5 Mars 2024

Pas mbylljes së shkurtit me temperatura pranvere, marsi ka nisur me mot të paqëndrueshëm.

Bora zbardhi zonat e thella malore. Ndërsa në pjesët e tjera te vendit ka reshje shiu që parashikohet të vazhdojnë edhe në orët në vijim.

“Orët vijuese do të sjellin pakësim të reshjeve, ku mbeten kryesisht vetëm në zonat verilindore dhe juglindore. Reshjet e borës në lartësitë 900 1000 metra. Kanë qenë dy fronte që kanë ardhur një nga jugu i Italisë dhe një nga pjesa veriore e Ballkanit që kanë sjellë këtë situatë”, tha sinoptikania Lajda Porja.

Sipas Meteoalb, fundjava sjell një përmirësim të përkohshëm të kushteve meteorologjike, pasi reshjet e shiut do ndërpriten.

“Ka një zhvillim të një tjetër celule ditën e enjte që përkon me datën 7 mars që do të sjellë reshje dhe rrebeshe kryesisht në zonat veriore dhe qendrore, më pak jugu. Parashikohet që e premtja të ketë një ndërprerje të reshjeve. E shtuna dhe të dielën reshje të pakta”, tha më tej ajo.