25 Korrik 2026

Thatësira ekstreme dhe temperaturat e larta që kanë përfshirë Europën kanë shkaktuar një rënie të pazakontë të nivelit të ujit në lumin Danub, duke sjellë pasoja të rënda në disa vende të rajonit.

Në Serbi, veçanërisht në qytetin e Novi Sadit, dhjetëra varka kanë mbetur të bllokuara në baltë dhe alga pasi ujërat e lumit janë tërhequr ndjeshëm. Banorët e zonës e kanë cilësuar situatën si një pasojë të rëndë të ndryshimeve klimatike dhe mungesës së reshjeve.

Niveli i Danubit ka arritur vlera rekord të ulëta edhe në Hungari, Kroaci dhe Rumani, duke vështirësuar transportin lumor, aktivitetin turistik dhe duke rritur shqetësimet për dëmtimin e ekosistemit.

Në Kroaci, tërheqja e ujërave ka zbuluar objekte të fshehura prej dekadash. Në zonën e Lovasit është nxjerrë në sipërfaqe një anije mallrash e fundosur që prej vitit 1937, ndërsa është gjetur edhe një bombë e mbetur nga Lufta e Dytë Botërore.

Ekspertët paralajmërojnë se nivelet e ulëta të lumenjve mund të kenë pasoja afatgjata për biodiversitetin dhe ekonominë lokale, ndërsa peshkatarët vendas shprehen të shqetësuar për ndikimin në jetën ujore.

Banorët në rajon thonë se nuk kanë përjetuar më parë një rënie kaq të madhe të nivelit të Danubit, një nga lumenjtë më të rëndësishëm të Europës.