësia dhe institucionet, si dhe ndihmon në luftën kundër korrupsionit. Por në rastin e dosjes së ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, faktet e aksesueshme janë minimale. Ndaj, natyrshëm lind pyetja, a është kjo një çështje penale që po hetohet, apo që po përdoret si instrument presioni apo propagande? Ndaj, sa kohë dosja nuk publikohet, në planin politik situata mbetet e paqartë.

Nga njëra anë Partia Socialiste ka interes të minimizojë çdo skandal të mundshëm, të mbajë situatën nën kontroll dhe menaxhimin politik të dëmit. Nga ana tjetër, Partia Demokratike, që duhet të jetë më “agresive”, më denoncuese, ka mbetur në kufijtë e deklaratave. Edhe pse kreu demokrat, Sali Berisha, deklaroi së fundmi se në materialet e paraqitura nuk ka emra të opozitës të implikuar në dosjen “Balluku”, dhe se deputetët kanë pasur akses të kufizuar, fakti mbetet se as opozita nuk ka sjellë transparencë të plotë. Ndonëse në rolin opozitar, PD nuk ka arritur të ofrojë transparencë më të madhe apo të shkojë përtej deklaratave politike.

POR PSE NUK PUBLIKOHET DOSJA “BALLUKU”?

Një shpjegim është teknik dhe ligjor. Prokurorët e SPAK kanë deklaruar se materiali me USB mund të aksesohet vetëm nga anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe nuk mund të bëhet publik lirshëm. Por kjo, vështirë t’i bindë qytetarët, sepse në raste të tjera kemi parë rrjedhje masive dokumentesh. Mjafton të kujtojmë se janë bërë publike dosje të plota për ish-zyrtarët e lartë, ishministra dhe ish-kryebashkiakë. Rastet konkrete janë ato ndaj Saimir Tahirit, Lefter Kokës, Vangjush Dakos, Ilir Beqajt, Arben Ahmetaj apo edhe në rastin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për të cilin u publikua dosja e plotë prej 366 faqesh në shkurt të vitit të kaluar. Pra, precedenti ekziston dhe kur ka interes, dosjet dalin.

ATËHERË PSE JO DOSJA “BALLUKU”?

Hapja e një dosjeje të tillë mund të krijojë precedent dhe të çojë në një efekt zinxhir, ku mund të ekspozohen figura dhe mekanizma që prekin të dyja krahët politikë. Në këtë kuptim, qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të dyshojnë se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike mund të duken si kundërshtare në publik, por që mund të kenë një interes të përbashkët në ruajtjen e një ekuilibri ku skandalet përdoren për retorikë, por rrallë ndjekin procesin e transparencës së plotë.

Për qytetarët, kjo sjell mungesë besimi. Sepse kur përmenden prova, por nuk publikohen, kur flitet për USB, por nuk shihet përmbajtja, në mënyrë të pashmangshme krijohet bindja se politika funksionon mbi kalkulime interesi dhe jo mbi transparencë. Ndaj duket qartë se çështja nuk është vetëm “flash”-i, apo një dosje konkrete. Pyetja reale është më e thellë, a përdoren dosjet për drejtësi, apo si instrument presioni politik?