Ambasada e Gjermanisë dhe Francës në vendin tonë ka reaguar për Ora News lidhur me bojkotimin e e fjalës së kryeministrit Rama nga ambasadorët Zingraf dhe Barsacq në takimin për aministinë fiskale.

“Ne e lamë sot në mëngjes mbledhjen për amnisti fiskale sepse të dy kishim takime. Ne ndajmë plotësisht pikëpamjet e shprehura nga Delegacioni i BE-së” thuhet në reagimin e Elisabeth Barsacq dhe Peter Zingraf për gazetarin e Ora News, Isa Myzyraj.

Qeveria shqiptare mbetet e vendosur për miratimin e aministisë fiskale pavarësisht paralajmërimeve të organizatave ndërkombëtare dhe të shoqatave të investitorëve të huaj.

Madje në takimin konsultativ për këtë draft ai i ka cilësuar këto si ndërhyrje në autonominë e shtetit dhe mungesë qeverie.

Edhe pse nuk e ka përmendur se ka vështirësi në krijimin e të ardhurave, Rama u shpreh se amnistia do të sjellë flukse financiare, teksa shton se është situata e krijuar në Ukrainë që ka detyruar qeverinë shqiptare të përballojë shpenzime të paparashikuara.

Çdo shqiptar brenda dhe jashtë territorit dhe çdo kompani do të ketë mundësi të fusë në bankë deri në dy milionë euro, por edhe në këtë janë disa kategori që nuk përfshihen.

Pas miratimit të ligjit subjektet që mund të përfitojnë do të kenë nëntë muaj kohë të paraqesin kërkesën, ndërsa procedura do të jetë online.

Amnistia fiskale është propozuar disa vite më parë në atë kohë nga qeveria Berisha. Por u refuzua me argumentin se favorizohej pastrimi i parave.

Edhe pse për ligjërimin e financave të realizuara nga grupet kriminale është një fenomen që po denoncohet sërish nga organizmat ndërkombëtare, kryeministri Rama shprehet se situata tashmë është shumë ndryshe.

Nga OraNews