Avenir Peka

24 Shtator 2026

Ish-zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka, ka ngritur pikëpyetje lidhur me rastin e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.

I ftuar në nje studio televizive, Peka tha se një nga çështjet që duhet të sqarohet është nëse McGonigal ka pasur rol në mbështetjen apo sponsorizimin e Vlora Hysenit.

Duke analizuar të gjitha elementet, Peka vë në dukje se nuk kemi të bëjmë me rastësi në këtë çështje, pasi sipas tij rol kyç ka kryeministri Rama.

“Florian Coldea ka qenë krahu i djathtë i McGonigal në Europë, bashkëpunëtor i ngushtë i Deripaskës, dhe ky zotëria jo vetëm është emëruar këshilltar për sigurinë kombëtare, por i është dhënë zyrë në SHISH. Askush s’e di nëse e ka marrë certifikatën e sigurisë apo s’e ka marrë.

Ka përfituar nga programi i Charles McGonigal, që na çon te pikëpyetja tjetër: A është McGonigal sponsorizues i Vlora Hysenit apo jo?! Që na çon te pika tjetër, që ky zotëria në funksionin e tij për sigurinë kombëtare, ka shkuar në SHISH ndërkohë që po bëhej organigrama dhe organizimi i brendshëm i institucionit, ka grisur draftin që ka paraqitur stafi i SHISH, dhe u ka paraqitur një draft të tyre.

Aksesi i tij ka qenë i plotë. Kur i merr të gjitha këto bashkë e kupton që s’është rastësi. Atë programin, dizajnim, e bën vetëm kryeministri”, tha Peka.