Ermal Beqiri – I bleu bashkëpunëtores në biznes skaf 1 mln euro
29 Korrik 2026
Ermal Beqiri kishte patentë piloti, iu gjetën GPS gjatë fluturimit! Pritet ekstradimi, i pëlqente jeta e luksit
Biznesmeni Ermal Beqiri ishte një personazh kontrovers, që i pëlqente jeta e luksit, i akuzuar si pjesë e dosjes së tenderëve të AKSHI-t që po hetohet nga SPAK dhe që dyshohet se ka kontrolluar edhe serverin e të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë, i lidhur ngushtë me mikun e tij në kërkim, Ergys Agasi.
Kështu u shpreh sot gazetarja Klodjana Lala, në një lidhje direkte me televizionin News24, duke shpjeguar dhe treguar detajet më të fundit të operacionit të arrestimit të tij në Francë teksa fluturonte mbi një central bërthamor në Penly të Amiens dhe botën e errët në të cilën ai operonte dhe që po hetohet, përfshi pasurinë.
“Janë gjetur GPS, po kryente lëvizje të planifikuara me avion në Francë. Beqiri në kërkim nga SPAK për shkak te tenderave të AKSHI-t. Në kërkim ndërkombëtar, me arrest me burg nga GJKKO. Do hetohet nëse ka kompani në Francë, nëse ka bërë transaksione apo vepra penale. Kanë fituar deri në 200 mln euro tenderë ndërsa SPAK ka sekuestruar deri tani 12 mln euro pasuri dhe asetet. Mund të sjellë të reja nëse ekstradohet dhe bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë shqiptare”, tha Lala mes të tjerash.
Ajo shpjegoi se ai ishte personazh kontrovers, teksa jo vetëm bënte jetë luksi, por edhe i bleu një jaht luksoz 1 mln euro bashkëpunëtores së tij të biznesit, rast që po hetohet edhe nga SPAK-u. Lala shpjegoi se Agasi dhe Beqiri ishin të lidhur ngushtë mes tyre, por mbetet të verifikohet roli i Beqirit nëse po bënte spiunazh në Francë dhe lidhjet e tij në atë vend.
Lala tha se Beqiri ka qenë i pranishëm edhe gjatë vizitës së presidentit francez Emanuel Macron në Tiranë vitin e kaluar.
“Beqiri dhe Ergys Agasi shfaqnin jetën e tyre të luksit. Beqiri ishte personazh kontrovers. Beqiri dyshohet dhe do hetohet nëse ka marrë persona të tjerë peng, biznesmenë, teksa ka raste denoncimi të rrëmbimit të Daniel Shimës apo kërcënimit të një shtetaseje gjermane po për biznes. Kishte patentë për pilotim, i dhënë pas jetës së luksit. I ka blerë një bashkëpunëtoreje të ngushtë të tij të biznesit, 1 mln euro skaf që mbahej në llogarinë e tij. Dyshohet se ka instaluar edhe kamerat në zyrën e Ergys Agasit, nga filmoheshin personat e tjerë, personazh kontrovers, mes të përgjuarve edhe ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Sikurse edhe kontrollin e të dhënave personale të shqiptarëve, kontrollin e serverit të informacionit”, tha Lala.
“Beqiri rezulton se ka qenë edhe i pranishëm edhe gjatë vizitës së presidentit francez Emanuel Macron në Tiranë, por nuk dihet roli i tij”.

