Agron Shehaj

13 Nentor 2025

Kreu i Partisë Mundësia Agron Shehaj ka analizuar vrasjen e ditës së djeshme në Rinas. Shehaj deklaroi se SPAK ka ngritur disa herë alarmin për dekonspirimin e aksioneve policore nga brenda strukturave, deklaratë e cila i referohet edhe faktit se i plagosur në këtë atentat mbeti edhe një punonjës i AMP, Muçi Shaljani ose Sheqeri.

Shehaj tha se bosi i krimit Glimando Dani u vra ndërkohë që truprojë i tij ishte punonjësi i AMP.

“E njëjta polici për të cilën SPAK ka ngritur disa herë alarmin se i dekonspiron aksionet dhe ka ndihmuar personazhe nga bota e krimit dhe politikës të arratiset duke dështuar disa operacione arrestimesh” thekson Shehaj.

Kreu i Mundësia i bën thirrje organeve të drejtësisë që të mos ndalen tek hetimet dhe arrestimet e banditëve, por “të shkojë deri lart tek politika që i mbron.

Në një vend normal, një atentat mafioz pranë Aeroportit do të ishte alarm kombëtar.

Kur një bos krimi vritet në mes të ditës, i shoqëruar nga një Agjent i Mbrojtjes Policore i cili kthehet në ‘truprojën’ e kriminelit, kjo tregon qartazi se sa e implikuar është Policia e Shtetit me krimin.

E njëjta polici për të cilën SPAK ka ngritur disa herë alarmin se i dekonspiron aksionet dhe ka ndihmuar personazhe nga bota e krimit dhe politikës të arratiset duke dështuar disa operacione arrestimesh”.

Shehaj hodhi akuza në drejtim të ministres Koçiu dhe tha se mafia lëviz me mbrojtje nga Policia dhe Shqipëria nuk është vend i sigurt.

“Ndërsa ministrja flet për suksese, realiteti është se mafia lëviz me mbrojtje nga policia.
Shqipëria nuk do të jetë e sigurt derisa pushteti të ndahet nga krimi dhe drejtësia të mos ndalet te bandat, por të shkojë deri lart te politika që i mbron”, deklaroi Shehaj.

Nga: Gazeta Sot