Fjalët e humbura të sofrës shqiptare! Kur gjuha e përditshme dhe ajo e fjalorit shpesh ndjekin rrugë të ndryshme

9 Prill 2026
PJESA E DYTË
Nga: MEHMET ELEZI
LEXO PJESËN E PARË: Çfarë e zvogëlon Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe! Nga Kanuni tek “Eposi”, thesaret e pashfrytëzuara në fjalorin e ri
FJALORI DHE TRYEZA E BUKËS, SI KULTURË
Kultura e të ushqyerit është pjesë thelbësore e jetës; nëse më shumë se gjysma e shqiptarëve s’e gjejnë kuzhinën e tyre në FMGJSH, a mund të thuhet se është lënë pas njëanshmëria në atë fjalor? Dukuria vërehet edhe te elemente të mënyrës së jetesës, të etnografisë, të mjedisit rrethues e të tjera. Në hapësirat e Shqipërisë së Veriut, të Kosovës e të Maqedonisë së Veriut e të Malit të Zi, në sofrën që nderon mikun, në dasma e në ditë gëzimi, nuk mungojnë kurrë mishi dhe pitja ose flia, diku e parë është njëra, diku tjetra.
FLI, – A. Fjalë e studiuar nga Majeri (Meyer), Jokli, Çabej, I. Ajeti. Ka hyrë në këngë popullore, në gjëza, në bestytni. Tashmë shërbehet fli edhe në disa restorante në Tiranë. Faqja për kulinari, Taste Atlas, flinë e ve të parën midis hajeve të kuzhinës shqiptare (Balkanweb, 20. 07. 2018, http:// www.balkanweb.com/?s=taste+atlas). FMGJSH s’e njeh.
PIT/E, – JA. Sipas FMGJSH, kuptimi 3, “byrek i gatuar me petë të holla, me gjalpë, me vezë, me kos, me djathë etj.”. Pra pa mish, pa perime. Shpjegim i saktë, por vetë Fjalori e rrëzon fill pas me fjalinë ilustruese: “Pite me bishta qepe”! Ato “me bishta qepe” nuk quhen pite. Quhen lakror përkatësisht me qepë, me kungull, me hitha, me… Për secilin ka emër të veçantë. Hithnik (lakror me hitha), del edhe në frazeologji. Asht si hithnik me hitha të vjetra thuhet për një njeri të pakëndshëm. Fjalori i madh ka njëmbëdhjetë sinonime për lakror, por hithnik, kungullor e të tjerët s’i ka.
MISH, – I. I pari në krejt hapësirat shqiptare. Dallimi bëhet te ato që quhen shenja. Fjalori 1980 për shenjë, pika 12, shkruan: “Pjesët më të mira të një mishi të pjekur (bishti, shpatullat, veshkat), që i vihen para mikut për nderim…”. Por te dy të tretat e shqiptarëve shenja kryesore, me të cilën nderohet miku, nuk është bishti, është kryet e berrit. E kishte vënë re një studiues i ri gjirokastrit, E. Çabej, qysh më 1943, kur në “Një vështrim mbi folklorin shqiptar” shkruan: “Në Veri mikut i vihet përpara kryet e berrit, në Jug, që nga Shpati e poshtë, i vihet bishti i majmë”. Në FMGJSH, te shenjë, pika 13, është marrë me copy paste përkufizimi nga baba Fjalori 1980, ku vlerësohet vetëm bishti. Koka kurrkund.
ÇERVISH, – I (QERVISH, – I). Sipas FMGJSH, “qull që bëhet me miell të skuqur, me kripë, gjalpë e me hudhra”. Fjali ilustruese: Qofte me çervish. Jo! Qervishi bëhet vetëm me pulë. Hyn te gatesat e zgjedhura, ta quash qull e fyen mikpritësin. Kallëzon fjala e urtë: “Nuk jam ardhë për çorbë e qervish, po për Daut Ibish”: nuk vij me hangër haje në zë, vij me ndenjë me burra në zë.
ÇORB/Ë, – A. Në FMGJSH “supë e trashë që gatuhet zakonisht me oriz ose me makarona të holla dhe me përbrendësa bagëtish”. Në veri të Shqipërisë e në Kosovë çorba nuk është supë, nuk gatuhet me makarona e oriz as me përbrendësa bagëtish. Gatuhet me miell të fërguar, vetëm me mëlçi qingji ose keci. Përsëri fjala e urtë “Nuk jam ardhë për çorbë e qervish, po për Daut Ibish”.
MAZË E ZIEME (E ZIER). Te fjala mazë 4 FMGJSH shpjegon: “gatesë e përgatitur me miell misri të skuqur në gjalpë e me ujë valë, së cilës i shtihet edhe djathë ose mjaltë”. 1. Njësoj si të thuash buka e grurit gatuhet me miell misri. Sepse maza e zieme gatuhet me mazë, jo me gjalpë. 2. Nuk “i shtihet” djathë, por pshere, FMGJSH e ka fjalën pshere. 3. Kjo haje quhet me togfjalëshin mazë e zieme, jo thjesht mazë. Këtu mbiemri e zieme s’ka të njëjtin kuptim si te patate e zier. Maza e zieme ndryshon nga maza në strukturë, shumica e përbërësve të saj nuk janë prej maze dhe ajo nuk përftohet nga një zierje klasike me ujë.
NGJYEM, – I. Në FMGJSH “lëng që hahet duke u ngjyer me kafshatë”. Lëng kripe, lëng mishi, lëng groshe apo çfarë? Në kuzhinën ku përdoret ngjyemi, “lëng që hahet duke u ngjyer me kafshatë” ka kuptimin “shëllirë”. Ha bukë e lang: “ha bukë e shëllirë”.
Ka disa lloje ngjyemi si dimnishte (zahire): ngjyem me speca të shtruar me mazë, me kos të kulluar ose me gjizë. Ka ngjyem të shpejtë me pshere; ngjyem fërgesë me speca, me suxhuk, me qofte. Asnjëri “lëng”.
Në FMGJSH jo vetëm ngjyemi thjeshtohet në “lëng”, edhe rasoji.
RASOJ, – I. Sipas FMGJSH, “lëngu i lakrave turshi, që përdoret për të pirë”. S’ka njeri që mund ta pijë lëngun e lakrave turshi të bëra në shtëpi, është aq i kripur!
Rasoji ka edhe lëng, por nuk është lëng. Bëhet me lakra të grira ose të pagrira, përpunuar me një të katërtën e kripës që duhet për turshi dhe me elemente tharmëtuese. Lëngu i rasojit pihet si limonadë, lakrat hahen siç janë ose të ziera me mish të thatë, gjellë e afërt me shukrutën (choucroute), te gjermanët e francezët. Edhe mbiemër: lakna rasoj.
SHTALB, – I. Kuptimi i parë në Veri, në Kosovë e në Mal të Zi: “qumësht i mpiksur me shqilë, ende pa iu hequr hirra”; quhet edhe pshere. Figurshëm si mbiemër: “i njomë”. Djali asht shtalb. Në fjalëformim: shtalbak “kallamoq në fazë qumështi”; figurshëm: “i papjekur”. Shtalbni: “adoleshencë”.
S’i ka FMGJSH.
KUMËSHT, – I (KJUMËSHT, – I). Hirrë e prerë më farë kosi, prej Malsisë së Madhe deri në Kosovë pihet si dhallë. Trajtë e vjetër e qumësht, me kuptim të ndryshuar, në këto vise e në Tiranë qumështi është quajtur tamël/ tambël. Kumësht gjindet në fjalë të urta, në frazeologji, në këshilla për fëmijë. Në FMGJSH mungon.
SHLLIN/Ë, – A. Pavarësisht prejardhjes prej së njëjtës latine, është krejt tjetër nga shëllirë. Kuptimet e shllinë: qumësht i prerë njëkohësisht me shqilë e me kos; prodhim bulmeti prej të cilit nxirren dra; shtalb që kripet për dimër. Shllina hahet me lugë, përdoret në pite, në ngjyem etj. Për shijen e vlerat flet fjala e urtë: “Mbasi s’kam shllinë, e harroi daja shpinë”. FMGJSH e shpërfill.
MISHAVÍN/Ë, – A. Sipas FMGJSH, “djathë i pamazitur, që prodhohet me qumështin e verës, kur bagëtia janë në kullota malore”. Pra dysor i togfjalëshit “djathë i pamazitur”? Jo. Mishavina bëhet me djathë nga qumështi i vjeshtës (jo i verës), që është veçanërisht i trashë e i yndyrshëm; ky djathë vihet në shekë, në vend të ujit me kripë i qitet qumësht i pamazitur. Herë-herë një shtresë tëlyeni.
KRYELÁN/Ë, – A. Aq e njohur në Veri e në Kosovë, sa e ka pasur edhe Fjalori 1980, ndonëse me kuptim të pjesshëm. FMGJSH e ka fshirë.
GOGLOSH/E, – JA. Gështenjë rrumbullake, e sapopjekur ose e zier, e qëruar. Figurshëm: vajzë ose grua e bukur, e kolme. Në FMGJSH është porogaçë, me gurrë sllave dhe më pak e përdorur, gogloshe në shqipe të pastër nuk është. Në menytë e restoranteve shohim “desert”. Gjuha shqipe ka dy sinonime për të:
PASLUG/Ë, – A. “Desert” dhe jo vetëm një lloj ëmbëlsire, siç e ka FMGJSH. PERIHIME. Këtë Çabej e sjell nga Labëria dhe mendon se lidhet me perime. Shqipja ka emër edhe për pirunin:
LEGRAN, – I në Rrafsh të Dukagjinit. Vihet re lidhja me logër, sfurk i vogël me heqë ferra (FMGJSH s’e ka); me lagraç (këtë FMGJSH e ka); me legraçë, lograjë: sfurk i vogël ose kërrabë me ngritë saçin. Edhe anglishtja ka fork për sfurkun e për pirunin; në frengjisht pirunit i thonë fourchette, sfurk i vogël. Nuk e gjen në Fjalor.
KANË RRITUR FOSHNJA SHQIPTARËT?
Po të gjykosh nga fjalorët e Akademisë, duket sikur shqiptarët s’paskan ditë me rritë fëmijë. Për copën e endur, që mbështjell foshnjën, Fjalori 1980 ka tri sinonime: pelenë, skutinë, shpargër. Asnjëra shqip. Gjuha e popullit ka mbi dymbëdhjetë sinonime shqip.
FMGJSH bën disa përparime, duke shtërzyer. Ka vnelë e ndelë, fjalë të pastra shqipe, por këtë të fundit e zhvlerëson duke e quajtur krahinore, anipse është më pak krahinorja. Përveçse përdoret në hapësira të gjera, ka prodhuar familje fjalësh, si asnjë tjetër. Folje: ndelavem; emrat ndelan, ndelane, ndelajkë, ndelavje, tre të parët edhe si mbiemra. Mbiemër: i (e) ndelavur. Shprehje frazeologjike: pa dalë prej ndelash, hala në ndela. FMGJSH pasqyron pjesërisht këtës çerdhejfjalësh, por ndelan, ndelane, ndelajkë i le jashtë. Shpjegimi herë-herë i çartur. Ndelávem: “bëhem pis, bëhem me njolla, njollosem. U ndelav duke ngrënë”. Kaq e gabuar! Nëse thua u bë pis duke ngrënë, kjo thjesht tregon se iu derdh pak verë në këmishë a diçka e ngjashme. Por nëse thua u ndelav duke ngrënë, kjo është poshtëruese. Ndelavem përdoret vetëm figurshëm dhe do të thotë: “e lëshoj veten keq, humb personalitetin, bëhem si foshnja që pëgëret në ndela”.
Po për mënyrën e bartjes së foshnjës? Është një emër me brumë të shqipes: lëpungë. Kuptimi i parë: “pajisje leshi në trajtë gjysmëtraste, me ngarkue foshnjën në kurriz”. E qëndisur me gajtanë, lëpunga ishte “karroca” e fëmijëve nëpër male. Nuk është në FMGJSH. Çiftet e reja përshtasin fjalë si kangur, marsupial!
FMGJSH DHE DISA NGJYRA E DRURË
Fjalori ka bërë hapa përpara me disa emërtime për ngjyrat.
VÉRDHË (i, e) “i gjelbër”. Ka qenë në Fjalorin 1954, më pas u dëbua. Rimerret në FMGJSH dhe shpjegohet: 1. Që ka ngjyrë bojëbari (pleonazëm: që ka ngjyrë ngjyrëbari!), i blertë, i gjelbër. Bar i verdhë. Lugjet e verdha (kr. pop.). 2. I kaltër. Triko e verdhë.
Nuk ka të folme, këngë, fjalë të urtë, gjëzë, urim, mallkim a tekst çfarëdo, ku i/e verdhë del në kuptimin “i/e kaltër”. Vetëm mbiemri i përbërë i/e verdhëshallash, ndërtuar si i/e verdhëbari, e ka këtë kuptim. Shami e verdhëshallash – “shami e kaltër”.
Më tej: togfjalëshi Lugjet e Verdha është emërvend në Epos. Quhen Lugjet e Verdha edhe kur i mbulon bora, edhe kur s’kanë bar as gjeth. Si emër i përveçëm, duhet shkruar me nistore të mëdha Lugjet e Verdha.
Në fjalor mungon folja vetvetore verdhohet. U verdhue livadhi. Mungojnë emri verdhishtë, mbiemrat verdhan, i/e verdhuar, i/e verdhëm, ndajfolja verdhë, që del edhe në shprehjet: verdhë si lakna, verdhë si çapini.
Përderisa i/ e verdhë “ngjyrë ari” dhe i/ e verdhë “i/ e gjelbër” shënohen si fjalë të veçanta, edhe verdhoj “zverdh” dhe verdhoj “gjelbëroj” duhen shënuar si fjalë të veçanta.
LULËS (i, e). “I/e verdhë, ngjyrëlimon”, për herë të parë në një fjalor të Akademisë. a. Fjalët e përbëra ku i/ e lulës është gjymtyrë e dytë, tingëllojnë të sajuara: flokëlulës (në FMGJSH llokëlulës, gabim shtypi?). Mbiemri i/ e lulës nuk përdoret për flokët e mustaqet. b. Mungojnë foljet vetvetore lulësohem, lulësavem “zverdhem”, në vetën e tretë edhe për sendet. U lulsue prej tute. U lulsuen dardhat. Edhe si pësore e lulësoj. c. Mungojnë mbiemrat i/e lulësuar, i/e lulësavur.
DUSHK – U. Në një hapësirë shumë të gjerë në shqipen veriore dhe verilindore, ky emër përdoret vetëm në kuptimin “gjeth, tërësi gjethesh”. Në kuptimin e një druri të pyllit s’përdoret, ka emra të tjerë si bung, qarr, shpardh… “Kan syzeza për atë djalë/ Tan po e tha(n) dushkin në mal/ Po tha(n) dushk e po tha(n) bar…” (lirikë popullore). “Pall mushk se del dushk, kur duel dushku cofi mushku” (fjalë e urtë). Në FMGJSH janë pesë kuptime për emrin dushk, kuptimi “gjeth” mungon.
Foljet dushkon, dushkohet (gjethon, mbushet me gjethe), që vijnë prej dushk “gjeth” janë, ndërsa ama që i polli, jo.
Mungojnë edhe do fjalë të tjera nga dushk “gjeth”.
LIS, – I. Në të njëjtat hapësira ka kuptimin “dru i lartë i çfarëdo lloji, halor e johalor”. Ahu është lis: “Lis ahu i bërë zgavër…” (M. Ahmetaj, Fjalor i të folmeve shqiptare në Mal të ZI, kur shtjellon ah zgorç). Edhe lajthia, arra, gështenja janë lisa. “Tufë që lëshojnë do lisa sikurse lajthija, arra, kështêja… ” (Gazulli kur shtjellon kajlë). Edhe kumbulla: “Nji lis kumlle ishte kanë/ Në kët lis kumullur…” (N. Vinca, Antologji e lirikës popullore). Edhe në Kanun lis ka kuptimin “pemë”: Lisi i gjakut, Lisi i tamblit; krahaso pema gjenealogjike. Mos edhe Naimi, kur këndon “O malet e Shqipërisë e ju o lisat e gjatë” ka ndër mend tërësinë e drurëve të lartë: ah, pishë, bredh, qarr…? Ai u drejtohet maleve, lisi (i fjalorëve të Akademisë), veç të tjerash, rritet në lartësi të ulëta e mesatare më pak se 1000 m mbi det.
Në FMGJSH mungon ky kuptim i lis.
GDHE, – RI. Në FMGJSH: “pishë e zezë, borigë”. E burimit indeouropian të shqipes. Gdhe s’ka kuptimin vetëm “pishë e zezë”. Përdoret për çdo pishë të lartësive, edhe për bredhin. Shprehja sa nji gdhe bjeshke: “shtatnaltë e i hijshëm/ e hijshme”.
Duket se është më e arsyeshme të shkruhet gdhe, – ni. Rotacizmi nuk mund të zbatohet me prapaveprim, te fjalët që i ka vetëm gegërishtja. Siç nuk është zbatuar te tëlyen, ngjyem etj. Kështu shmanget edhe një homonimi artificiale me gdhe, – ri “nyell”. Në Fjalor mungon emri gdheshtë, që del krahas gdheishtë. Aty ka dysorë të ngjashëm ahishtë e ashtë; bredhishtë, breshtë e brenishtë.
ILUSTRIMI I FJALËVE
Në fjalorët bashkëkohorë kuptimet ilustrohen me fjali nga autorë të mëdhenj. Te fjalorët “Robert” të frëngjishtes ka citime nga Ronsard, nga Balzaku, Hygoi, Sartri… Aty mund të gjesh edhe veprën ku dokumentohet së pari fjala përkatëse, që nga Kretien de Troi (Chrétien de Troyes 1130 -1180).
FMGJSH riciklon praktikën e vjetër. Nuk del kund emri i Naimit a i Fishtës, i Koliqit a i Kutelit, i Kadaresë a i A. Pashkut. E paqartë pse s’u planifikua ilustrimi me citime nga emrat e mëdhenj të letrave shqipe, u zgjodh rrugën më të lehtë?
Fjalori do të merrte tjetër peshë. Do të pakësoheshin ilustrimet e amshta, pa gjak e pa ngjyrë. Edhe pleonazmat e tautologjitë.
KU JANË RRËNJËT E FJALËVE?
Kur e di etimologjinë e fjalës, prejardhjen, bëhesh më i vetëdijshëm për përdorimin ose jo të saj. FMGJSH s’ka etimologji fjalësh. Nga kjo kundrojë, gjuha shqipe do të vazhdojë të jetë prapa gjuhëve të njohura. Edhe prapa gjuhëve fqinje. Një fjalor me etimologjinë e fjalëve është krejt i mundshëm. Studimet Etimologjike në Fushë të Shqipes të Çabejt kanë vënë gurët e themelit. Fjalori Etimologjik i K. Topallit e çoi më tej punën e bërë. S’po përmend Fjalorin Etimologjik të V. Orelit (Albanian Etimilogical Dictionary, Brill, Leiden, Boston, Köln, 1998), i cili ka probleme shkencore dhe etike – përmban referime të rreme – dhe Akademia s’ka thënë një fjalë për të, megjithëse ai shërben si pikë referimi në qendra europiane të albanologjisë. Përsëri: zgjodh rruga më e lehtë? U druajtën nga trysnitë e jogjuhëtarëve? Gjuhësia është shkencë, s’është qeveri që kërkon vota. Shkencës ia jep ose ia heq besueshmërinë vetëm e vërteta shkencore.
Gazeta Panorama
