Ambasadorja Amerikane eshte shprehur se sistemi danez zgjedhor mund të jetë i volitshëm për sistemin zgjedhor tonë si reformë.

20 MAJ 2020

Kryeministri Edi Rama ka folur për Euronews menjëherë pas takimit me ambasadorët ndërkombëtarë. Lidhur me sugjerimin e ambasadores amerikane Yuri Kim për sistemin danez të listave të hapura për Reformën Zgjedhore, Rama tha se Yuri Kim nuk është e përfshirë por është Bashkimi Europian ai që rekomandon mbi bazën e OSBE/OHDIR.

Pjesë nga intervista

“Kemi qenë së bashku me disa përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar me të cilët kemi ndarë shqetësimin për domosdoshmërinë e rifillimit të menjëhershëm të punës për reformën zgjedhore, sepse ajo është detyrim i përbashkët ndaj të gjithë publikut shqiptar,” – tha Rama, i cili kujtoi se reforma është kërkuar edhe nga BE-ja dhe ajo duhet materializuar në tryezën e përbashkët sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Reforma zgjedhore aktualisht është ndalur, pasi opozita nuk ka qenë prezente në mbledhjet e Këshillit Politik, kjo si reagim ndaj shembjes së Teatrit Kombëtar.

“Kemi humbur shumë kohë duke pritur miqtë që pa pritur e pa kujtuar janë mbërthyer nga pasioni për teatrin dhe faktikisht jemi në hapat e fundit, nëse duam të arrijmë që këtë reformë ta bëjmë funksionale në zgjedhjet e ardhshme,” – shtoi Rama.

Ambasadorja Amerikane ka shprehur se sistemi danez mund të jetë i volitshëm për sistemin zgjedhor tonë si reformë.

Rama ironizoi se nuk e kishte dëgjuar ambasadoren për një propozim të tillë.

“Nuk është ambasadorja amerikane e përfshirë në një temë të tillë, pasi tema është e përcaktuar nga BE, për një reformë zgjedhore e votuar në parlament në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Sigurisht nuk pengohen diskutimet për sistemin, por e kam thënë që për ne ky është detyrimi, por për sistemin askush nuk e ka të detyrueshëm të bjerë dakord me pahir,” – u shpreh Rama.

Pak para protestës për Teatrin, Rama u takua me ambasadoren amerikane Yuri Kim , ambasadorin gjerman Peter Zingraf dhe ambasadorin e BE, Luigi Soreca.