Amerikanët kërkojnë hetime pushtetarësh, Yuri Kim mesazh SPAK e BKH të fokusohen te zyrtarët e nivelit të lartë, SHBA asistencë në dosje

23 DHJETOR 2020

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë që të nisin hetimet për zyrtarët e lartë të korruptuar në Shqipëri. Ditën e djeshme Shqipëria dhe Amerika firmosën një traktat ekstradimi për kriminelët e arrestuar në të dyja vendet. Gjatë ceremonisë ambasadorja Yuri Kim çoi një mesazh në drejtim të SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara presin hetime në nivele të larta. Sipas ambasadores Yuri Kim, Shtetet e Bashkuara po asistojnë për një luftë më të ashpër kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë krah Shqipërisë dhe të mbështesin përpjekjen e saj për të çuar përpara reformën në drejtësi, pavarësisht të gjitha sfidave me të cilat përballet. Përmes programeve tona të sektorit të drejtësisë, ne nxisim dhe mbështesim punën e paçmuar të Prokurorisë së Posaçme (PP) në vendosjen e përparësive dhe përqendrimin e burimeve në çështjet më të rëndësishme kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe kundër krimit të organizuar”, tha Kim. Ndër të tjera Kim u shpreh se po ashtu po punohet edhe për Byronë Hetimore, ndërsa theksoi se SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit janë prioritet për SHBA. “Ne po punojmë gjithashtu edhe me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) në çdo hap të zhvillimit të saj, duke ndihmuar aktualisht në zgjedhjen e më të mirëve nga hetuesit më të mirë, përmes një procesi të drejtë, objektiv dhe transparent të punësimit. Ndihma që SPAK të funksionojë plotësisht (si PP ashtu edhe BKH) është një prioritet për Ambasadën e SHBA. Ky është një proces në rrugë e sipër dhe një parakusht për arritjen e rezultateve të dukshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Suksesi i SPAK-ut nuk është vetëm çka Shtetet e Bashkuara presin është ajo që qytetarët shqiptarë duan, kanë nevojë dhe meritojnë”, tha ambasadorja Kim.

Qëllimi i traktatit

Teksa e cilësoi si një nder nënshkrimin e këtij traktati, ambasadorja Kim u shpreh se me këtë marrëveshje të re që zëvendëson atë të nënshkruar 87 vite më parë dëshmohet edhe një herë partneriteti gjithnjë e në rritje midis dy vendeve. Kim theksoi se ky traktat do t’i japë fund sipas saj pandëshkueshmërisë së kriminelëve. “Është një nder i madh të nënshkruajmë këtë Traktat Ekstradimi midis qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë së Shqipërisë, i cili është dëshmia e fundit e partneritetit gjithnjë e në rritje midis vendeve tona. Ky traktat modernizon dhe zëvendëson atë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Shqipërisë, të nënshkruar 87 vjet më parë, më 1 mars 1933, në Tiranë. Ky Traktat Ekstradimi siguron një kornizë moderne, e cila do t’u mundësojë Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë të përballen në mënyrë më efikase me sfidat dinamike të paraqitura nga krimi ndërkombëtar. Ky traktat nuk i kufizon më veprat e ekstradueshme në një listë të thjeshtë. Fushëveprimi është zgjeruar për të pasqyruar konceptet moderne në luftën kundër krimit dhe natyrën e fortë të marrëdhënies sonë të sigurisë. Ky traktat siguron një tjetër armë të fuqishme për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së kriminelëve të cilët përpiqen të fshihen pas kufijve”, theksoi Kim. Sakaq, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri tha se për ata që i largohen drejtësisë nuk do të ketë më vend, pasi ata do të dorëzohen sipas kushteve që përmban ky traktat. “Nuk do të ketë asnjë strehë të sigurt, këtu apo në Shtetet e Bashkuara, për të arratisurit që përpiqen t’i shpëtojnë drejtësisë. Personat e kërkuar për ndjekje penale ose për kryerjen e një dënimi, për një krim të ekstradueshëm do të dorëzohen sipas kushteve të këtij traktati”, tha ajo.

Gazeta Sot