A i lejohet një ministri të bëjë reklamë për një biznes privat dhe ta sponsorizojë në Facebook?!

3 Shkurt 2020

Mbështetja e biznesit duhet të jetë objektiv i çdo qeverie, pasi ato janë “gjeneratorët” kryesorë të ekonomisë dhe punësimit në vend.

Kjo mbështetje vjen kryesisht përmes lehtësirave fiskale, subvencionit, mbrojtjes së pronës dhe mbi të gjitha barazisë përpara ligjit. Prioritet duhet të kenë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Por në Shqipëri ka patur vazhdimisht akuza për favorizim të bizneseve të caktuara dhe për korrupsion.

Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi ka vizituar një biznes privat në Korçë që merret me përpunimin e mishit dhe prodhimin e sallamit. Në pamje të parë është një veprim normal, që duhet të bëjë çdo ministër, pavarësisht se duhet të ketë transparencë rreth kriterit të përzgjedhjes.

Përmes një postimi në Facebook, Çuçi bën një marketing të gjërë rreth këtij subjekti, ndërsa njofton se qeveria e ka financuar me fonde këtë biznes.

Madje, dashamirësia e ministrit me këtë subjekt privat ka shkuar aq larg, sa ministri, i ka bërë sponsor (me lekët e tij apo të buxhetit nuk e dimë) postimit në facebook.

Ndaj natyrshëm lindin disa pyetje;

A po e favorizon ministri këtë subjekt privat?

A i lejohet një ministri të bëjë reklamë për një biznës privat?

A i lejohet një ministri ta sponsorizojë në Facebook?

Mbi çfarë kriteresh ka përfituar fonde publike ky biznes?

©Copyright Gazeta SHQIP