17 Nentor 2025

Studiuesit thonë se kanë zbuluar gjurmë të patogjenëve vdekjeprurës që kishin goditur ushtarët e Napoleonit gjatë tërheqjes së tij fatale në vitin 1812 nga Rusia — duke ofruar një tablo më të qartë mbi rrethanat që çuan në rënien e gjeneralit francez.

Një studim i publikuar më 3 nëntor në revistën Current Biology analizoi ADN-në e marrë nga dhëmbët e disa ushtarëve francezë të varrosur në një varr të përbashkët në Vilnius, Lituani.

Këta ushtarë shërbenin nën komandën e Napoleonit gjatë pushtimit të tij të dështuar të Rusisë në dimrin e vitit 1812. Ata ishin mes rreth 300,000 ushtarëve të Grande Armée që humbën jetën gjatë fushatës.

Studiuesit thanë se dhëmbët përmbanin baktere që shkaktojnë ethe paratifoide dhe ethe rikthyese të përhapura nga morrat — duke treguar se disa infeksione qarkullonin mes ushtarëve, të cilët ishin dobësuar nga uria dhe temperaturat shumë ulëta

Këta dy patogjenë nuk ishin identifikuar më parë te ushtarët e Napoleonit, megjithëse historianët kanë dokumentuar kushtet e tyre të rënda të vdekjes për më shumë se dy shekuj.

Pasi marshoi drejt Moskës, fushata e Napoleonit u shpërbë me shpejtësi. Perandori francez u detyrua të tërhiqej mes dimrit të ashpër rus, mungesës së furnizimeve dhe kundërsulmeve të forta.

Autori i studimit, Nicolás Rascovan, duke folur për Reuters, tha se Vilniusi “ishte një pikë kyçe përgjatë rrugës së tërheqjes së vitit 1812.” Varrimi masiv përmban mbetjet e deri në 3,000 ushtarëve.

“Shumë ushtarë mbërritën të lodhur, të uritur dhe të sëmurë,” tha mikrobiologu.

“Një numër i konsiderueshëm ushtarësh vdiqwn atje dhe u varroswn shpejt në varre masive,” tha Rascovan. Ai shtoi se uria, temperaturat e acarta dhe tifusi njiheshin prej kohësh si shkaktarë kryesorë të vdekjes, por studimi provon në mënyrë përfundimtare se ethet paratifoide dhe ethet rikthyese të përhapura nga morrat ishin gjithashtu të pranishme.

Këto, sipas Rascovan, “mund të kenë kontribuar në dobësimin dhe vdekshmërinë e ushtarëve.”

Katër nga 13 ushtarët e testuar dolën pozitiv për bakterin që shkakton ethet paratifoide, ndërsa dy të tjerë dolën pozitiv për bakterin që shkakton ethet rikthyese.

Të dy infeksionet bakteriale shkaktojnë ethe, dhimbje koke dhe dobësi, dhe mund të përhapen shpejt në kushte të mbipopulluara dhe të papastra.

Ethet paratifoide përhapen përmes ushqimit dhe ujit, ndërsa ethet rikthyese përhapen nga morrat e trupit.

Rascovan theksoi se studimi i ADN-së së lashtë “na lejon të identifikojmë infeksione që vetëm përshkrimet e bazuara në simptoma nuk mund t’i zbulojnë.”

“Prania e njëkohshme e patogjenëve me rrugë transmetimi të ndryshme tregon sa të rënda ishin kushtet sanitare,” tha ai.

“Studime të mëtejshme në më shumë vendndodhje dhe individë do të ndihmojnë në përmirësimin e kuptimit mbi peizazhin e sëmundjeve të vitit 1812.” /Fox News/