Arte – Blerta Xhomo, hiret e një spatule. –

-Vështroj tablotë punuar me spatul dhe imagjinoj një çast dorën e saj që zgjatet mbi telajon e bardhë për krijimin e figurës, duke ngjeshur ngjyrën, herë me forcë, herë fare lehtë, si një lloj përkedhelje. Por herë-herë ajo është aq e fortë sa që e bën tablonë, figurën të klithë në vuajtje apo ekstazë

Nga: Luan Rama * 

Dëshira dhe rastësia më çoi në studion e piktores Blerta Xhomo. Tablo, grafika, telajo, tavolinë bojrash dhe në veçanti spatula të shumta.
– Omer Kaleshi punon vetëm me spatul, – i them. – Ti ke gjithë këto ndërsa ai ka vetëm një. Një spatul që ka mbajtur njëmijë tablo.
Ajo qesh.
– Më pëlqen shumë të punoj me spatul.
– Spatula është e shenjtë, por do mjeshtrin e vet. Do një shpirt!
Vështroj tablotë punuar me spatul dhe imagjinoj një çast dorën e saj që zgjatet mbi telajon e bardhë për krijimin e figurës, duke ngjeshur ngjyrën, herë me forcë, herë fare lehtë, si një lloj përkedhelje. Por herë-herë ajo është aq e fortë sa që e bën tablonë, figurën të klithë, në vuajtje apo ekstazë, pasi ngjyra jo rrallë klith kur do të tregojë dramën e vet.

Piktori Omer Kaleshi dhe piktorja Blerta Xhomo
Spatula trazon ngjyrat, ngjiz, krijon atë që pëlqen jo dora por syri, shpirti. Dora ngrihet sërrish duke hezituar një çast si duar balerine, hepuar, e pastaj ja tek ngjeshet pas pëlhurës. Krijon një reliev, pastaj një tjetër, sipër saj një tjetër. Eshtë një fytyrë vajze, e shtrirë, në gjendje ekstaze, aq sa dhe përmes spatulës që duket aq e ftohtë ti ndjen ngrohtësinë e një trupi. Vallë kjo fytyrë e shtrirë ëndërron. Kjo tablo më kujton një portret të Omer Kaleshit, në format të madh, ngjyrë okër. Pikërisht një kokë mbi litar, një vajzë e dehur, e ngazëllyer apo më mirë në ekstazë, çka më shtyu të shkruaj një poezi. Po, një vajzë me sy të mbyllur dhe kokën lëshuar pas, në gjendje ekstaze. Dy portrete të përafërta, por pikturuar në mënyra të ndryshme, edhe pse me një spatul. Eshtë një kokë e lëshuar, pa menduar se mund të bjerë, në ç’shtrat apo greminë të panjohur. Një rënie në peshë të lirë apo në një botë pa gravitet.

U rikthehem sërrish spatulave dhe vështroj përsëri një tablo të madhe. Rrugëtim. Nuk dua të më thotë se ç’përfaqëson. Më pëlqen të zhytem brenda kuadratit të tablosë për të përjetuar atë çka është dhënë përmes linjave, ngjyrave, figurave. Gjykimet gjithnjë janë subjektive. Piktura nuk tregohet nga piktori. Ai ka dëshirë ta lerë atje para publikut. Siç na ndodh me një roman, kur lexojmë, por aty shkruhet, ndryshe nga një tablo. Sidoqoftë më bën përshtypje ajo turmë, në atë sfond të gjërë. Një turmë në lëvizje, hijerëndë, solide, trupa që shkojnë njëherësh në një sfond të shqetësuar. Vallë një det i shfrenuar? Për ku kështu në këtë botë pa kufij? Erë, furtunë dhe fytyrat e prera, shkëmbore, jo nga spatula, por nga dhimbja, lodhja e madhe, pa ditur se ku shkojnë. Spatula të ngjan se ka fuqi çudibërëse, ajo do ta konfigurojë dhimbjen e fshehur, pritjen e gjatë, ikjen e mundimshme, larg, për në një tokë tjetër. Një turmë, një popull në ikje në ditë stuhie.
Spatulat qëndrojnë gjithnjë aty, pranë bojrave. Një cikël i ri ka përfunduar tashmë. Vetëm një nga tablotë e ciklit prej katër tablosh munda ta fotografoj…

Më pëlqeu shumë. Kishte diçka prometeane. Madje dhe cikli mund të kishte një eho prometeane, pasi janë figura të fuqishme edhe pse të cfilitura në arenat e kohës, ku duhet të përballosh duhitë. Spatula i ka goditur ngado, u ka dhënë dritëhijet e tyre, në fytyrë, në gjoks, mbi shpatulla, ka krijuar burime drite, apo rrjedhje drite nga lart poshtë, pasi ata duan të ngrihen, janë atletë të mundit, të rilindjes, rimëkëmbjes, ata gjithnjë ringrihen, nuk e pranojnë sfidën. Janë figura plot energji dhe të duket se nga çasti në çast do lëvizin. Si në legjendat e vjetra ku tërmetet lidheshin me zemërimin dhe shkrofëtimet e buajve nën tokë, ndërsa këtu me ngritjen e zhurmëshme dhe epike të njeriut… ç’forcë! Dhe gjithçka në një sfond të xhveshur, pasi këto lloj figurash tragjike e vagneriane s’kanë nevojë për dekore. Ato janë vetvetja. Pamje monumentale prej mishi e gjaku. Aty është gjithçka. Mendimi, fjala e pikturuar, njeriu ideal që nuk pranon të mposhtet. Hire krijuar nga një spatul!…

Blerta me Luan Raman