 
			Erdogan-Merz përplasen për Gazën/ Debati në publik, presidenti turk: – Pse nuk e sheh Gjermania gjenocidin e Izraelit?

30 Tetor 2025
Ndonëse ishte vizita e parë e kancelarit gjerman Friedrih Merz në Turqi që kur e mori këtë detyrë, presidenti Rexhep Tajip Erdoan, e kritikoi “për mosvëmendje ndaj gjenocidit dhe sulmeve të Izraelit në Gaza”. Në një konferencë të përbashkët për media, ai iu drejtua ashpër kancelarit.
“A nuk e sheh Gjermania gjenocidin e Izraelit në Gaza?! Hamasi nuk ka bomba, nuk ka armë bërthamore, por Izraeli i ka të gjitha këto dhe i përdor për të goditur Gazën. Për shembull me ato bomba goditi përsëri mbrëmë. A i shihni ju këto, si Gjermani? A i ndiqni këto? Përveç bombardimeve ndaj Gazës, Izraeli gjithmonë ka synuar ta shtypë atë përmes urisë dhe gjenocidit”
Merz kritikoi disa veprime të Izraelit në Gaza, dhe theksoi gjithashtu se këtë vit Gjermania ka pezulluar eksportet ushtarake drejt Izraelit, duke përmendur përkeqësimin e situatës humanitare, por ai nuk ka mbështetur akuzat për gjenocid, duke thënë se kritika ndaj Izraelit nuk duhet të përdoret si pretekst për antisemitizëm.
“Do të kishte mjaftuar vetëm një vendim për të shmangur një numër të madh viktimash të panevojshme. Hamasi duhej t’i kishte liruar pengjet më herët dhe të dorëzonte armët. Ne megjithatë shpresojmë se lufta po i afrohet fundit me marrëveshjen e armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe mbështetur nga Turqia”.
Erdogan, si një ndër kritikët më të ashpër të ofensivës izraelite në Gaza dhe një aktor kyç në bisedimet për armëpushim, ka thënë se nuk mund të pajtohej me qëndrimin e Merz. Ai ka deklaruar se beson që Turqia dhe Gjermania mund të bashkëpunojnë për të luftuar urinë duke siguruar dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza.
Nga: Top Channel

