“Tronditet” mazhoranca, Rama në alarmin e “tradhtisë” brenda qeverisë, 3 ministra dyshohet se financojnë protestën

Edi Rama
29 Korrik 2026
3 ministra dyshohet se financojnë protestën kundër tij, del në skenë edhe zyrtarja e lartë e PS që po bën pazare “nën rrogoz” me opozitën kundër kryeministrit
Protesta antiqeveritare që ka hyrë dje në ditën e saj të 58-të duket se po financohet fuqishëm edhe nga vetë socialistët. Gazeta “Sot” ka mësuar detaje tronditëse nga prapaskenat e nxehta politike, ku kryeministri Edi Rama ndodhet tashmë në alarmin e plotë të një “tradhtie” masive brenda vetë kabinetit të tij qeveritar. Burime konfidenciale bëjnë me dije se kreu i qeverisë ka nuhatur lëvizjet e dyshimta dhe dyshon fort se të paktën 3 ministra të kabinetit po punojnë pas krahëve të tij, duke derdhur fonde për të mbajtur gjallë revoltën popullore. Mësohet se kryeministri Rama është tejet i xhindosur me ministrat në fjalë dhe pritet të marrë masa drastike kundër tyre. Por 3 ministrat nuk janë të vetmit që duan t’i bëjnë gropën Edi Ramës.
Në këtë skenar të etshëm për pushtet, dalin në dritë prapaskena të paprecedenta, teksa mësohet se ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku po luan një lojë të dyfishtë me përfitime të mëdha politike. Zonja Balluku, e cila po hetohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për korrupsion, pastrim parash dhe shkelje barazie ne tendera në disa episode, ka një interes të drejtpërdrejtë që vëmendja dhe zemërata e qytetarëve të orientohet tërësisht drejt Ramës dhe jo drejt skandaleve të saj, ndaj po vepron me mjaft mprehtësi. Për të arritur këtë objektiv, ajo po përdor pa hezituar “zarat” e saj në radhët e Partisë Demokratike për të mobilizuar sa më shumë njerëz në sheshe.
Kjo nuk është hera e parë që ish-zv/kryeministrja tregon se di të thurë intriga e pazare “nën rrogoz” me opozitën në dëm të kolegëve të saj socialistë. Disa muaj më parë, zonja Balluku është përfshirë në një skemë të detajuar e të mirëmenduar për të dobësuar dhe shkatërruar politikisht kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Ekzistojnë dyshime të forta se përmes deputetit të PD, Belind Këlliçi, ajo ka financuar me shuma marramendëse Partinë Demokratike për të organizuar plot 46 protesta radhazi përpara bashkisë.
Emri i Këlliçit del në pah si pikë kyçe e këtij skenari, ku fondet e përdorura për aksionet opozitare nuk vinin nga arka e PD-së, por direkt nga kupola më e lartë e pushtetit socialist. E ndërsa opozita bërtet në rrugë kundër regjimit, faturat e protestave po sponsorizohen hapur nga brenda vetë qeverisë, duke e çuar tablonë politike shqiptare në përmasa plotësisht groteske. Tanimë që loja është zbuluar e gjitha, kryeministri Rama është bërë gati të nisë një rreth prerje tejet të egër brenda partisë për të shfarosur “gjarpërinjtë” që i rriten në gji.
Megjithatë, mbetet për t’u parë se çfarë stuhie do të shpërthejë brenda Partisë Socialiste pas zbulimit të kësaj tradhtie me përmasa shkatërruese. Ndërkohë, më poshtë po pasqyrojmë të gjitha detajet e bujshme nga ajo që ka ndodhur deri më tani me protestën që shënoi dje ditën e 58-të, si dhe prapaskenat e akuzave të rënda ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Ballukut për përfshirjen e saj në protestat kundër kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Qytetarët në këmbë kundër qeverisë, protesta hyn në ditën e 58-të
Konkretisht protesta antiqeveritare ka hyrë dje në ditën e saj të 58-të, ndërsa qytetarët kanë qenë në rrugë nga mëngjesi deri në mbrëmje, duke zhvilluar disa tubime në pika të ndryshme të Tiranës. Dita dje nisi para Kuvendit, ku që prej orës 08:30 qindra protestues u mblodhën për të kundërshtuar zhvillimin e seancës plenare. Zona ishte blinduar nga forca të shumta policie, të cilat kishin bllokuar të gjitha hyrjet në Parlament. Gjatë përpjekjeve të protestuesve për t’iu afruar godinës pati tensione me efektivët e Policisë.
Situata u përshkallëzua pasi disa persona u shoqëruan nga uniformat blu. Pas incidenteve para Kuvendit, qindra qytetarë marshuan drejt Komisariatit nr. 1, ku kërkuan lirimin e personave të shoqëruar dhe kundërshtuan ndërhyrjen e Policisë gjatë protestës. Në orët e pasdites, protestuesit u rikthyen sërish në shesh, këtë herë përpara godinës së Kryeministrisë, ku vijuan protestën me pankarta dhe flamuj kombëtarë. Gjatë marshimit dëgjoheshin vazhdimisht thirrjet “Rama ik!”, “Dorëheqje!” dhe “Shqipëria nuk dorëzohet!”, ndërsa organizatorët përsëritën se protesta do të vijojë çdo ditë, pa ndërprerje.
Tubimi i radhës vjen edhe pas prezantimit të platformës “Besa” nga kryeministri Edi Rama, e cila sipas tij synon të krijojë një komunikim më të drejtpërdrejtë me qytetarët. Protestuesit u shprehën se nuk i konsiderojnë të mjaftueshme deklaratat e kryeministrit dhe se nuk presin platforma apo iniciativa të reja nga qeveria. Sipas tyre, protesta ka kaluar prej kohësh fazën e kërkesave sektoriale dhe tashmë ka vetëm një objektiv: largimin e Edi Ramës nga drejtimi i qeverisë. Organizatorët theksuan se dalja e përditshme në rrugë mbetet mjeti i vetëm për të ushtruar presion ndaj qeverisë dhe se protestat do të vijojnë deri në realizimin e këtij qëllimi.
Si e “groposi” Balluku-Veliajn përmes opozitës dhe dosjeve sekret
Ndërkohë, kujtojmë se sa i takon prapaskenave të akuzave të rënda ndaj Belinda Ballukut për përfshirjen e saj në protestat kundër Erion Veliajt, faktet e deritanishme tregojnë se figura kyçe që ka lëvizur fijet në hije është pikërisht ish-zëvendëskryeministrja. Prej kohësh, ajo shihej si rivale e drejtpërdrejtë e Veliajt në garën për trashëgiminë politike të Ramës. Lajmet e përhapura disa muaj më parë nga mediat pranë kryebashkiakut për një sulm të organizuar nga brenda kabinetit, tashmë marrin formë të plotë konkrete: Balluku është përfshirë në një skemë të detajuar për ta dobësuar e shkatërruar politikisht Veliajn.
Ekzistojnë dyshime të forta se, përmes deputetit demokrat Belind Këlliçi alias Belo Ezmeri, ajo ka financuar Partinë Demokratike për të organizuar plot 46 protesta radhazi kundër kryebashkiakut të Tiranës. Emri i Belind Këlliçit del në pah si pika kyçe e këtij skenari, duke shfrytëzuar fonde që nuk vinin nga arka e PD-së, por direkt nga kupola e pushtetit socialist. Pra, opozita protestonte në rrugë, ndërsa sponsorizimi vinte nga vetë brenda qeverisë, një moment ku tabloja politike shqiptare merr përmasa plotësisht groteske. Një tjetër element i fortë që implikon drejtpërdrejt Ballukun lidhet me skandalin e Aviacionit Civil.
Një denoncues anonim i kërkoi SPAK-ut të hetonte se 20 vite më parë Veliaj kishte udhëtuar me një biznesmen në të njëjtin avion, por informacioni ishte aq i detajuar sa ngriti menjëherë pyetjen e madhe: kush e kishte këtë akses? Meqenëse sistemi TIMS nuk ekzistonte atëherë dhe dokumentet e Aviacionit Civil janë rreptësisht të mbyllura, përkrahësit dhe analistët pranë Veliajt e kanë thënë hapur: vetëm Belinda Balluku mund t’i fuste duart aty. Këtë tezë të fortë e përforcoi edhe më shumë ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj nga arratia e tij në Zvicër. Ahmetaj deklaroi hapur se Balluku ka paguar figura të opozitës, si Flamur Nokën dhe Belind Këlliçin, për të mobilizuar njerëzit kundër Veliajt, duke konfirmuar se kjo luftë me “thika pas shpine” nuk është hamendësim, por një realitet i ditur mirë në kupolën e PS-së.
Të gjitha këto fakte ngrenë dyshime të forta se edhe denoncuesi misterioz “Nesti Angoni” që çoi në burg kryebashkiakun Veliaj nuk është thjesht një qytetar i zakonshëm, por një person brenda strukturave të qeverisë që ka pasur akses në informacione dhe skema korruptive të Bashkisë së Tiranës. Nëse ky person ka pasur akses në dokumentet e brendshme që implikojnë Veliajn, kjo tregon se ai ka qenë një individ i lidhur ngushtë me politikën dhe administratën e lartë, e jo një person nga jashtë. Pra kjo i jep edhe më shumë peshë tezes dhe përforcon dyshimet se Belinda Balluku ka luajtur një rol kyç e të rëndësishëm në këtë denoncim.
Nga Gazetaa Sot
