Andi Bejtja: – Mini-shengeni një flluskë sapuni. Nga ky projekt përfiton vetëm Serbia. –

11 Nentor, 2019

Gazetari dhe analisti, Andi Bejtja shprehet se projekti i mini-shengenit Ballkanit është i dështuar.  Bejtja thotë se nuk mund të ketë mini-shengen pa Kosovën. “E shikoj si një flluskë sapuni, e aq më pak si Jugosllavi. Për shumë njerëz kjo shprehje ka konetacion negativ. Ky mini-shengen më shumë se do të krijojë një lëvizje të lirë, do të sjellë një prishje të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës”, -tha Bejtja.

I ftuar në studion e lajmeve të SYRI TV, Bejtja tha se “dje Edi Rama foli më shumë se kushdo kundër liderëve shqiptarë. Edhe vetë Hashim Thaçi, që njihet për afërsinë me Ramën, i doli kundër. Kjo lëvizje nuk ka vizion. Ide të tilla, ka pasur edhe në kohën e ish-Jugosllavisë, kishte ëndërrimtarë dhe këta ishin titistët më të shumtë, që thonin se Shqipëria të bëhet republika e 7 dhe kur të ndahet shteti, Shqipëria bashkohet me Kosovën”.