11 Korrik 2026

Nga Artan Rama

Ndërkohë që vigjilenca publike ka ngrirë në pritje të paraqitjes së projektit të ndryshuar të Zvërnecit, një burim pranë rrethit profesional të fushës së arkitekturës, por që për arsye sigurie kërkoi të mbetej anonim, më dorëzoi renderat, që sipas tij, ishin riparë pas porosive të fundit.

Materiali është ende i pakonfirmuar, por qysh në faqen e parë shfaqet i njëjti zhvillues, të njëjtët partnerë: “Assets Group” dhe “Affinity Partners”, nën titullin naiv: “A new chapter in luxury” (“Një kapitull i ri në luks”); e njëjta vendndodhje: përgjatë brezit ranor që ndan Adriatikun nga Laguna e Nartës – saktësisht mbi të njëjtin territor, ku shoqëria “Zvernec South Adriatic Development” siguroi me kusht, në 30 mars, lejen e zhvillimit (që ende vijon e pazbardhur(!).

Në vështrim të parë, vihet re intensiteti dramatik i zhvillimit: 5.610 njësi banimi (më shumë se varianti i publikuar përpara); mbi 8000 vizitorë në ditë; 1,500,000 të tillë vetëm gjatë një sezoni (prill-shtator). Rreth 3.800 njësi do të operojnë privatisht, mbi një territor, ku do të shfrytëzojnë shërbime luksi dhe hapësira të virgjëra natyrore të përbashkëta. Shkruhet se numri i dhomave dhe i suitave hoteliere do të jetë rreth 800.

“Fjala është për komoditetin dhe kënaqësinë e restoranteve më të mira në botë…” përshkruhet në dokumentin promovues të masterplanit.

Cilado të jetë radha e renderave të rrjedhura, të fundit, apo më përpara, një gjë del qartë: deri tani, intensiteti i ndërtimit vijon, ekstremisht, i lartë. Peizazhi i Mbrojtur Natyror Pishë-Poro-Nartë rrezikon të shndërrohet, lehtësisht, në një ekosistem aventure të klubeve të plazhit.

Për momentin është gjithçka që dihet. Institucionet janë mbyllur. Shpesh gënjeshtrat më të mëdha prodhohen brenda administratës.

Prej shtatorit 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) ka marrë gjashtë vendime. Por deri tani, asnjë informacion për publikun! Rama i dha dorën e fundit. Pasi shpërthyen protestat, ai e tërhoqi projektin për të mos e parë njerëzit. Për shumicën e tyre zelli i kryeministrit në favor të një biznesi privat, është i pashpjegueshëm.

Ai nuk e ka mohuar ekzistencën e një projekti të ri, madje pohoi publikisht, disa ditë më parë, nisjen e procesit për dhënien e lejes mjedisore. Por nëse kemi mësuar mirë diçka, është se kryeministrit nuk mund t’i besohet, veçanërisht në fjalë. Qëllimi i tij aktual, sikurse edhe në fillim të protestave, është i njëjtë: të manipulojë procesin, nëpërmjet fshehjes së projektit dhe të publikojë atë pasi të ketë përfunduar procesi.

Trauma që solli arroganca, dhuna dhe mungesa e transparencës së indstitucioneve vijon të thellohet. Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT) i është bashkuar edhe Komisioneri për të Drejtën për Informim: të dy i kanë bllokuar të dhënat që gazetarët kërkojnë për projektin.

Sidoqoftë, nuk mund të themi me siguri se kemi një draftprojekt përfundimtar. Rama shqetësohet më shumë për të fshehur projektin, sesa për ndikimin e tij ndaj mjedisit. Kjo ka rritur tensionin mes palëve.

Por kjo nuk është një çështje personale.  Reagimi dhe përfshirja masive po nxit një sentiment kombëtar, duke shtruar pyetje të cilat më parë artikuloheshin zbehtë: kujt i takon sovraniteti dhe cili është kuptimi i tij?

Në slajdet e reja, territori në Zvërnec është ndarë në thela. Krahasuar më të parin, janë shtuar investitorët e mëdhenj të brandeve: Casa Cipriani, Waldorf Astoria, ROSEWOOD Hotels & Resorts, si edhe Cheval Blanc, i cili, ky i fundit, ishte edhe në variantin e publikuar më parë.

Por ndryshe nga i pari, tani ndërtimi është zgjeruar horizontalisht dhe sipërfaqja e prekur është shtuar, nga 727,527m2 në 1,000,000m2.

I vetmi motiv për mbështetjen që Rama i jep projektit ka të bëjë me peshën e turizmit në ekonominë kombëtare. Kjo tregon se intensiteti i ndërtimit nuk mund të negociohet, çka vihet re në renderat e deritanishme.

Duhet pranuar se nuk është lajm i mirë. A mund të shpresohet zbutja e intensitetit prej autoriteti që ka në dorë dhënien e lejes, pa të cilën nuk mund të merren lejet zhvillimore? Praktika e qeverisjes të së paku dy dekadave sugjeron “jo” të padiskutueshme.

Ndryshimet ligjore të zonave të mbrojtura ishin tronditëse, veçanërisht për grupet që e ndoqën nga afër dhe luftuan kundër ndryshimeve. Gjykata Kushtetuese vendosi të mos i rrëzojë, duke i legjitimuar. Më pas, socialistët fituan edhe një mandat të ri. U duk sikur perdja e shpresës ra përgjithmonë. I ashtuquajturi “Revolucioni i Flamingove” e ringriti.

Për herë të parë, njerëzit u bashkuan. Qëllimi është i pastër – duke mbrojtur burimet, mbrojnë atdheun. Por tani shumë po pyesin: çfarë do të ndodhë më tej?

Zvërneci ka mbetur njësoj i rëndësishëm. Përpjekja për anulimin e resortit mund të shërbejë si model për anulime në territore të ngjashme, njësoj të kërcënuara. Por Rama po tregohet kokëfortë, si një bastaxhi emocional.

Njerëzit janë të zemëruar. Por zemërimi mund të mos sjellë asgjë të re. Ndonëse marshojnë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, shkencëtarët nuk janë aktivistë, as demagogë.

Nëse shohim renderat, i tërë territori prej 250ha organizohet, sikurse edhe në variantin e parë, rreth dy poleve: polit cilësor në jug dhe polit sasior në veri; ky i fundit, rreth 8 herë më i dendur në vila dhe në njësi banimi (Fig 1).

Por shkaku kryesor i klasifikimit cilësor lidhet me ekzistencën e dy monumenteve të natyrës në polin jugor: kodrave të rreshtuara njëra pas tjetrës, në formën e një vargu të gjelbër kodrinor, të ashtuquajtura, kodrat molasike dhe laguna me ujë të ëmbël e Limopuos. Falë tyre, poli jugor përbën zemrën peizazhistike të masterplanit (Fig. 2).

A do të kishim një masterplan zhvillimi, pa përfshirjen e dy monumenteve? Ky mbetet një pohim i vështirë.

Ajo që vihet re është se projektimi mbi këtë territor i ka dhënë gjirit natyror statusin e një vendndodhjeje me akses të kufizuar. Nxjerrja e tyre jashtë projektit dhe kufizimi i zhvillimit vetëm përgjatë bregut verior mund të demotivonte çdo përpjekje për realizimin e tij. Pa monumentet, projekti mund të ishte një bllok i rëndomtë renderash kompjuterike. Për këtë arsye, monumentet natyrore të Zvërnecit mund të jenë thembra e Akilit për resortin.

Ndërhyrjen në zonën 2, aty ku ndodhen monumentet, investitori ia ka propozuar bashkëpunëtorit “Rosewood Hotels & Resort”, me të cilin ndodhet, aktualisht, në një tjetër partneritet të kundërshtuar publikisht për ndërtimin e 37 vilave plazhi në “Assomption Island”, një ishull në Oqeanin Indian, i shpallur Trashëgimi Botërore.

Ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura kanë bërë dëme të mëdha. Qeveria e Edi Ramës ka zbatuar një politikë të hollë manipulimi, duke bërë që shkatërrimi të mos jetë lehtësisht i kuptueshëm.

Sidoqoftë, brenda krizës mund të gjenden shtigje. Sipas legjislacionit në fuqi, monumentet e natyrës (përfshirë edhe monumentet në fjalë) vijojnë të mbeten publike dhe të patjetërsueshme. Madje gëzojnë nivelin më të lartë të mbrojtjes, si të tilla, as shiten, as bllokohen. Aksesi i publikut duhet të garantohet në çdo rrethanë.

Dhe pikërisht për këtë arsye vënia e tyre në dispozicion të projektit përbën një shkelje që nuk mund të anashkalohet. Çdo përpjekje për të ndërtuar mbi to, për të ndërhyrë, qoftë edhe minimalisht, duhet denoncuar dhe duhet paditur në gjykatë.

Sipas projektit, hapësira prej 85 ha e monumenteve, konsiderohet një enklave e mbyllur private me 520 njësi banimi (Fig 3).

A mund ta imagjinoni? Qindra blloqe vilash mbi kurrizin e butë të monumenteve publike të shndërruara ne një komoditet privat?! Mjafton një render si ky që ajo të shkëputet si thelë, përgjithmonë. Thjesht, kjo nuk duhet që të ndodhë!

Zelli i kryeministrit në favor të resortit shkakton pasiguri dhe frikë. Ndoshta ky është edhe qëllimi i tij: ngritja e një zhurmnaje për të demotivuar çdo reagim të arsyeshëm. Njerëzit janë të shqetësuar dhe trauma është e madhe, por ata nuk mund të tërhiqen zvarrë nga deliri i një të marri; qoftë edhe nga një grup starkitektësh delirantë grabitqarë.

Ndaj për të shpëtuar nga kjo psikozë, mbrojtësit duhet t’i rezistojnë emocionit. Mbrojtja e kodrave molasike dhe e liqenit Limopuo mund të rezultojë një taktikë e sukseshme e konservuesve të natyrës. Duke i përqëndruar energjitë intelektuale në largimin e investitorëve nga poli jugor, ata mund të nxisin largimin e investitorëve edhe nga ai verior. Në këtë rrethanë, i tërë projekti mund të zhbëhet.

Çfarë akoma? Ndryshimet ligjore në zonat e mbrojtura i zhveshën monumentet nga hapësira mbrojtëse (Buffer zone). Por ky nuk është fundi. Ekologët dhe konservuesit duhet të vijojnë përpjekjet për të rimarrë aksesin e munguar. Ata kanë të drejtë t’i eksplorojnë dhe t’i mbrojnë. Shqiptarët kanë të drejtë për të vizituar monumentet e tyre, rregullisht; këta dhe ata që do vijnë. Kësisoj, shtimi i hapësirave rreth monumenteve do të zvogëlojë hapësirat në dispozicion të investitorëve.

Konservuesit nuk duhet të rreshtin energjitë për të destabilizuar komoditetin që krijojnë miliardat. Në vend të kryeministrit, le të largojnë ata me të cilët ai deliron. Në këtë mënyrë, mund ta mundim kryeministrin edhe nëse ai nuk tërhiqet nga deliri i tij.

—–

Artan Rama është gazetar i pavarur dhe hulumtues, i fokusuar prej vitesh në tema që lidhen me mjedisin dhe territorin. Ka prodhuar dhe drejtuar disa programe investigative. Në vitin 2016 ka fituar çmimin e dytë të Bashkimit Evropian për Gazetari Hulumtuese.