PS futet në përplasje për zgjedhjet e kryebashkiakut të Tiranës, Braçe konflikt me Ramën për emrin e Manastirliut…
31 Mars 2026
Deputeti sfidon kryeministrin: Jo kandidatë emergjence, procesi të bëhet sipas statutit
Vendimi zyrtar i kryeministrit Edi Rama që Partia Socialiste të ketë ish-ministren Ogerta Manstirliu si kandidate për kryetare të Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet e ardhshme lokale të vitit 2027, apo edhe në rast se do të ketë zgjedhje të parakoshme në këtë bashki, për shkak se kryebashkiku Erion Veliaj ndodhet në burg, duket se ka futur socialistët në konflikt. Kështu deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka reaguar sërish pas deklaratave të bëra tre ditë më parë në mbledhjen e socialistëve në Njësinë nr.5 lidhur me mundësinë e kandidimit për Bashkinë e Tiranës, për të cilën u vetëofrua si kandidat.
Pak para nisjes së seancës plenare, Braçe theksoi se procesi për përzgjedhjen e kandidatit duhet të jetë i njëjtë me atë që ndiqet në çdo bashki të vendit, duke respektuar rregullat dhe parimet e përcaktuara nga Partia Socialiste. Ai nënvizoi se gara duhet të jetë e hapur dhe transparente, duke shmangur çdo vendimmarrje të nxituar apo të imponuar nga rrethana të momentit. “Janë ca gjëra që kur thuhen brenda shtëpisë mbeten brenda shtëpisë. Ishte një emergjencë në shtator, mund të ishte dhe ashtu gjëja, tani është koha e mjaftueshme që PS të bëjë një proces. Atë që parashikon statuti, siç bëhen për çdo bashki, mund të bëhen dhe për Tiranën. Pra të bëhet proces siç e parashikon statuti i PS.
Partia Socialiste duhet të bëjë proces si në çdo bashki të Shqipërisë”, deklaroi Braçe. Më tej duke iu referuar zhvillimeve të mëparshme dhe propozimit të Ogerta Manastirliut nga kryeministri Edi Rama sa i përket drejtimit të “shtëpisë” së kryeqytetit, deputeti socialist Braçe theksoi se emri i saj është propozuar në kushte emergjencë. Ai insistoi se statuti i Partisë Socialiste parashikon qartë mënyrën se si duhet të zhvillohet procesi dhe se ky model duhet të respektohet pa përjashtim.
Ndër të tjera gjatë fjalës së tij deputeti socialist ritheksoi eksperiencën dhe angazhimin e tij ndër vite, duke shtuar se rezultatet e arritura nga vetë ai përbëjnë një bazë të fortë për çdo detyrë që mund t’i besohet në të ardhme. “Rezultati në kohë dhe në çdo territor vlen vetëm për punën dhe për punët, nuk vlen për karrierën. S’ka lidhje me ambiciet personale”, u shpreh Braçe ndër të tjera.
Çfarë ka ndodhur?
Kujtojmë se gazeta “SOT” raportoi një ditë më parë se në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste njësia nr.5 të zhvilluar ditën e shtunë, ish-zv kryeministri dhe deputeti socialist, shprehu ambicien për të kandiduar për zgjedhjet lokale të vitit 2027.
“Siç e kuptuat dhe vetë kjo situatë nuk mund të jetë më e tillë. Nuk gjejnë zgjidhje problemet që kanë socialistët e ka nevojë për një organizim ndryshe. Ndaj në këtë situatë unë do dal të kërkoj mbështetjen e socialistëve jo vetëm të njësisë 5, por në gjithë Tiranën dhe nëse nuk do të jem kandidat zyrtar i PS, do të shpall kandidaturën si kandidat i pavarur për kryetar bashkie në Tiranë”, mësohet të ketë thënë Braçe
. Ndërkohë pas mbledhjes së Asamblesë, të shtunën vonë në mbrëmje, Braçe shpërndau një status në rrjetet sociale, ku ai nuk e përmendte ofrimin e kandidaturës së tij për Bashkinë e kryeqytetit, por që fokusohej te diskutimet për të zgjidhur shqetësimet e qytetarëve, te puna dhe angazhimi për të ardhmen dhe forcimi i Partisë duke u hapur e përfshirë sa më shumë të majtë.
Si kandidat në qarkun e Tiranës në zgjedhjet e përgjithshme të 2025-s, Braçe u rendit i dyti mes më të votuarve në të gjithë vendin me rreth 24 mijë vota. Zgjedhjet lokale të radhës pritet të mbahen në pranverën e 2027-ës, ndërsa aktualisht Tirana drejtohet nga Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim prej 1 viti. Megjithatë kryeministri Rama ka propozuar zyrtarisht Ogerta Manstirliun si kandidate të Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës në çdo kohë që do të mbahen zgjedhjet. Kështu që kjo zgjedhje e tij ka futur sherrin brenda PS.

