Alqi Bllako

Dokumenti: – Alqi Bllako dorëzon në Kuvend kërkesën për lënien e mandatit

30 MARS 2022

Deputeti Alqi Bllako ka dorëzuar  në Kryesinë e Kuvendit kërkesën për lënien e mandatit të deputetit, pas shpalljes në kërkim nga SPAK në lidhje me çështjen e Inceneratorëve.

Dorëheqja ka mbërritur në orën 15:50 minuta në zyrën e kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, ndërkohë mbrëmë përmes një postimi në Facebook ai deklaroi se ishte gati të jepte dorëheqjen nga mandati.

Ndërkohë, në orën 17:00 kryeministri Edi Rama pritet  të mbledhë kryesinë e PS-së për të diskutuar për këtë çështje.

Kërkesa e Alqi Bllakos drejtuar Kuvendit:

Drejtuar: Kryetares Kuvendi i Republikës së Shqipërisë Për dijeni: Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

Lënda: Dorëzimi i mandatit parlamentar Tiranë më, 30 Mars 2022

Të nderuar Kolegë, Unë i nënshkruari Alqi Edmond Bllako, datëlindja 10.05.1987, vendlindja Ersekë; me anë të kësaj shkrese ju bëj me dijeni se me vullnet të plotë dorëzoj mandatin parlamentar si deputet i Partisë Socialiste së Shqipërisë, Qarku Tiranë, referuar kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit të Shqipërisë më datë 29.03.2022 dhe urdhërit tuaj si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë më datë 29.03.2022 për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet më datë 30.03.2022 ora 18:00. Me bindjen e plotë se në fund të këtij proçesi do të provohet pafajësia , integriteti dhe ndershmëria ime në detyrën e ushtruar, me këtë akt personal vihem në dispozicion të plotë të drejtësisë, duke gjykuar t’i hap rrugën e pakushtëzuar proçeseve të mëtejshme të organeve të drejtësisë.

Gazeta Shqip