Dëmet në monumente, ekspertë shqiptarë dhe të huaj do të hartojnë projektet

29 SHKURT 2020

Tërmeti i 26 nëntorit në vendin tonë dëmtoi edhe monumentet e kulturës në vend. Gjatë kësaj kohe Ministria e Kulturës ngriti ekipe pune së bashku me specialistët shqiptarë dhe të huaj, ku prej disa javësh u bënë inspektime në disa kala të vendit, në monumente të tjera të kulturës, si dhe disa institucione muzeore në varësi të ministrisë e më gjerë. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti në analizën e saj për projektet e nevojshme të monumenteve kulturës të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, u shpreh se është hartuar një plan i detajuar, që lidhet dhe me fazat e restaurimit, konsolidimit të monumenteve. Për ministren e Margariti, specifika e monumenteve është e tillë, që duhet të kalojë nëpërmjet një procesi tejet të detajuar. Sipas saj, si u veprua për planet vendore, në të njëjtën mënyrë do të jetë një njësi zbatimi, në këtë rast Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. “Në bashkëpunim me ekspertë shqiptarë dhe të huaj do të hartojnë të gjithë projektet e detajuara, jo vetëm të restaurimit, por mbi të gjitha dhe të konsolidimit. Mendoj që do kemi po ashtu e nevojë për ekspertët e huaj, përderisa për një kohë tejet të shkurtër do të duhet që të analizojmë sidomos me aparatura dhe teknologji të larta territoret e prekura. Kjo punë ka filluar tashmë. Ekspertët e huaj na janë gjendur pranë që në muajin e parë dhe një pjesë e hulumtimit fillestar është bërë, por projekti i detajuar i zbatimit duhet të kalojë në një proces tjetër”, tha Margariti. Projektet që do të zbatohen kanë dhe një kosto financiare, dhe sipas ministres Elva Margariti kësaj do ti bashkohen dhe grantet e partnerëve të huaj. “Kemi analizuar koston, fondin e nevojshëm për hartimin e këtyre projekteve dhe jemi gjithashtu duke ndërtuar të gjithë skemën e granteve të atyre partnerëve, të atyre shteteve, të cilat janë shprehur në mënyrë specifike për mbështetjen e trashëgimisë kulturore si rasti i Amerikës, rasti i Polonisë, Zvicrës dhe shteteve të tjera”, u shpreh Margariti. Për ministren e Kulturës, ky është një proces që po futet në rrugën ligjore të hartimit të këtyre projekteve dhe shumë shpejt, brenda afateve do jetë dhe kostoja totale e implementimit të këtyre projekteve.

Gazeta Sot