Alfred Cako

29 Gusht 2026

Teoricieni dhe konspiracionisti i njohur, Alfred Cako ka komentuar arrestimin e biznesmenit kontrovers, Ergys Agasi, duke hedhur hipoteza të forta mbi prapaskenat e këtij zhvillimi. Sipas tij, pas këtij aksioni nuk qëndrojnë thjesht hetimet vendore, por një ndërhyrje e mirëmenduar e shërbimeve të huaja të inteligjencës, përfshirë ato greke dhe Mossad-in izraelit.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, konspiracionisti Cako pretendon se këto agjenci po godasin burimet financiare dhe linjat e trafikut të heroinës që lidhin rajonin me Turqinë. Në analizën e tij, ky aks gjeopolitik synon të thyejë përfundimisht rrjetet financiare të paligjshme që funksionojnë përgjatë “Rrugës së Ballkanit”.

Ai paralajmëron se goditja e Agasit është vetëm fillimi i një efekti domino që do të përfshijë të gjithë infrastrukturën e korridorit kryesor të transportit. Sipas teoricienit, kjo stuhi rrezikon të shkrijë të gjithë kupolën e policisë dhe të doganave nga pika kufitare e Qafë-Thanës, në Elbasan e deri në Durrës. “A u krye goditja e Gysit prej ndërhyrjes së shërbimeve greke & Mosad për shkak të tregëtisë së heroinës me Turqinë?

Në këto kohë këto dy shtete punojnë të kufizojnë në maksimum çdo burim financiar të paligjshëm të Turqisë. A do detyrojnë këto shërbime të goditen edhe hallkat e tjera nga Qaf Thana-Elbasani- Durrësi”, shkruan Cako. Megjithatë ndërkohë që këto pretendime të teoricienit dhe konspiracionistit të njohur, Alfred Cako mbeten në kuadrin e teorive konspirative mediatike, ato kanë nxitur diskutime të shumta mbi ndikimin e lojërave të fshehta gjeopolitike në territorin shqiptar.

Si ra në pranga Agasi?

Ndërkohë kujtojmë se një operacion i zhvilluar më 26 gusht 2026 nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Policia e Durrësit çoi në pranga Ergys Agasin, biznesmenin e shpallur në kërkim prej 8 muajsh për llogari të SPAK-ut, për dosjen me abuzimet me tenderët e AKSHI-t. Agasi ishte duke udhëtuar me një mjet tip Audi luksoz, nga Elbasani në drejtim të qytetit bregdetar të Durrësit, aty ku ka edhe vendbanimin.

Forcat Operacionale dhe Policia e Durrësit e kishin pikasur makinën e Agasit që në qytetin e Elbasanit dhe, siç thonë burimet, e kanë ndjekur atë për të paktën 40 kilometra, deri në zonën e Plepave në Durrës. Aty u ndërhy për arrestimin e tij, ndërsa në makinë ndodhej po ashtu edhe ish-polici i shpallur në kërkim, Uljan Shpataraku. Kur Ilir Proda u emërua drejtor i Përgjithshëm, e transferoi Shpatarakun pranë vetes, në Drejtorinë e Përgjithshme, por burime mediatike e identifikonin Shpatarakun ende me ndikim në hije në drejtimin e Policisë së Elbasanit.

Në Drejtorinë e Përgjithshme Uljan Shpataraku ka mbajtur detyrën e asistentit në Departamentin e Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit. Ka pasur gjithashtu pretendime publike mediatike dhe politike që e lidhin edhe influencën e Ergys Agasit me Elbasanin dhe ndikim në politikën lokale të këtij qyteti. Nga ana tjetër, SPAK ka reaguar zyrtarisht për arrestimin gjatë ditës së sotme në Durrës të Ergys Agasit dhe ish-policit Uljan Shpataraku.

Në njoftim SPAK shkruan se Shpataraku u arrestua për ‘përkrahje të autorit të krimit’, pasi po lëvizte në automjet me të. Ndërkohë Policia ka ushtruar kontrolle në banesën e Shpatarakut, pas shoqërimit të tij në komisariat. Agasi ishte nën hetim nga SPAK për një sërë veprash penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, heqjen e paligjshme të lirisë, shkeljen e barazisë në tendera, grupin e strukturuar kriminal, pastrimin e parave dhe korrupsionin aktiv.