Edi Rama paralajmëron shkërmoqjen e PS në fraksione, situata e degraduar e mazhorancës detyron kryeministrin…

Rruga eshte hapur …
31 Mars 2026
Një alarm i fortë ka tronditur korridoret e pushtetit, teksa kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar për një skenar të errët brenda Partia Socialiste. Burime nga mbledhja e fundit e zgjeruar e grupit parlamentar socialiste dhe qeverisë e mbajtur këtë fundjavë (të shtunë 28 mars 2026) flasin për tensione të thella dhe përçarje që mund të shpërthejnë në fraksione rivale. Kryeministri Rama thuhet se ka ngritur tonet, duke e cilësuar situatën si një “pikë kthese” për fatin e partisë.
“Dua t’ju kujtoj të gjithëve se duhet të mbetemi të angazhuar dhe të përkushtuar me qytetarët, me votuesit. Nëse nuk do të gjejmë forcën të kapërcejmë këtë situatë, gjithçka mund të ndodhë në shpërbërjen e kësaj partie në disa copa, në disa fraksione”, ishte paralajmërimi i kryesocialistit për të vënë në baza pune të gjithë socialistët për t’u bashkuar mes vetes por edhe me bazën. Por hendeku mes bazës dhe drejtuesve duket se është zgjeruar ndjeshëm, duke rrezikuar unitetin e mazhorancës.
Në prapaskenë, përflitet për lëvizje të forta dhe sakrifica politike për të shpëtuar imazhin para ndërkombëtarëve. Në këtë kontekst, emri i ish-zv/kryeministres Belinda Balluku del si një nga figurat që mund të paguajë koston politike. Flitet se ajo mund të përdoret si “kurbani” për të qetësuar presionin nga Bashkimi Europian, i cili kërkon që ish-zv/kryeministrja Balluku të hetohet dhe t’i hiqet imuniteti. Ndërkohë, zërat kritikë brenda partisë po shtohen dhe kërkojnë ndryshime të menjëhershme. Madje ka nga ata socialistë që paralajmërojnë se çdo përçarje mund të ketë pasoja të rënda për stabilitetin politik në vend. Por a është ky fillimi i një krize të madhe brenda socialistëve apo një strategji për riorganizim? Ditët në vijim pritet të zbulojnë nëse alarmi SOS i kreut të PS, Edi Rama ishte thjesht paralajmërim apo sinjal i një stuhie politike në ardhje.
Detaje nga mbledhja
Ndërkohë kujtojmë se deklarata e fortë e kryesocialistit erdhi pas zhvillimeve në mbledhjen e grupit parlamentar, ku që nga ora 11 e ditës së shtunë, deri në orën 5 të pasdites të kësaj dite, Edi Rama mbajti të mbledhur në një forum të zgjeruar deputetët, ministrat dhe disa prej drejtorëve më të rëndësishëm të qeverisë, ku raportimi kryesor ishte ai i drejtoreshës së Kadastrës që u përball me shqetësimet e dhjetëra deputetëve për mënyrën sesi po funksionon kjo strukturë dhe problematikave që u ka shkaktuar qytetarëve.
Deklarata e Edi Ramës vjen pas disa zhvillimeve në PS që nga momenti i votimit në kuvend për moslejimin e kërkesës së prokurorisë së posaçme për dhënien e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut në 12 mars. Në atë votim, nuk morën pjesë dy deputetë, Elisa Spiropali dhe Fatmir Xhafaj. Ky i fundit u pyet edhe në mbledhjen e djeshme për mungesën në atë seancë por argumentoi që për arsye personale (një operacion i bashkëshortes) nuk i mundësoi prezencën, me Edi Ramën që hodhi romuze se këtë procedurë mund ta shtynte për një kohë tjetër.
Ndërsa marrëdhëniet me Elisa Spiropalin nuk janë në fazën e tyre më të mirë, siç kanë qenë më parë. Elisa Spiropali nuk mori pjesë në atë seancë pa pasur një arsye, dhe ditën e djeshme, konfliktet mes saj dhe Ramës ishin të dukshme dhe u bënë publike. Taulant Balla pak ditë më parë paralajmëroi se qëndrimi i zonjës Spiropali do të analizohej në mbledhjen e grupit dhe nuk vonoi edhe përgjigja e kësaj të fundit që do të donte që problemet të diskutoheshin hapur në grupin parlamentar.
Mbledhja e grupit parlamentar u zhvillua këtë të shtunë, nuk pati ndonjë qëndrim për veprimin e Spiropalit ndaj vendimit politik të PS, por në planin politik, zonja Spiropali u mënjanua nga strukturat që kishte në ndjekje, ku kryesori ishte ai i drejtimit politik të qarkut të Tiranës.
Nga: Gazeta Sot
