Amza e Shkollës Arbërore në Venedik i viteve 1442-1780.

Nga: Jahja Drancolli

Amza e Shkollës Arbërore në Venedik i viteve 1442-1780 është një burim origjinal më vëllim prej 132 faqësh, që fshifet në fonde të Arkivit Shtetëror të Venedikut. Një kopje jo e plotë e saj ruhet sot dhe në Bibliotekën Kombëtare Marciana të Venedikut. Është e njohur se inkursionet e para osmane kishin shembur Universitetin e Durrësit, kuadri i të cilit kishte themeluar Universitetin e Zarës (1396), Shkollën e Arbërve në Venedik (1442), si dhe themelata të tjera shkencore , kulturore e arsimore nga dfolën emra më të shquar të Rilindjes europiane, si, Leonik Nikollë Tomeu, Gjin Gazulli, Marin Barleci, Marin Beçikemi, Martin Segoni i Novobërdës, Viktor Karpaçi, Mark Bazaiti, Lukë Paneti-Ulqinaku, Bernardin dhe Matej Vitali – Albanesoti dhe Nikollë Blashi!

Pas inkursioneve të para osmane në Arbëri të njohura së paku nga vitit 1385, rrugët e ekzilit të popullatës arbërore shtriheshin pothuajse në çdo cep të bregdetetit Adriatik. Numerikisht ngulitja më e madhe e tyre është bërë në trevat e Republikës së Venedikut dhe Mbretërisë së Napolit. Krahas arrbërve, në Venedik dokumentet arkivore dëshmojnë dhe për minoritete të qëndrushme hebraike, kroate, polake,, boheme, gjermane, dhe madje nga vende islame. Me shpërnguljen dhe ngulitjet e tyre kishte pësuar edhe onomastika vendore.
Këtej, sipas minoriteteve, nisën të quheshin dhe pjesë ca më të vogla të qytetit. Ndërkaq, selitë e tyre në godina të veçanta të huazuara nga autoritetet venedikase quheshin fondaci. Në këtë kontekst, sipas komunitetit arbëror, i cili ishte shpërndarë në zona, si ato, Castello, San Croce, San Polo, Cannaregio dhe San Marco, u quajtën gjashtë rrugë Calle degli Albanesi. Në zonën San Marco u vendosën edhe mikrotoponimet të cilat ndërlidhëshin me familjen bujare arbërore Zguri nga Kotorri, të vendosur këtu nga kapërcyelli i shek. XV. Pallati tyre gjendet në sheshin e Shën Mauricit, shumë afër objektit të Shkollës Arbërore. Përballë këtij pallati, po në këtë shesh, skaj shkollës në fjalë gjendet Pallati Molin, pronë e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, të cilën ia kishte dhuruar Republika me rastin e shpalljes së tij për Qytetar nderi të Venedikut.
Valët më të mëdha të mërgatës arbërore i ndeshim nga koha e pushtimeve të Dushanit, dhe sidomos nga koha e pushtimeve osmane, ku pjesa më e madhe, siç është e njohur u vendos së pari në Bizant, dhe që këtej më vonë në Jug të Italisë. Ndërkaq, pjesa tjetër duke kaluar nëpër Raguzë dhe Zarë, qendra këto që ruanin lidhje të ngushta me Republikën e Venedikiut, por dhe me Arbërinë zunë vend në Veri e sidomos në Venedik. Veç Venedikut dhe ishujve përreth, mërgimtarët arbërorë i ndeshim edhe në Ancona, Rimini, Fano, Senigallia, Pesaro, Vicenza, Padova, Treviso, e ndonjë tjetër. Në këtë rrugë ekzili ishin nisur kryesisht arbërit nga Durrësi, Tivari, Shasi, Ulqini, Shkodra, Shën Gjini, Lezha, Drishti, Vlora, Janjeva, Novobërda, e ndonjë qendër tjetër. Për të gjithë këta të ardhur nga qytetet në fjalë, në perceptimin e përditshëm si dhe në dokumente zyrtare venedikase është përdorur apelativi Albanese.
Të kalojmë tani te Shkolla Arbërore ose Scuola degli Albanesi e themeluar në tetor 1442 në famullin San Severo në pjesën lindore të zonës së qytetit Castello. Është fjala për një tip të shkollave të vogla (Le scuole piccole), numri i të cilave ishte bukur i madh. Shkolla në fjalë ishte një lloj qendre nacionale për arte, artizanë dhe zejtarë. E konsiderojmë gjithashtu për qendër të parë fetare ku mbaheshin shërbesat në gjuhë arbërore. Organizimi saj është bazuar në shkolla të vogla të qytetit. Këtej, ajo kishte këtë strukturë: Banca, Gastaldo (ose guardiano), Vicario, Scrivano, dhe Degani.

Jahja Drancolli Amza e Shkollës Arbërore në Venedik i viteve 1442-1780.

Shkolla Arbërore në fillimët e saj ishte kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë (Madona del Buon Consliglio, e quajtur edhe Nostra Signora di Scutari), si dhe Shën Galit. Që në vitin 1447 sipas vendimit të Këshillit të Dhjetëve, selinë e veprimtarisë së saj e kishte transferuar në famullinë San Maurizio, në zonën e Shën Markut, pjesë e qendrës së qytetit. Në kishën e Shën Mauricit, mërgimtarët arbërorë kishin të drejtë të tuboheshin, t’i mbajnë reliktet që i adhuronin, t’i varrosnin anëtarët e bashkëvëllezërisë. Për shkaqe të rritjes së numrit të mërgimtarëve arbër, autoritet e kishës venedikase nga kapërcyelli i shek. XV u japin të drejtën për ta përdorur varrezën në bazilikën e njohur dominikane SS Giovanni e Paolo. Në kishën e përmendur gjendën shumë varre të bashkëvëllezërisë arbërore. Në varrezën e kësaj kishe ruhet ky mbishkrim: QUESTA SEPULTURA SI E DELLA SCHOLA DE/ LA NATION DI ALBANESI MCCCCLXXXXI. Ndërkaq, në kishëzën S. Orsola është gjendur mbishkrimi: SEPVLTVRA SCHOLAE SANCTAE MARIAE/SANTI GALLI NATIONIS ALBANIE/SIUM I. ORTE IN SANCTO MAVRITIO. MCCCCLXXXXI.
Në vitin 1489, bashkëvëllezëria arbërore, tashmë kishte ndërtuar objektin e vetë. Godina e Shkollës ishte ngritur midis kishës së Shën Mauricit dhe kumbonarit, gjë që mund të vërhet fare lehtë edhe sot. Ajo kishte një ballinë të ngushtë me proporcion shumë të thellë, e cila mbështetej drejtpërsedrejti me kishën e Shën Mauricit. Për fasadën e godinës, përkatësisht ballinën, përveç qemerëve të dyerve dhe dritareve që për material ndërtimi u përdorë guri i Istrisë, pjesa tjetër e fasadës u ndërtua ndërkaq me tullë. Ballina e Shkollës, duke qenë në një lini me kishën, shikonte sheshin Piovan (Calle del Piovan). Kundruall Shkollës kanë qenë të ngritur shtëpiat e kapelanëve, që shtriheshin deri te procka e afërme e Shën Mauricit dhe më pastaj duke u zgjatur deri te ndërtesa e kuvendit të Shën Mauricit. Në mes të godinës, është gjendur oborri pitoresk bashkë me një pus në qendër dhe me një galeri druri, e cila rrethonte oborrin në tërësi me hardhi. Nga oborri kishte tri dalje për në shesh, për në prockë në vendin e zbarkimit dhe në drejtim të kishës së Shën Mauricit. Shkolla zinte pjesën e pasme të godinës së gjatë. Më pastaj vinin shtyllat në gjërësi, dhe më pastaj bujtina e famullitarit. Në katin përdhesës është gjendur e ashtuquajtura Albergo da basso (bujtina e poshtme), ku është vendosur një altar guri pak i ndriçuar, gjë që dëshmohet edhe nga radhonjat e Statutit ose Amzës së shkollës. Kur është fjala për Statutin, respektivisht Amzën e bashkëvëllezërisë arbrërore ose si e ndeshim në dokumente Mariegola, respektivisht Matricola, është ruajtur vetëm kopja nga viti 1750, e cila sot ruhet në Arkivin Shtetëror të Venedikut dhe një kopje jo e plotë në Biblioteca Nazionale Maraciana. Bashkëvëllezëria kulmin e zhvillimit e kishte arritur gjatë gjysmës së dytë të shek. XV dhe gjatë gjithë shek. XVI.

Amza e Shkollës Arbërore në Venedik i viteve 1442-1780.

Bashkëvëllezërit të mërguar arbërorë nuk kursyen fare mjete për dekorimin e shkollës së tyre. Ata kishin një qëllim që shkolla e tyre gjithëherë të ruaj pamjen solemne. Përveç pjesës së brendshme apo enterierit të ndërtesës së shkollës, e cila në kuptimin e plotë të fjalës qe një galeri e shkëlqeyshme, ajo zotëronte vlera të mëdha artistike edhe në relievin ballor të objektit të realizuar përfundimisht në vitin 1532.
Midis dy dritareve të katit të parë të shkollës është vendosur një pllakë e forcuar nga guri i Istrisë me një basoreliev madhështor, i cili edhe sot shihet e lexohet mirë. Aty, veç konfirmimit dhe rëndësisë qytetit të Shkodrës në politikën venedikase mbi Adraitik dhe Mediteran, shihet edhe rëndësia e mërgimtarëve shkodranë në historinë e mërgatës të komunitetit arbëror në Republikën e Venedikut. Në pjesën e epërme të kornizës e shohim paraqitjen e luanit të Shën Markut (Leone di San Marco), si dhe stemat e familjeve bujare venedikase Loredani e Lezze, dëshmia e rrethimeve më shkatërruese të Shkodrës (1474 2 1478-1479), dhe një mbishkrim që të kujton një kohë të suksesshme nga vitit 1474. Nën mbishkrim janë paraqitur relievet e figurave plastike të Shën Galit, Zojës Virgjër me fëmiun, dhe Shën Mauricit. Autori i këtyre veprave mendohet të jetë Pirgoteli, një skulptor zulmëmadh i Renesansës. Në fund, në arkitra të objektit përvijohet mbishkrimi. SCOLA S.MARIA SAN GALLO DI ALBANESI. Bashkëvëllezëria arbërore, numerikisht dhe ekonomikisht më e fuqishme pikërisht në kohët e vështira për ekzistencë, në vitet 1502-1508, për dekorimin e selisë së saj do ta angazhoj piktorin e madh Viktor Karpaçin i njohur me opusin e tij Cikli i Arbërve, ku paraqitën piktura me skena nga jeta e së Lumës Zojë Mëri: l. Nascita della Vergine (Lindja e Virgjëreshës), 2. Presntazione della Vergine al Tempio (Paraqitja e Mërisë në tempull), 3. Madonna con il Bambino tra i Santi Caterina e Gerolamo (Zoja Mëri me fëmijën midis Shenjtorëve Katarina dhe Jeronimi) 4. Sposalizio di Maria Vergine (Kurorizimi i Mërisë Virgjër), 5. L’ Annunciazione (Festa e Mërisë së Virgjër), 6. La Visitazione (Vizita e Zojës Maria Elezabeta) dhe 7. La morte della Vergine (Vdekja e Mërisë së Virgjër). Shkodra ishte paraqitur edhe në një pikturën Gloria di Sant’Orsola (Lavdi Shën Ursulës) të Karpaçit nga vitit 1491. Detaji i pikturës i paraqet shkodranët dhe osmanët dhe në prapaskenë paraqitet profili i fortifikatës dhe liqeni i Shkodrës. Kjo paraqitje i gjason paraqitjes së Shkodrës në librin e Rosacciov-it, Viaggio da Venetia a Constantinopli (Venezia 1598). Rrethimin e Shkodrës e ka paralajmëruar në pikturën me përmasa të mëdha të paraqitur në sallën e Këshillit të Madh të Pallatit të Dukës (Salla del Maggior Consiglio) edhe piktori i njohur venedikas, Paolo Veronese, rreth vitit 1585. Motive të ngjashme ndeshim edhe të Mark Basaiti, një piktor tjetër i madh arbëror, që ruante lidhje të afërta me pjesëtar të Shkollës arbërore. Këto lidhje nuk i kanë shkëputur asnjëherë edhe intelektualët të tjerë arbëror, të cilët vepronin në Venedik dhe rrethe. Vargu i tyre është bukur i madh. Në këtë rast mua më pëlqen të përmendën, Marin Barleci, Marin Beçikemi, Leonik Nikollë Tomeu, Gjin Gazulli, Martin Segoni, Lukë Paneti – Ulqinaku, Bernardin dhe Matej Vitali – Albanesoti dhe Nikollë Blashi.
Shkolla Arbërore ishte aktive deri në 1780, bashkëvëllezëria shpërndahet në këtë vit dhe ndërtesa kalon në duart e korporatës dei Pistori (të bukëpjekësve). Shumë orendi dhe pajisje të brendshme me vlera të mëdha do të shitën apo do të humbasin. Në sallën e Shkollës edhe më tej do të ruhen 43 piktura. Gjashtë prej tyre janë të Karpaçit. Ndërkaq, për të tjerat nuk kemi njohuri. Këto gjashtë piktura të Karpaçit i kishte parë në vitin 1784 edhe G. B. Mengardi, sipas të cilit këto kishin nevojë për mbrojtje urgjente!