21 Gusht 2025

Arkeologët kanë zbuluar gjurmë të mundshme të ndërtesave të lashta në rezervatin natyror Betiha të Izraelit.

Një zjarr i madh, që shpërtheu në fund të korrikut në bregun verior të Detit të Galilesë (Liqeni Tiberias), dogji një pjesë të konsiderueshme të rezervatit, por njëkohësisht u hapi rrugën arkeologëve drejt një zbulimi të rëndësishëm: rrënojat e qytetit të lashtë biblik Betsaida, ku sipas Dhiatës së Re lindën apostujt Filipi, Andrea dhe Pjetri, raporton Haaretz.

Pas zjarrit, studiuesit që prej nëntë vitesh gërmojnë në lokalitetin El-Araj, vunë re kodra të vogla të shpërndara në të gjithë zonën, të cilat mendohet se fshehin dhoma e ndërtesa të lashta. “Secila prej tyre është një dhomë e lashtë”, shpjegon Mordechai Aviam, drejtuesi arkeologjik i gërmimeve.

Image

El-Araj përputhet me përshkrimin biblik të Betsaidës dhe, pas gjetjes së pajisjeve të peshkimit nga shekulli i I-rë, besohet të jetë pikërisht qyteti i përmendur në Shkrime. Pas vizitës në terren, arkeologët identifikuan tumula, blloqe guri dhe një tambur kolone, duke konkluduar se bëhej fjalë për një zonë banimi ku kishte të paktën një ndërtesë publike.

Image

Megjithatë, për të arritur tek shtresa e kohës së Jezusit, arkeologët duhet të gërmojnë më parë fabrikën e sheqerit të ngritur nga Kryqtarët, më pas shtresën bizantine të ndërtesave dhe vetëm atëherë shtresën romake të periudhës së interesit. Deri më sot, në këtë zonë janë zbuluar jo vetëm pajisje peshkimi, por edhe mbetje të banjove romake, mozaikë, monedha dhe objekte të tjera historike me vlerë.

Image