Çmimi i bukës do të rritet sërish, paralajmërimi i prodhuesve: – Shkaku importi dhe faturat.

7 SHTATOR 2021

Prej dy ditësh çmimi i bukës është rritur në vlerën e 100 lekëve të vjetra. Kjo rëndon te konsumatori shqiptar, të cilit i rritet një kosto tjetër për ekononimë e tyre.

Por prodhuesit e bukës paralajmërojnë një tjetër rritje të çmimit të bukës, duke mos u ndalur vetëm me kaq.

Paralajmërimi ka ardhur prodhuesi Pëllumb Thethi. “Për momentin është 10 lekë, por nuk e mendoj se e përballon. Unë jam shumë njerëzor dhe e kryej këtë aktivitet prej 27 vitesh dhe në çdo situatë që ka kaluar Shqipëria, qoftë në luhatjet e çmimit, qoftë nga ndryshimet drastike që ka pasur nga sistemi në sistem, por edhe në krizat më të mëdha që ka kaluar në ato kohë kur edhe shteti nuk ishte aq funksional, buka ka qenë njerëzore dhe ka shërbyer dhe nuk e ka abuzuar. Nuk mendoj se i përballon këto kushte rritja e çmimit me 10 lekë”, deklaroi ai për Euronews Albania.

Rritja e çmimit të bukës ka ardhur si reaksion zinxhir që nis nga import i prodhimit dhe tregtimi.

“Faktorët e prodhimit janë shumë të vështirë dhe një ndër ata janë rritja e çmimit të miellit. Ju e kuptoni se lëndët e para janë rritur në të gjithë botën, hekuri është rrit, plastika është rrit edhe si lëndë e parë mielli dhe gruri janë rritur”, u shpreh Pëllumb Thethi, prodhues.

Sipas tij furrat e bukës janë të detyruara ta bëjnë këtë ndryshim çmimi, pasi mbi ta rëndon edhe fatura e TVSH-së.

“Në të gjitha dyqanet, disa prodhues shesin bukë duke shpërndarë pa faturë tatimore dhe t’i shkon në çdo supermarket duke dalë dhe këtu jashtë shtëpisë sime dhe t’i merr bukë pa faturë. Si mund ta shes ai pa faturë nëse nuk e ka marrë pa faturë?”, u shpreh ai.

Buka është produkti me ndjeshmërinë më të lartë nga qytetarët, kur bëhet fjalë për rritje çmimi. Shpenzimet për ata janë të përditshme dhe në familjet në nevojë ekonomike, konsumi i saj është edhe më i lartë, kjo për pamundësi të blerjes së shumë produkteve të tjera ushqimore.

Gazeta Shqip