26 M aji 2024

Lufta në Gaza po zhvillohet në shumë fronte, shkruan BBC.

Disa muaj pasi Izraeli filloi të protestojë kundër kamionëve humanitar që hyjnë në Gaza nga vendkalimi kryesor Kerem Shalom, beteja tashmë është zhvendosur në kalimet e tjera kryesore, ku grupet rivale të aktivistëve bëjnë çmos për të bllokuar ose mbrojtur autokolonat humanitare.

Javët e fundit, mediat sociale janë vërshuar me imazhe të kamionëve humanitar të bllokuar dhe të grabitur.

Aktivistët e krahut të djathtë, duke përfshirë kolonët hebrenj që jetojnë në Bregun Perëndimor të pushtuar, kanë ngarkuar dhjetëra video të turmave, duke përfshirë disa fëmijë shumë të vegjël, duke hedhur ushqim në tokë dhe duke shkelur kutitë e ndihmave.

“Është e rëndësishme që të ndërpriten ndihmat. Është e vetmja mënyrë për të fituar. Mënyra e vetme për të rimarrë pengjet tona”, deklaroi një aktivist.

Shumë argumentojnë se banorët e Gazës nuk duhet të marrin asgjë derisa pengjet izraelite të mbeten robër, dhe se dhënia e ndihmës për Gazën thjesht shërben për të zgjatur luftën.

Në një video, një grup protestuesish të ngazëllyer kërcejnë dhe festojnë në çatinë e një kamioni të grabitur. Në një tjetër, një nga kamionët e bllokuar është në flakë.

Video të tjera tregojnë vigjilentët izraelitë që ndalojnë kamionët në Jerusalem dhe kërkojnë që shoferët të tregojnë dokumente që vërtetojnë se nuk po transportojnë ndihma në Gaza. Fytyrat e tyre janë të zbuluara dhe duket se veprojnë pa u ndëshkuar aspak nga autoritetet.

Në Bregun Perëndimor, të paktën dy shoferë që nuk mbanin mallra për në Gaza u tërhoqën zvarrë nga taksitë dhe u rrahën.

Shoferët palestinezë të kamionëve thonë se janë të traumatizuar.

“Jam i tmerruar të arrij në pikën e kalimit”, tha Adel Amro. Kam frikë për jetën time”, theksoi shoferi.

Nga OraNews