Covid-19 mund të sjellë shpresë për rajonet e harruara

– 16.04.21

Në Spanjë, vetëm dhjetë për qind e popullsisë jeton në zonat rurale, duke i bërë fshatrat spanjolle rajonet më pak të populluara të Evropës. Pandemia e Covid-19 dhe mundësia e shumë banorëve të qyteteve për të punuar nga distanca duket se po e ndryshojnë këtë prirje.

Prej dekadash, spanjollët kanë braktisur shtëpitë e tyre në fshat, të trashëguara nga paraardhësit e tyre, për të punuar në qytete si Barcelona, një nga zonat më të populluara të Evropës.

Kjo prirje mund të ndryshojë ndërsa shumë prej tyre po fillojnë të kthehen në rajonet rurale si Ginestari, një fshat katalanas që është kryesisht i zbrazët.

“Gjatë pandemisë, kam vërejtur se ka patur njerëz, jo të gjithë spanjollë, që po vijnë këtu, të interesuar për të gjetur një shtëpi të vogël”, thotë Maria Esther, banore e fshatit Ginestar.

Sipas një sondazhi të fundit, tre në dhjetë banorë të Barcelonës janë të gatshëm të largohen nga qyteti. Strehimi më i mirë, aftësia për të punuar në distancë dhe shqetësimet në lidhje me krimin janë arsyet kryesore.

Ndryshimet demografike dhe ardhja e njerëzve, shumë prej tyre nga ish kolonitë e Spanjës, janë gjithashtu një faktor në prirjen e këtij ndryshimi.

María Esther, një emigrante nga Peruja, u zhvendos në Ginestar shtatë vjet më parë. Ashtu si të tjerët që janë vendosur këtu, ajo erdhi për t’i shpëtuar jetës në qytet.

“Kjo ka qenë përvoja ime, kur kam banuar në Lima dhe më pas në Madrid, jeta ishte stresuese”, thotë Maria Esther.

Në vitin 2019, Spanja ishte vendi i dytë në Bashkimin Evropian me shkallën më të ulët të lindjeve, pas Maltës. Të huajt përbëjnë pjesën më të madhe të shtimit të vogël të popullsisë.

“Ne kemi parë tre çifte të moshës sime, 30 deri në 35 vjeç, që lëvizën në këtë fshat”, thotë Mandy Van Out, imigrante holandeze.