Baleti i Tish Daise “Halili dhe Hajria”, një vepër që skena shqiptare e kërkon ende sot

Baleti Halili dhe Hajrija
25 Janar 2026
Nga Julia Vrapi
“Halili dhe Hajria” baleti i parë shqiptar, që hap siparin e baleteve kombëtare, i vënë në skenë më 13 janar të vitit 1963. Vepër e kompozitorit Tish Daija, baletmaestër Panajot Kanaçi dhe dirigjent Mustafa Krantja. Premiera në vitin 1963 u shndërrua në një ngjarje madhore, ku u mblodhën artistët më të mirë të koreografisë shqiptare, duke formuar një trupë të jashtëzakonshme dhe një shfaqje të paharrueshme. Subjekti i baletit “Halili dhe Hajrija” mbështetet tek drama me të njëjtin titull, shkruar në vitin 1949 nga Kolë Jakova. Balet me tre akte që u vu në skenë 63 vjet më parë, por që dhe me rivëniet e tij më pas ndër vite ka qenë një vepër e suksesshme. Solisti i TKOB Skënder Jazexhiu ka qenë në skenë me rolin e Mustës në vepër kur sipas tij u rivu në skenë në 1965.

Baleti Halili dhe Hajrija
Jazexhiu shprehet se baleti “Halili dhe Hajria” në Teatrin e Operës dhe Baletit (sot Universiteti i Arteve) në 1963 nuk është thjesht një shfaqje artistike, por një element përfaqësues i kulturës dhe identitetit kombëtar. Sipas tij baleti “Halili dhe Hajria” i vitit 1963 vazhdon të mbetet një vepër e domosdoshme për repertorin e baletit shqiptar. Ai përçon bukurinë artistike, duke i ofruar publikut emocion dhe identitet kulturor. “Baleti “Halili dhe Hajria” është simbol i traditës së baletit kombëtar shqiptar. Vepra mbështetet mbi traditat kombëtare dhe elementët e koreografisë shqiptare. Me muzikë nga Tish Daija, ky është baleti i parë kombëtar në skenën shqiptare. Ai konsiderohet një vepër madhore dhe një nga simbolet kryesore të koreografisë shqiptare, mbi të cilën kjo traditë u zhvillua më tej. Vepra mund të vihet në skenë edhe sot, madje ajo është një domosdoshmëri për repertorin e baletit shqiptar, pasi skena e kërkon dhe publiku e vlerëson”, shprehet ai.

Baleti Halili dhe Hajrija
Solisti i parë i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit Skënder Jazexhiu rrëfen se kur baleti “Halili dhe Hajria” u vu në skenë ishte me pjesëmarrjen e artistëve të baletit, artistë nga Ansambli Shtetëror apo dhe Shkolla Koreografike Shqiptare, duke formuar sipas tij një trupë të madhe artistike dhe një shfaqje me nivel të lartë artistik. “Unë kam qenë në skenë me rolin e Mustës, isha dublat me atë rol. Kam qenë në skenë kur vepra u rivu në vitin 1965 dhe isha 17 vjeç dhe jo gjatë premierës së vitit 1963. Baleti “Halili dhe Hajria” është një nga veprat më të mëdha të koreografisë shqiptare, me në krye maestron Panajot Kanaçi dhe me Tish Daijën, i cili u mbështet për muzikën edhe nga burimet popullore”, vijon Skënder Jazexhiu më tej. Skënder Jazexhiu një prej solistëve të njohur të TKOB-së edhe më parë ka folur për rëndësinë e veprave kombëtare në skenë. Në aktivitetin e Skënder Jazexhiut në balete kombëtare dhe të huaja përmendim personazhet Musta te “Halili dhe Hajria”, Arbani te “Delina”, roli i burizanit te “Fatosi partizan”, Pjetri te “Cuva e Maleve”, te “Don Kishtoi” Sanço, “Lola” roli i Mengos, “Arrëthyesi” spanjolli, “Tokë e pamposhtur” peshkatari, “Bijtë e peshkatarit” Petriti, “Lumi i vdekur” Llazi, etj. Në 2002 mbyll aktivitetin në skenë me baletin “Don Kishoti”.

Baleti Halili dhe Hajrija
Vepra në skenë
Referuar materialeve arkivore më parë nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, interpretuesit e parë në rolin e Halilit, ishin: Xhemil Simixhi, Kristaq Rada dhe Llaqi Nako. Ndërsa në rolin e Hajries: Ganimet Vendresha (Simixhi) dhe Zoica Haxho, në rolet e tjera përmenden emrat e Luan Shtinos, Miltiadh Papës, Agron Aliajt, etj. Më 12 dhjetor 1973 u luajt për të 150-tën herë. Në vitin 1983, kjo vepër rivihet në skenë. Krahas emrit të Llaqi Nakos, në rolin e Halilit, radhitet edhe ai i Ilir Kernit, ndërsa në rolet e tjera Albana Sulejmani, Pëllumb Agalliu, Hajdar Shtuni, Ludmill Çakalli, etj. Baleti “Halili dhe Hajrija” është shfaqur edhe në Kosovë (1979), në Greqi (1983), në Itali (1991) dhe në Francë (1980).
