Flakët sfidojnë terrenin në Pukë, 40 ushtarakë dhe helikopterë në aksion për shuarjen e zjarrit

Zjarri në Terbun Pukë
18 Gusht 2026
Zjarri në Fushë-Lajë, në pyjet e Malit të Tërbunit, në Bashkinë Pukë, vijon të jetë nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat përgjegjëse.
Sipas Institucionit të Prefektit të Qarkut Shkodër, situata po monitorohet në kohë reale nga drejtuesi teknik i operacionit dhe strukturat e angazhuara në terren, nën koordinimin e Prefekturës, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC).
Në terren prej disa ditësh janë angazhuar strukturat e MZSH Pukë dhe shërbimi pyjor. Në mbështetje të operacionit janë përfshirë gjithashtu punonjës të shërbimeve vendore, banorë dhe vullnetarë të zonës, si dhe efektivë të MZSH Fushë-Arrëz.Për shkak të terrenit të thyer malor, temperaturave të larta, erës dhe përkeqësimit të situatës gjatë dy ditëve të fundit, në operacion janë angazhuar edhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura.
Ndërkohë, në orët e para të mëngjesit të sotëm ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë, nën koordinimin e Prefekturës së Qarkut Shkodër dhe AKMC-së.

Zjarri në Terbun Pukë, 18 Gusht 2026.
Situata vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa strukturat përgjegjëse po punojnë për izolimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit, duke angazhuar të gjitha kapacitetet operacionale në dispozicion.
Nga Gazeta Sot
